Ndërlidhjet

LVV: Vendimi i Kushtetueses nuk ia ndalon Kurtit të garojë në zgjedhje


Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, lidhur me ndalimin e personave të dënuar që të marrin pjesë në zgjedhje, nuk do të ketë ndikim te kandidimi në zgjedhje i liderit t kësaj partie, Albin Kurtit dhe anëtares së kryesisë, Albulena Haxhiut.

Në vendimin e 21 dhjetorit, Kushtetuesja tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, pasi për të kishte votuar Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një dënim të shkallës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Ai është i dënuar me një vit e tre muaj burgim.

Kushtetuesja argumentoi se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, "nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës".

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht pika 2 të këtij aktgjykimi ka ndërlidhur nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme me nenin 70.3 të Kushtetutës së Republikës, pra me rastet e dënuara me një vit e më shumë burgim. Në rastin tonë, përkatësisht në rastin e z.Kurti dhe znj.Haxhiu, ata nuk kanë pasur dënime me burgim, por dënime me kusht, dhe dënimet me kusht nuk kanë efekte juridike, respektivisht pasoja juridike. Prandaj kryetari Kurti dhe anëtarja jonë e kryesisë, znj. Haxhiu nuk kanë asnjë ndalesë për të qenë pjesë e garës zgjedhore”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu.

Më 2018, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit.

Ndërkaq, Ehat Miftaraj e ka konsideruar si “hile të madhe” pjesën e vendimit të Kushtetuteses, ku thuhet se personave të dënuar brenda 3 vjetësh, u ndalohet kandidimi në zgjedhje.

“Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e shumë tjerë të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhjet që do mbahen në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG