Dhunë, të shtëna e gaz lotsjellës pas intervenimit të KFOR-it
Diplomatët e huaj dënojnë dhunën ndaj KFOR-it dhe gazetarëve në veri
Ambasadorët që përfaqësojnë disa nga shtetet e QUINT-it në Kosovë kanë reaguar përmes llogarive të tyre në Twitter, prej ku kanë dënuar dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve, teksa kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës.
Edhe pse ende zyrtarisht nuk dihet numri i saktë, ekipi i Radios Evropa e Lirë në teren ka parë ushtarë të lënduar të KFOR-it. Gjithashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se një makinë e një ekipi medial është djegur në Zubin Potok, teksa në veri të Kosovës janë regjistruar edhe disa tentim-sulme dhe vandalizime të makinave të ekipeve të gazetarëve.
NATO: Sulmet ndaj trupave të KFOR-it, të papranueshme
KFOR: Rreth 25 ushtarë të plagosur në veri të Kosovës
Të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, bëri të ditur misioni përmes një njoftimi për media.
“Duke iu kundërvënë turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse”, thuhet në njoftim.
Sipas KFOR-it, ushtarët janë trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore dhe aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.