Ndërlidhjet

Donald Trump.
Donald Trump.

Drejtpërdrejt Trump zgjidhet president i SHBA-së

E përditësuar
  • Donald Trump është shpallur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
  • Ai ka siguruar 277 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president.
  • Trump është zotuar se do ta "shërojë" kombin, teksa u është drejtuar mbështetësve nga Florida.
  • Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht nënpresidente, dhe republikani Donald Trump, president nga viti 2017 deri më 2021.
  • Zgjedhja e Amerikës do t’i formësojë padyshim politikat globale, në kohën kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida komplekse të sigurisë.
20:15

Kamala Harris e uron Donald Trumpin

Nënpresidentja Kamala Harris i ka telefonuar të mërkurën presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për ta uruar për fitoren në zgjedhje, ka thënë për Associated Press një zyrtar i lartë i saj.

Zyrtari foli në kushte anonimiteti.

Ai tha se Harrisi bisedoi me Trumpin për rëndësinë e kalimit të pushtetit në mënyrë paqësore.

Harris pritet ta mbajë një fjalim sonte më vonë, ku do ta pranojë disfatën.

20:04

SHBA-ja zgjeron sanksionet ndaj rrjetit të Dodikut

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një individi dhe një kompanie në Bosnje e Hercegovinë, duke i akuzuar se e mbështesin një rrjet të korrupsionit në Bosnje e Hercegovinë, i cili është duke bërë përpjekje për t’i shmangur sanksionet amerikane.

Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha se ky rrjet është drejtpërdrejt i lidhur me të sanksionuarin Igor Dodik, djalin e Millorad Dodikut, presidentit të sanksionuar të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).

“Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, bashkëpunëtorët e tij, dhe mundësuesit e tij, vazhdojnë t’i përdorin pozitat e tyre të privilegjuara, për ta çrrënjosur besimin e publikut në kornizat rajonale të paqes dhe në institucione që kanë sjellë stabilitet dhe siguri në Bosnje e Hercegovinë”, tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Bradley T. Smith.

OFAC tha se Dodiku për vite të tëra e ka përdorur pozitën e tij zyrtare për të mbledhur pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe me të birin, Igor.

Njoftimi për sanksione u bë pak orë pasi Millorad Dodik e uroi presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

19:39

Donald Trump e fiton edhe Miçiganin

Ish-presidenti Donald Trump e ka fituar edhe një shtet tjetër kyç të mërkurën, Miçiganin, njofton Associated Press.

Kjo nënkupton se ai i ka fituar 15 votat elektorale në shtetin ku Joe Biden kishte fituar në vitin 2020 në rrugën e tij drejt Shtëpisë së Bardhë.

Trumpi e kishte fituar Miçiganin në vitin 2016 me një epërsi prej vetëm 10.000 votash, duke bërë që një kandidat republikan për president ta fitonte këtë shtet pas gati tri dekadash.

Kjo nënkupton se ai i ka fituar tri shtetet kyçe në garë kundër kandidates demokrate Kamala Harris, pasi më herët ai u shpall fitues edhe në Uiskonsin dhe Pensilvani.

18:44

Agjencia amerikane e sigurisë: Zgjedhjet ishin “paqësore dhe të sigurta”

Zgjedhjet në SHBA kanë qenë “paqësore dhe të sigurta”, sipas drejtoreshës së Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës, Jen Esterly

Në një komunikatë, Jen Esterly tha se “infrastruktura zgjedhore nuk ka qenë kurrë më e sigurt” dhe se “nuk ka pasur prova për ndonjë aktivitet keqdashës që ka pasur ndikim material në sigurinë apo integritetin e infrastrukturës sonë zgjedhore”.

Agjencitë e sigurisë dhe ligjit në gjithë vendin kanë qenë në gatishmëri të lartë për dhunë të mundshme gjatë ditës së zgjedhjeve.

FBI-ja konfirmoi dje se kishte së paku 30 kërcënime të rrejshme me bombë në qendra votimi në gjithë vendin – kryesisht në qarqe ku favorizoheshin demokratët.

Më shumë së gjysma e tyre ishin bërë në Xhorxhia.

Kërcënimet e rrejshme “duket se vinin nga domenet ruse”, tha FBI-ja.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG