Ndërlidhjet

Kuota gjinore, tavan i qelqtë për partitë


Kuvendi i Kosovës - Foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës - Foto nga arkivi

Minimumi i numrit të përfaqësimit të grave në lista zgjedhore ndër vite është shndërruar në maksimumin e mundësisë që kanë gratë për të hyrë në Parlament. Ligjërisht, partitë politike janë të obliguara që të kenë minimalisht 30 për qind gra në lista zgjedhore.

Pothuajse secila parti deri më tani e ka zbatuar në përpikëri këtë kërkesë dhe në listat e veta ka vetëm nga 30 për qind gra.

Valdete Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Limani-Hajnuni nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, ndajnë të njëjtin mendim që partitë në të cilat ato e ushtrojnë aktivitetin politik, duhet të bëjnë më shumë për të rritur praninë e grave në jetën politike.

“Partitë politike e kanë marrë si rregull të pashkruar që gratë nuk duhet të jenë nën 30 për qind, por si rregull të pashkruar e kanë marrë edhe që nuk duhet të jenë mbi 30 përqindëshin”, shprehet Limani-Hajnuni, kryetare e Grupit të Grave Deputete.

“Shumica e partive politike po mjaftohen me 30 përqindëshin që do të duhej të ishte minimumi”, thotë deputetja nga radhët e PDK-së, Valdete Idrizi.

Tinka Kurti, në anën tjetër, është ndër të vetmet kandidate për deputete gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 që nuk arriti të futej në Kuvendin e Kosovës, ndonëse kishte më shumë vota se sa deputetët burra.

Arsyeja ishte se sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, zëvendësimi i deputetëve, i cili ndodhi në legjislaturën e kaluar, duhet të bëhet vetëm përbrenda gjinisë. Kurti gjykon se rasti i saj tregoi që me këto praktika nuk mund të rritet përfaqësimi i grave në parlament.

“Kuota, e cila është vendosur si minimum për prezencën e deputetëve në parlament, me rastin tim u kuptua që në fakt është vendosur edhe si tavan: nga minimumi në maksimumin e [përfaqësimit] grave në parlament”, thekson Kurti.

Partitë politike në Kosovë janë të detyruara që deri më 16 janar në ora 18:00, t’i dorëzojnë listat zgjedhore në mënyrë që të jenë pjesë e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Synimi ynë është që të ketë më shumë gra. Listat ende nuk janë përfundimtare, por gjasat janë që të ketë më shumë se 30 për qind”, thotë Kurti.

Përpjekje për më shumë gra në lista zgjedhore, sipas Idrizit, janë duke u bërë edhe në PDK.

“Jemi duke u përpjekur maksimalisht në njërën anë për të inkurajuar gratë që të garojnë dhe në anën tjetër që 30 përqindëshi të jetë minimumi dhe jo maksimumi”, shprehet Idrizi.

Për Limani-Hajnunin, partia së cilës i përket, ka ende probleme me tejkalimin e përqindjes së pjesëmarrjes së grave në lista zgjedhore, por LDK-ja, sipas saj, në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019 me nominimin e Vjosa Osmanit si bartëse të listës dhe me renditjen e grave në listë ndryshoi ‘traditën’.

“Zgjedhjet e kaluara LDK-ja ka pasur një ndryshim në lista zgjedhore ku ka qenë e para grua kandidate dhe gratë nuk kanë qenë në renditura ashtu siç jemi mësuar t’i shohim, por ka qenë listë e përzier”, thotë ajo.

Megjithatë, LDK-ja në korrik të vitit 2020 e shkarkoi Osmanin nga postet udhëheqëse në këtë parti, sipas së cilës, Osmani ka shkelur statutin e partisë, kur është shprehur kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Edhe pse partitë politike në Kosovë e kanë kuptuar rëndësinë e votës së gruas dhe për gruan, për Jeta Krasniqin nga Instituti Demokratik i Kosovës, ato nuk kanë vullnet që të kenë më shumë gra në listat e tyre.

“Mbetet të shihet nëse ka një gatishmëri për të shkuar mbi 30 përqindëshin, por duket që nuk ka”, thotë Krasniqi.

Kuota gjinore u ka ndihmuar shumë grave që të jenë pjesë e parlamentit, por për herë të parë në zgjedhjet e 6 tetorit, vetëm 13 nga 39 gratë e zgjedhura kishin nevojë për kuotën gjinore që të bëhen deputete. Kurse, 26 gra nga të gjitha partitë politike në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës nuk kishin nevojë për kuotë për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

Por, për drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Studimet Gjinore, Luljeta Demollin, edhe ato gra që kanë hyrë pa nevojën e kuotës do ta kishin shumëfish më të vështirë të kandidoheshin dhe më pas të bëheshin deputete nëse partitë politike nuk do ta kishin një kushtëzim ligjor që të kenë minimum 30 për qind të grave në lista zgjedhore.

“Nëse nuk do të kishte qenë kuota, këto gra që trumpetojnë që janë pa kuotë, do ta kishin pasur shumë të vështirë, sepse jeta politike në Kosovë është e dominuar nga burrat”, thekson Demolli.

Ajo gjykon që kuota është shndërruar në një ‘tavan të qelqtë’ pasi ato mund të bëhen pjesë e parlamentit, por një prej sfidave më të mëdha është pjesëmarrja e grave në Qeveri.

Qeveria në detyrë në kabinetin e saj ka 20 persona dhe vetëm 4 prej tyre janë gra. Këtu hyn kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat.

Me gjithë kritikat dhe të metat që kuota gjinore mund të ketë, ajo sipas bashkëbiseduesve duhet të vazhdojë të jetë në fuqi, pasi ka treguar efekte pozitive.

Sipas Demollit, kuota mund të hiqet “vetëm në momentin kur bëhet 50 me 50”, ashtu siç edhe e parasheh Ligji për barazinë gjinore që është votuar nga të gjitha partitë politike.

Kuota gjinore në Kosovë për herë të parë u vendos në vitin 2000 nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG