Ndërlidhjet

Data e zgjedhjeve, pas aktgjykimit të plotë të Kushtetueses


Flamuri i Kosovës i vendosur në ndërtesën e kuvendit, aty ku është e vendosur edhe Presidenca e Kosovës.
Flamuri i Kosovës i vendosur në ndërtesën e kuvendit, aty ku është e vendosur edhe Presidenca e Kosovës.

Sapo palët të marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë e Kosovës, do të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, tha ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Palët në këtë rast janë Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës dhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Osmani, për dy ditë me radhë, takoi përfaqësuesit e partive politike, të përfaqësuara në kuvend, me të cilët bisedoi për datën e zgjedhjeve.

Partitë kanë përmendur fundin e muajit janar dhe fillimin e shkurtit të vitit 2021, si periudha të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit, që tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u zgjodh në mënyrë jokushtetuese.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim. Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.

Rrjedhimisht, gjykata konstatoi se “presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre".

Të mërkurën, përfaqësuesi i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala kërkoi që data e zgjedhjeve të caktohet pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Qeverinë e Kosovës.

“Në të gjitha parashikimet, fillimi i shkurtit do të ishte data ideale për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme për Parlamentin e Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ai shtoi se organet e partisë janë duke diskutuar lidhur me formën se si do të garojnë në zgjedhjet e reja.

“Qëndrimi i udhëheqjes së shumicës së Nismës është që Nisma të garojë e vetme në zgjedhje, por pas caktimit të datës së zgjedhjeve, atëherë organet drejtuese të Nismës do të vendosin edhe për mundësinë e ndonjë koalicioni edhe me ndonjë subjekt tjetër politik”, u shpreh Shala.

Osmani ka pritur në takim edhe përfaqësuesin e Aleancës Kosova e Re, Jetlir Zyberaj, i cili tha se ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë “në mënyrë që edhe krizat e mundshme kushtetuese të evitohen”.

“Unë besoj se pas marrjes së aktgjykimit, besoj në dy ditët e ardhshme do të caktohet një datë në fund të janarit apo fillim të shkurtit”, tha Zyberaj.

Opsioni më i mundshëm për AKR-në, sipas Zyberajt, është që në zgjedhjet e ardhshme të garojë si pjesë e një koalicioni “me një nga partitë më të mëdha”.

Përfaqësuesit e partive joserbe, që bëjnë pjesë në koalicionin e quajtur Grupi 6+, pas takimit me Osmanin, thanë se janë të gatshëm për zgjedhje, kurdo që të mbahen ato.

"Edhe ne jemi pajtuar dhe jemi darkorduar që kur të caktohet data e zgjedhjeve, jemi të gatshëm të garojmë, të hyjmë në garë", tha Fikrim Damka dhe shtoi se ata nuk do të bëhen pjesë e koalicioneve parazgjedhore, pasi si komunitete joshumicë, i kanë të garantuara vendet në kuvend.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, pas takimit konsultativ me Osmanin, tha se shpreson që me Lëvizjen Vetëvendosje të arrijë marrëveshje koalicioni parazgjedhor.

"Bashkëpunimin që e kemi filluar me Lëvizjen Vetëvendosje, besoj do ta padyshim do ta vazhdojmë edhe në zgjedhjet e radhës. Kësaj here, uroj në një marrëveshje zyrtare në mes të subjekteve jo të individëve, do të thotë jo unë si kandidate për deputete dhe një përfaqësues tjetër i Alternativës, por si subjekte politike, por të cilat e kanë synimin dhe qëllimin e përbashkët për ndryshime pozitive", tha Kusari-Lila.

Të mërkurën, Osmani u takua edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Dita e parë e konsultimeve

Të martën, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas takimeve të ndara që patën me Osmanin, kërkuan që data e zgjedhjeve të caktohet shpejtë, pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti tha se në takim nuk kanë folur për një datë të zgjedhjeve, por se partia e tij kërkon që ato të mbahen sa më shpejt.

“Ne na duhet, që ta marrim njëherë aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe varet nga data kur ne na vije ai aktgjykim i plotë, si palë që jemi në këtë çështje, e cila tashmë është zgjidhur, por nuk e ka përgjigjen e plotë që të jetë aktgjykim i plotfuqishëm dhe pas kësaj do të mund të shpallet data e zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së presidentit, në një hark të caktuar kohor, siç e parasheh Kushtetuta”, u shpreh Kurti.

Nga LDK-ja, Arban Abrashi tha se ka përmendur 7 shkurtin si datë të mundshme të zgjedhjeve. Ai po ashtu ka kërkuar që para se të mbahen zgjedhjet, kuvendi të votojë buxhetin për vitin 2021.

“Gjithsesi ky është takim preliminar dhe besoj që në takimet pas aktgjykimit të plotë e caktojmë edhe më saktë datën”, tha Abrashi pas takimit me Osmanin.

Memli Krasniqi nga PDK-ja, e ka cilësuar si kohë të përshtatshme fundin e muajit janar për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Presim që sa më parë Gjykata Kushtetuese të publikojë aktgjykimin e plotë, në mënyrë që ai të jetë i plotfuqishëm dhe besojmë që është e domosdoshme që të mos humbet kohë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga AAK-ja ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje dhe se ato duhet të mbahen sa më shpejt.

Hoti: Do të respektoj vendimin e Kushtetueses

Kryeministri, tashmë në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, të martën deklaroi se do ta respektojë pa asnjë diskutim vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

"Tash është obligim kushtetues që të përfillim procedurat për shpalljen e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues", tha Hoti në një konferencë për media të martën.

"Do të jemi në krye të detyrës për t'u marrë me obligimet që i kemi karshi qytetarëve të vendit, sidomos me menaxhimin e situatës me pandeminë, për të cilën kemi treguar rezultate të mira", u shpreh ai.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria Hoti mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG