Menaxhimi i pandemisë, dialogu me Serbinë, forcimi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës, janë disa nga çështjet e lëna anash nga institucionet e Kosovës në kohën e parafushatës, thonë analistët.
Analisti politik, Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë, se formalisht bartësit e institucioneve janë në detyrë, por ata, siç shprehet ai, nuk po i kryejnë detyrat si duhet.
“Në këtë mënyrë lihen anash edhe përgjegjësitë institucionale e shtetërore. Gjatë parafushatës zgjedhore është lënë anash çështja e pandemisë dhe vetë qeveritarët, por edhe përfaqësuesit e partive opozitare, kanë dhënë shembull të keq, duke mos respektuar masat e vendosura”, tha Mushkolaj.
Mushkolaj thekson se po ashtu janë lënë anash edhe çështje të tjera, si dialogu dhe forcimi i subjektivitetit shtetëror në arenën ndërkombëtare.
“Në këtë neglizhencë kanë ndikuar edhe shifrat e dala nga sondazhet e ndryshme, që nuk i nxjerrin fituese partitë në pushtet. Si rrjedhojë, ato nuk kanë fort vullnet të merren me çështje shtetërore e përgjegjësi institucionale, duke pasur parasysh se dikush tjetër do të jetë përgjegjës në të ardhmen”, u shpreh Mushkolaj.
Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se partitë politike, jo që nuk po merren me çështje të rëndësishme për vendin, por ato janë duke bërë veprime jo të mira përsa i takon respektimit të rregullave për pandeminë.
“Shohim që partitë politike nuk respektojnë as minimumin e minimumit të rregullave, siç janë maskat, distanca e të tjera. Pra, ato kur u konvenon thërrasin për t’i respektuar [rregullat] sepse përdoret politikisht, në momentin që nuk u konvenon më, atëherë nuk e përmendin më fare si çështje sepse duhet të fitojnë disa vota më shumë”, tha Krasniqi.
Çështje të tjera të rëndësishme, që sipas analistëve po mbesin pa u trajtuar, janë edhe çështja e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe puna në drejtim të anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë.
Jeta Krasniqi thotë se partitë politike duhet të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët dhe të kenë një strategji të mirëfilltë ndaj procesit të dialogut.
“Çështja e dialogut mund të presim që do të vazhdohet me të njëjtin avaz, ku partitë në pushtet u bëjnë thirrje partive në opozitë për t’iu bashkuar (në këtë proces), pra ato [partitë politike] vazhdojnë ta trajtojnë këtë çështje si çështje të politikave ditore, duke mos i dhënë seriozitetin e duhur dhe të nevojshme procesit”, tha ajo.
Albana Rexha, analiste e lartë e politikave në organizatën Demokraci Plus, organizatë kjo që pos tjerash ka për qëllim rritjen e llogaridhënies dhe ndikimit në proceset e vendimmarrjes, thotë se Kosova pas shpalljes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndodhet në një lloj status quo-je në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm.
Sipas saj, pjesëmarrja në mënyrë intensive e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës në aktivitete zgjedhore, reflekton dy probleme kryesore. E para është ngadalësimi i vendimmarrjes në institucione të ndryshme si pasojë e mosprezencës së tyre në punë dhe dyta sipas saj është keqpërdorimi i pozitës zyrtare.
“Besoj se ngjashëm sikurse me punët e brendshme në Kosovë, përkatësisht me menaxhimin e koronavirusit, njësojë ashtu edhe me dialogun apo edhe me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në të gjitha ka ngadalësime. Pra, ka prolongim të proceseve, meqenëse fokusi kryesor i gjithë politikbërësve është në fushatë. Agjenda e tyre ditore është në zgjedhje dhe të tjerat çështje janë lënë anash. Është një lloj status quo-je në politikat e brendshme dhe të jashtme të vendit”, tha Rexha.
Më 4 shtator, 2020, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Në një ka pikat e marrëveshjes thuhet se “Kosova (Prishtina zyrtare) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare”.
Pavarësisht kësaj marrëveshjeje, Krasniqi thekson se stafi diplomatik i Kosovës dhe vetë Qeveria e Kosovës çdoherë duhet të jenë aktive në rrafshin ndërkombëtar. Ajo çka shihet, thekson Krasniqi, më shumë është një publicitet sesa që është duke u punuar për një diplomaci efektive.
“Duhet një politikë e jashtme më pro-aktive, e cila shtyn interesin e Kosovës dhe nuk pret të shohë se çka po ndodh me dialogun dhe në atë moment të reagojë”, shprehet Krasniqi.
Ndryshe, sipas Ligjit për zgjedhje, në nenin 2, te parimet themelore thuhet se “përdorimi i zyrave publike, burimeve ose personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal me qëllim të mbështetjes së një subjekti politik në zgjedhje, është rreptësisht i ndaluar”. Po ashtu aty thuhet se “subjektet politike nuk mund të shfrytëzojnë nëpunësit civilë që përdorin pozitën, burimet, ose personelin për fushatë gjatë zgjedhjeve”.
Facebook Forum