Hovenier: Kurti të ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës
Përfaqësuesit e shteteve të Quint-it në Kosovë - SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës - kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili mori pjesë në takim, tha se “ka një marrëveshje se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”.
“Ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur [të komunave në veri] të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet”, tha Hovenier.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin. Një qasje e tillë, shtoi Hovenier, do të duhej të aplikohej edhe për punën e tyre.
Ai nuk pranoi të thotë nëse Kurti e ka pranuar këtë rekomandim ose jo.
Bislimi: Kryetarët mund të punojnë vetëm nga ndërtesat e komunës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Këto komente Bislimi i ka bërë gjatë një takimi me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
“Si kryetarë të komunave, ata mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre vetëm nga ndёrtesat e komunёs, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim”, ka thënë Bislimi.
Bislimi këtë deklaratë e bëri pavarësisht se përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në Kosovë - SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës - kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Osmani: Veriu u destabilizua me urdhër të Vuçiqit
Përmes një postimi në Twitter, Osmani dënoi dhunën në veri, prej ku akuzoi presidentin e Serbisë Aleksandar Vucciq për destabilizimin e veriut të vendit. “Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë.
Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”.
Ushtarë të lënduar të KFOR-it në Zveçan