Mirëmëngjesi të gjithëve,
Radio Evropa e Lirë po nis mbulimin direkt të zhvillimeve në veri të Kosovës, ku situata vazhdon të jetë e tensionuar, pas vendosjes së kryetarërëve të rinj shqiptarë në objektet komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Ekipi i REL-it ndodhet në të tria këto komuna dhe do t’ju mbajë të informuar në kohë reale. Na ndiqni!
Forca të shtuara të KFOR-it
Gazetarët në terren raportojnë se misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ka shtuar praninë në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Në Zveçan bllokohet rruga drejt ndërtesës së komunës
Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Sandra Cvetkoviq, raporton se në Zveçan është vendosur një gardh metalik, i cili e ka bllokuar rrugën që çon drejt ndërtesës së komunës.
Pjesëtarët e KFOR-it, të pajisur për situata krize, janë duke bllokuar po ashtu rrugën për në komunë.
Grupe qytetarësh serbë mblidhen në Leposaviq
Grupe qytetarësh serbë u mblodhën para ndërtesës së komunës në Leposaviq për të kundërshtuar marrjen e pushtetit lokal nga kryetari i ri shqiptar, Lulzim Hetemi.