Subjektet politike, të cilat garojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, nuk kanë hequr dorë nga mendësia e krijuar me vite, që në listat e tyre të kenë kandidatë që kanë problem me ligjin, vlerëson njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Sipas tij, një gjë tillë u dëshmua edhe me përgjigjen që Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku thuhet se nga 28 subjekte politike, që kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, 15 prej tyre kanë kandidatë, të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Në përgjithësi, sipas KQZ-së, e cila është bazuar në përgjigjen e Këshilli Gjyqësor të Kosovës, “janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”.
Miftaraj: Kandidatët 'problematikë', për elektorat
Ehat Miftaraj thotë për Radion Evropa e Lirë se futja në lista zgjedhore të kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit, është qasje e partive politike që dëshmon mungesën e vullnetit politik për t’i ofruar qytetarëve kandidatë për deputetë apo qeverisje me duar të pastra.
“Kjo e dëshmon se për partitë politike është shumë më shumë me interes që të propozojnë kandidatë qoftë me aktakuza, qoftë që kanë probleme me ligjin, por të cilët në elektorat mund të sjellin vota. Por, në anën tjetër, kjo sjellje e votave, automatikisht ndikon në besimin e publikut, në integritetin e kandidatit dhe të institucioneve, por edhe të vet partisë politike. Në një shtet normal, në një shtet që aspiron të zbatojë standarde minimale të qeverisjes së mirë, të sundimit të ligjit, një qasje e tillë do të ishte e papranueshme. Por, në Kosovë, fatkeqësisht kjo është ndërtuar si standard”, theksoi Miftaraj.
Ai shtoi se kjo nuk është hera e parë që partitë politike kanë në listat e tyre zgjedhore kandidatë që kanë probleme me ligjin.
Siç thotë Miftaraj, sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme në vitin 2017, për t’u certifikuar si kandidatë në garën për deputet të Kuvendit të Kosovës, kanë pasur të drejtë edhe personat e dënuar, por edhe ata me aktakuzë.
Por, sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i dhjetorit të vitit 2020, e ka ndryshuar këtë praktikë dhe ka vendosur standardin e ri, se të gjithë ata që janë të dënuar për vepra penale në tre vjetët e fundit, me vendim të formës së prerë, u kufizohet e drejta për t’u certifikuar si kandidatë për deputetë.
Njohësi tjetër i çështjeve juridike, Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që subjektet politike duhet të veprojnë sipas ligjit që është në fuqi, i cili ndalon kandidimin për të garuar për deputet, të kujdo që në tre vjetët e fundit është i dënuar, me vendim të plotfuqishëm të gjykatës.
“Normalisht që edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë një shtytje ligjit dhe i ka inkurajuar palët që ta zbatojnë atë. Ajo që Gjykata Kushtetuese ka vendosur, po besoj që do të zbatohet edhe nga KQZ-ja, që të marrë vendimin (për certifikime) sipas rekomandimeve që janë dhënë nga kjo gykatë dhe në harmoni me ligjin”, theksoi Spahija.
Partitë për dhe kundër tërheqjes së kandidatëve të tyre
Komisioni Qendror i Zgjedheve tashmë ka bërë të ditur se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatitë rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre.
Këto rekomandime do të paraqiten më pas në mbledhjen e KQZ-së. Vendimin për aprovim ose refuzim, KQZ-ja do ta marrë më së largu deri më 22 janar.
Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të enjten komentoi njoftimin e KQZ-së, ku tha se ai është "bartës liste".
"Unë jam bartës liste, i cili i respekton dhe i përfill me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, të cilët mbrojnë të drejtat e të gjithë neve dhe secilit prej nesh", deklaroi Kurti.
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, aktualisht kryeministër në detyrë, Avdullah Hoti, u ka thënë mediave vendore se në rast se në listën e tyre ka kandidatë, të cilët KQZ-ja i gjenë se kanë qenë të shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit, atëherë ata do të tërhiqen nga lista.
“Besoj që të gjithë duhet të trajtohen njësoj, pavarësisht kush janë ata persona. Ligji është i njëjtë për të gjithë dhe të gjithë do t’u nënshrohen rregullave”, ka thënë Hoti.
Ngjashëm kanë thënë edhe zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës. Zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyqi, në një përgjigje të shkruar për Radion Evopa e Lirë, ka thënë që tërheqja e kandidatëve që eventualisht kanë problem me ligjin “është obigim ligjor në këtë rast dhe sigurisht që do të tërhiqen”.
Gjykata Kushtetuese, instanca e fundit për apelim?
Vendimi eventual i KQZ-së për të mos certifikuar 47 kandidatë, të cilët sipas përgjigjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë të shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit, mund të kontestohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP), përmes ankesave të këtyre kandidatëve dhe subjekteve politike të tyre, veç e veç.
Në rast se këto ankesa hidhen poshtë nga PZAP-i, atëherë ato mund të drejtohen në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Njohësit e çështjeve juridike, shprehin mendimin se edhe në rast se Gjykata Supreme i hedh poshtë ankesat, atëherë këta kandidatë mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë që Gjykata Kushtetuese është shkalla më e fundit ku eventualisht mund të drejtohen kandidatët e tillë.
“Pas vendimit të Gjykatës Supereme, këta kandidatë kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe ajo gjykatë mund të japë një epilog përfundimtar se çfarë ka dashur të thotë me aktgjykimin e fundit që e ka publikuar dhe në njëfarë mënyre të sqarojë për publikun, por edhe për të gjithë, cili ka qenë qëllimi dhe cilat kategori përfshihen në kufizim për të kandiduar (për zgjedhje) në bazë të vendimit të fundit”, theksoi Miftaraj.
Mendim të ngjashëm ka edhe Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës. Sipas tij shkalla e fundit për apel të një vendimi të KQZ-së, në rast se nuk hidhet poshtë nga PZAP-i dhe më pas nga Gjykata Supreme, është Gjykata Kushtetuese.
“Atëherë edhe Gjykata Kushtetuese mund të veprojë në atë mënyrë që të sheh nëse janë shkelur të drejtat e njeriut ose nëse janë në kundërshtim me kapitullin e të drejtave të njeriut, që është e drejta për t’u zgjedhur dhe e drejta për të zgjedhur. Pra, është një nen i veçantë në Kushtetutë që të lejon të zgjidhesh dhe të zgjedhësh. Kështu që, në këtë kuptim, mund të bëhet ankesa në Gjykatë Kushtetuse për ‘mohim të kësaj të drejte nga një vendim i një institucioni administrativ’”, theksoi Spahija.
Siç kanë sqaruar zyrtarët e KQZ-së, periudha e ankesave dhe vendimit, do të përmbyllet më 31 janar, ndërkaq më 1 shkurt do të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.
Facebook Forum