Ndërlidhjet

Kurti thotë se nuk ka informacion nga KQZ-ja për kandidimin e tij


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk është në dijeni për ndonjë vendim të mundshëm të KQZ-së, përmes të cilit atij i ndalohet të garojë për deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Ai tha në një takim me gazetarë se, as ai dhe as subjekti politik që drejton nuk kanë marrë ende ndonjë shkresë nga KQZ-ja.

Në pyetjen e gazetarëve për mundësinë e tërheqjes së tij nga lista zgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë:

“Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”, ka deklaruar Kurti.

Qëndrimi i Kurtit ka ardhur pas deklaratave të zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët kanë marrë përgjigjen nga Këshilli Gyqësor i Kosovës, në të cilin thuhet se 15 nga 28 subjektet politike të cilat do të garojnë në zgedhjet e 14 shkurtit, kanë kandidat në listat e tyre zgjedhore, të cilët nuk janë në përputhje me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.

“Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai ka theksuar se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatitë rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre dhe se këto rekomandime do të paraqiten në mbledhje të KQZ-së.

Siç ka theksuar ai, këto rekomandimet do të bëhen gati gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar.

Elezi gjithashtu ka njoftuar se lidhur me përgjigjen e Këshilli Gyqësor i Kosovës, do të njoftohen subjektet politike, secila prej tyre, në mënyrë që të mund të bëjnë plotësimin e listës me kandidatë të tjerë, në rast se ndonjë kandidat nuk i ka plotësuar kriteret ligjore.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, më herët ka shkruar në rrjetin social Facebook se Albin Kurti “gëzon mbështetje shumë të madhe qytetare” dhe “ prandaj qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar për tendencat e qëllimshme për largimin nga lista të Albinit”.

Zyrtarët e KQZ-së kanë sqaruar se ka sqaruar se në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk ceritfikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe se çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme, nëse pala mund të jetë e paknaqur me vendimin e PZAP-it.

Siç kanë sqaruar ata, periudha e ankesave dhe vendimit, do të përbyllet më 31 janar, ndërkaq më 1 shkurt do të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.

Çështja e kandidimit të Kurtit në zgjedhjet e ardhshme është aktualizuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin lidhur me zgjedhjen jokushtetuese të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti, për shkak të votës së Etem Arifit.

Arifi, kur ka votuar për Qeverinë e Hotit, ka qënë i dënuar me vendim të formës së prerë - prej më shumë se një viti burgim - për veprën penale "mashtrim me subvencione".

Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.

Kushtetuesja e ka rrëzuar Qeverinë Hoti duke thënë se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, "nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG