Ndërlidhjet

Një vit nga dhuna në Zveçan: Derisa gjyqësori hesht, çka dihet deri më tash?


KFOR-i kërkon përgjegjësit për dhunën në Zveçan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

KFOR-i kërkon përgjegjësit për dhunën në Zveçan

Një vit pas dhunës në Zveçan dhe sulmit ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, drejtësia është ende në pritje të mbledhjes së të gjitha fakteve.

Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Gjykata Themelore në Prishtinë nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se deri ku ka arritur ndjekja penale e autorëve të dyshuar.

Ajo që dihet tani për tani, është se u arrestuan rreth dhjetë veta, shumica e të cilëve u liruan për t’u mbrojtur në liri. Katër u akuzuan, por dy prej tyre u liruan nga akuza për sulm ndaj KFOR-it. Dhe, dy shtetas të Serbisë u dëbuan nga Kosova, pasi dënimi i tyre prej gjashtë muajsh burg u zëvendësua me gjobë.

Dhuna ndodhi më 29 maj të vitit të kaluar, gjatë protestës së disa qytetarëve serbë që kundërshtonin hyrjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, në të cilën u plagosën rëndë dhe lehtë 93 ushtarë të KFOR-it, të cilët ishin të dislokuar para Komunës së Zveçanit, NATO-ja thotë se duhet të mblidhen të gjitha faktet dhe autorët të mbahen përgjegjës.

Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet, po ashtu, se “KFOR-i nuk është kompetent për të zbatuar ligjin” dhe se “Prishtinës dhe Beogradit i është kërkuar që t’i kryejnë hetimet e nevojshme ligjore, për t’i vërtetuar faktet dhe për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë”.

Mesazh të ngjashëm përcolli më herët edhe komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, duke theksuar se sulmi ndaj ushtarëve të NATO-s, vitin e kaluar, “ishte i paprovokuar dhe krejtësisht i papranueshëm”.

Ulutash tha se KFOR-i e ka rritur kapacitetin e tij me rreth 1.000 ushtarë dhe se ka trefishuar numrin e patrullave në komunat në veri të Kosovës dhe rreth kufirit me Serbinë.

REL-i pyeti Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd nëse është duke hetuar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës dhe nëse ka filluar procedura kundër individëve që kanë marrë pjesë në të e që ndodhen në territorin e Serbisë. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Çfarë ndodhi më 29 maj?

Përleshjeve mes ushtarëve të KFOR-it dhe serbëve në Zveçan u parapriu rritja e tensioneve më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u mblodhën para objekteve komunale në veri të Kosovës, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në to.

Video: Protestat në Zveçan më 29 maj

Kryetarët shqiptarë morën pushtetin pasi popullata shumicë serbe në katër komunat në veri të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - i bojkotoi zgjedhjet lokale, me ftesë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Më 29 maj, ishin përfaqësuesit e Listës Serbe ata që negociuan për disa orë me KFOR-in, i cili kërkoi tërheqjen e demonstruesve që kishin rrethuar një autoblindë me pjesëtarë të Policisë Speciale të Kosovës.

Negociatat përfunduan pa sukses dhe pastaj shpërthyen përleshjet, të cilat rezultuan me më shumë se 100 persona të lënduar nga të dyja anët.

Në mesin e demonstruesve serbë kishte edhe nga ata që mbanin maska në fytyrë, e të cilët më pas u përleshën me ushtarët e KFOR-it, duke përdorur shok-bomba, kokteje molotovi dhe sende të tjera të forta.

Çfarë bëri Kosova?

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi më 5 shkurt të këtij viti se ka ngritur aktakuzë kundër dy serbëve nga Kosova, me inicialet R.P. dhe D.O., për veprën penale “pjesëmarrje në turmën që ka kryer vepër penale apo huliganizëm”.

Bëhet fjalë për Radosh Petroviqin dhe Dushan Obrenoviqin, të cilët u arrestuan më 29 maj të vitit të kaluar në Zveçan, gjatë përleshjeve të protestuesve serbë me KFOR-in.

Avokati Asdren Hoxha thotë se ata u lanë të lirë, pas marrëveshjes me prokurorinë për të pranuar fajësinë “për pjesëmarrje në një turmë që kreu vepër penale apo huliganizëm”.

Përndryshe, ata u dënuan me gjashtë muaj burgim - masë që në rastin e Petroviqit u shndërrua në gjobë, ndërsa Obrenoviqit iu llogarit paraburgimi gjashtëmujor.

Hoxha shton se, më herët, janë hedhur poshtë tri vepra penale me të cilat janë ngarkuar: “bashkim me qëllim të veprimit antikushtetues dhe sulmit ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe sulm ndaj zyrtarëve”.

Në korrik të vitit 2023, aktakuza u ngritën edhe kundër dy shtetasve të Serbisë me inicialet S.J. dhe I.S., nën dyshimet për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Prokuroria e Kosovës tha atëkohë se S.J. dhe I.S. “përgatitën veprime për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm” dhe se ata ishin në kontakt me “demonstruesit e dhunshëm serbë”, të cilët u përleshën me ushtarët e KFOR-it para ndërtesës komunale në Zveçan, më 29 maj të vitit të kaluar.

Në gusht të vitit 2023, ata u dënuan me gjashtë muaj burgim - me mundësinë e zëvendësimit të masës me gjobë. Për të dy ata u depozituan para dhe më pas u dëbuan nga Kosova, me ndalim të hyrjes për tre vjet.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e identifikoi Millun Millenkoviqin - Llune, i cili u arrestua më 13 qershor, 2023, si një nga udhëheqësit e “demonstruesve të dhunshëm” dhe organizator i sulmit ndaj KFOR-it.

Millenkoviq është ende në paraburgim, por kundër tij nuk është ngritur ende ndonjë aktakuzë për sulmin ndaj KFOR-it.

Ai dhe tre pjesëtarë të tjerë të komunitetit serb dolën në gjyq në fillim të vitit, në bazë të aktakuzës për “veprën e terrorizmit”, përkatësisht për sulm ndaj objektit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, në dhjetor të vitit 2022.

Ndërsa serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut mbanin protesta për shkak të arrestimit të Millenkoviqit, ministri Sveçla tha se ai është “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe udhëheqës i grupeve kriminale, që, me vite, i kanë terrorizuar qytetarët, i kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Përveç Millenkoviqit, autoritetet e Kosovës fajësuan edhe anëtarë të tjerë të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” për sulmin ndaj KFOR-it.

Pas trazirave në Zveçan, Kosova i shpalli ato organizata terroriste.

Zyrtarë të Kosovës, në disa raste, kanë deklaruar se Beogradi zyrtar i financon këto organizata dhe se ato janë të afërta edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Serbia, megjithatë, i ka mohuar këto akuza dhe Vuçiq e ka bërë përgjegjës kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se “atij i ka konvenuar më së shumti konflikti mes serbëve dhe NATO-s”.

“Bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Serbisë për të bashkëpunuar me Kosovën”

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, beson se Prokuroria e Kosovës, në përputhje me situatën në veri, ka ndërmarrë veprime të duhura dhe efektive për ndjekjen penale të sulmuesve të pjesëtarëve të KFOR-it, si dhe të gazetarëve që raportuan për krizën.

Megjithatë, ai shton se ka mungesë bashkëpunimi me Serbinë për arrestimin dhe ekstradimin e atyre që kanë kryer vepra penale në territorin e Kosovës dhe nuk janë në dispozicion të institucioneve përgjegjëse.

“Për fat të keq, Serbia është shndërruar në një parajsë sigurie për kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë, duke u siguruar atyre pandëshkueshmëri të plotë institucionale”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se institucionet e Kosovës duhet ta rrisin bashkëpunimin dhe koordinimin me KFOR-in dhe me partnerët ndërkombëtarë, kur bëhet fjalë për veprimet në veri të Kosovës, dhe kështu të ndërtojnë besim në mesin e popullatës shumicë serbe atje.

“Përveç kësaj, KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojnë presion më të madh ndaj Serbisë për t’i ekstraduar në Kosovë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në agresionin kundër Kosovës, në mënyrë që veprimet e tilla të mos përsëriten”, thotë Miftaraj.

Kriza në veri të Kosovës kulmoi më 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, afër Zveçanit, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, por Beogradi e mohoi përgjegjësinë.

Atë e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Besohet se ai dhe anëtarë të tjerë të atij grupi të armatosur gjenden në Serbi.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar disa herë që të përfshirët në atë sulm, të sillen para drejtësisë.

Vuçiq për Radoiçiqin: Nuk është akademik, por i mbron serbët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:09:33 0:00

Gjykata e Lartë në Beograd e dëgjoi Radoiçiqin në fillim të tetorit të vitit të kaluar, por e hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike për t’i caktuar paraburgim.

Atij iu ndalua dalja nga territori i Republikës së Serbisë dhe, rrjedhimisht, hyrja në Kosovë.

Aktakuzë kundër Radoiçiqit për rastin e sulmit në Banjskë nuk është ngritur as në Kosovë, ndonëse një e tillë ishte paralajmëruar se do të ngrihej deri në fund të marsit të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG