Vuçiq thirrje serbëve në Kosovë që të mos hyjnë në konflikte me NATO-n
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri të Kosovës që të mos hyjnë në konflikt me NATO-n.
Ai bëri thirrje për protesta paqësore.
Vuçiq iu drejtua publikut të hënën në mbrëmje, më 29 maj, pasi KFOR-i ndërhyri për të shpërndarë demonstruesit serbë të mbledhur para ndërtesës së komunës së Zveçanit në veri të Kosovës. Grupe të serbëve protestuan në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në veri të Kosovës, duke kundërshtuar kryetarët e rinj të nacionalitetit shqiptar në komunat me shumicë serbe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij të mbajtur nga Presidenca e Serbisë, tha se të martën në mëngjes, më 30 maj, do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.
Ai gjithashtu deklaroi se gjatë ditës ka folur me “amerikanë, gjermanë dhe europianë”.
Vuçiq tha se gjatë intervenimit të KFOR-it janë lënduar 52 serbë, prej të cilëve, sipas tij, tre kanë pësuar lëndime të rënda.
Policia e Kosovës ka raportuar se janë arrestuar pesë persona të dyshuar për sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.
Presidenti i Serbisë përsëriti se Serbia është në favor të ruajtjes së paqes.
“Nëse pushtuesi shqiptar qëllon, atëherë situata do të jetë ndryshe”, tha ai.
Kur të premten, më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale, Vuçiq dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.
“Ne kemi dislokuar forcat tona në vende ku mendoj se është e nevojshme”, tha ai.
Qeveria e Kosovës akuzon Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”
Qeveria e Kosovës ka akuzuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste” në veri të vendit, prej ku u plagosën dhjetëra pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë përleshjeve me protestuesit në komunën veriore të Zveçanit.
“Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-Kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, tha qeveria përmes një komunikate për media pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Qeveria tha se në këtë takim me ambasadorët u diskutua për situatën në veri të vendit, si dhe u pajtua që me ta të vazhdohet të mbahet komunikim i dendur gjatë orëve dhe ditëve në vijim.
“Shkas dhe temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në veri të vendit, sidomos veprimet e dhunshme dhe kriminale të protestuesve ekstremistë ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it, dhe pjesëtarëve të medieve”, thuhet në komunikatë.
Sipas qeverisë, në këtë takim kryeministri theksoi rëndësinë dhe nevojën për shtensionimin e situates, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-in drejt këtij qëllimi.
Ushtarë të KFOR-it transferohen për trajtim në Prishtinë
Disa ushtarë të KFOR-it, të plagosur në përleshjet me protestuesit serbë në Zveçan, u transferuan për trajtim në Spitalin Amerikan në Prishtinë.
Misioni paqeruajtës i NATO-s bëri të ditur për së paku 25 ushtarë të plagosur.
Zhvillimet në veri në dy minuta
Fillimisht gaz lotsjellës e më pas dhunë. Kështu është karakterizuar e hëna e 29 majit në tri komunat në veri të Kosovës, me shumicë serbe: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Atje, serbët lokalë kanë protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.