Ndërlidhjet

Konsultat për datën e zgjedhjeve vazhdojnë të mërkurën


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë takimit konsultativ me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani. Prishtinë, 22 dhjetor, 2020.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë takimit konsultativ me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani. Prishtinë, 22 dhjetor, 2020.

Data e mbajtjes së zgjedhjeve do të mund të caktohet pasi që Gjykata Kushtetuese del me aktgjykimin e plotë mbi votimin e Qeverisë së Kosovës më 3 qershor.

Kjo është thënë gjatë takimeve të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani me përfaqësuesit e katër partive politike, që u zhvilluan të martën.

Konsultimet do të vazhdojnë edhe gjatë të mërkurës me partitë e tjera të përfaqësuara në kuvend.

Të mërkurën, Osmani do të takohet me përfaqësuesit e koalicionit Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, të Grupit 6+ dhe me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor vendosi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim. Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.

Rrjedhimisht, gjykata konstatoi se “presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre".

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe se do ta respektojë atë pa asnjë diskutim.

"Tash është obligim kushtetues që të përfillim procedurat për shpalljen e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues", tha Hoti në një konferencë për media të martën.

"Do të jemi në krye të detyrës për t'u marrë me obligimet që i kemi karshi qytetarëve të vendit, sidomos me menaxhimin e situatës me pandeminë, për të cilën kemi treguar rezultate të mira", u shpreh ai.

I pyetur për kandidatin për kryeministër nga LDK-ja, Hoti tha se brenda partisë ende nuk është diskutuar për këtë temë.

Hoti po ashtu i bëri thirrje kuvendit që të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti për vitin 2021 dhe tha se ka kërkuar nga grupet parlamentare që gjatë ditës të organizojnë një seancë të veçantë për këtë çështje. Ai tha se ka një disponim të mirë, që të kryhet çështja e buxhetit.

Partitë me data për zgjedhje

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me Osmanin, deklaroi se data e zgjedhjeve të reja duhet të caktohet pasi kjo parti, të pranojë aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Qeverinë e Kosovës.

“Ne na duhet, që ta marrim njëherë aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe varet nga data kur ne na vije ai aktgjykim i plotë, si palë që jemi në këtë çështje, e cila tashmë është zgjidhur, por nuk e ka përgjigjen e plotë që të jetë aktgjykim i plotfuqishëm dhe pas kësaj do të mund të shpallet data e zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së presidentit, në një hark të caktuar kohor, siç e parasheh Kushtetuta”, tha Kurti.

Më herët gjatë së martës, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se ky subjekt politik nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni të mundshëm me një subjekt ose iniciativë që mund ta udhëheqë Vjosa Osmani, aktualisht ushtruese e detyrës së presidentit dhe kryeparlamentare.

Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, pasi u takua me Osmanin, tha se subjekti i tij politik është i gatshëm për zgjedhje. Në këtë takim, Abrashi ka përmendur 7 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

Por, para se të mbahen zgjedhjet, LDK-ja ka kërkuar që të votohet buxheti për vitin 2021.

“Gjithsesi ky është takim preliminar dhe besoj që në takimet pas aktgjykimit të plotë e caktojmë edhe më saktë datën”, tha Abrashi pas takimit.

Abrashi po ashtu tha se në parti ende nuk ka diskutuar për mënyrën se si do të marrë pjesë në zgjedhje, por tha se “orientimet janë që të shkojmë vet në zgjedhje”.

Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se fundi i muajit janar, të vitit 2021, do të ishte periudhë e përshtatshme që të mbaheshin zgjedhjet e reja parlamentare.

“Presim që sa më parë Gjykata Kushtetuese të publikojë aktgjykimin e plotë, në mënyrë që ai të jetë i plotfuqishëm dhe besojmë që është e domosdoshme që të mos humbet kohë”, tha Krasniqi, pas takimit me Osmanin.

Krasniqi po ashtu tha se nuk e di nëse partia e tij do të garojë e vetme apo do të ketë koalicion me ndonjë parti.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, në një konferencë për media, të mbajtur të martën, tha se Kosovës, si kurrë më parë, i duhet qartësi, vullnet e guxim në vendimmarrje, “për të këndellur ekonominë, ri-vendosur marrëdhëniet me miqtë dhe nxjerrë nga izolimi shtetin më të ri”.

Osmani, të martën u takua edhe me përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, të mërkurën janë paralajmëruar takimet me subjektet e tjera politike.

Nënkryetar i AAK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar në një konferencë për media se Aleanca është e gatshme për zgjedhje.

“Është një situatë jo e lehtë për shkak të pandemisë, prandaj duhet të kemi kujdes edhe partitë politike duke e vlerësuar edhe mendimin e Institutit të Shëndetësisë, prandaj në këto zgjedhje të jashtëzakonshme shkojmë të përgatitur për të qeverisur dhe për të udhëhequr vendin”, tha Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së.

Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, u bëri thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Përveç qeverisë në detyrë, Kosova aktualisht është edhe me ushtrues detyre të presidentit, pasi më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ashtu siç thuhet në kushtetutë, po e ushtron këtë post dhe këtë gjë mund ta bëjë për një periudhë gjashtëmujore nga data e marrjes së detyrës më 5 nëntor.

Osmani tashmë veç ka paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një listë të re, kjo pasi LDK-ja, në muajin qershor, e shkarkoi atë nga posti i nënkryetares së partisë dhe nga funksionet e tjera partiake, duke argumentuar se Osmani ka shkelur statusin e partisë kur është shprehur kundër Qeverisë Hoti.

Deri më tani, postin e presidentit e ka synuar Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, gjë për të cilën nuk gjeti përkrahjen e partneres së koalicionit, LDK-së. Edhe pas vendimit të Kushtetueses për qeverinë, nga AAK-ja thanë se Haradinaj mbetet kandidati i tyre për president.

Po ashtu, PDK-ja tha se për president voton vetëm kandidatin që e propozon vetë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG