Ndërlidhjet

PDK: Fundi i janarit, kohë e përshtatshme për zgjedhjet


Logo e Partisë Demokratike të Kosovës
Logo e Partisë Demokratike të Kosovës

Memli Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se fundi i muajit janar të vitit 2021 do të ishte periudhë e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Krasniqi i bëri komentet pas takimit konsultativ me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Krasniqi tha se në këtë takim shprehu qëndrimin e partisë së tij, që data e zgjedhjeve të caktohet sa më parë.

“Besojmë se fundi i janarit është datë e përshtatshme. Presim që Gjykata Kushtetuese, sa më parë, të publikojë aktgjykimin e plotë, në mënyrë që ai të jetë i plotfuqishëm. Dhe, besojmë se është e domosdoshme që të mos humbet kohë”, tha Krasniqi.

Osmani nisi konsultimet me partitë politike të martën, vetëm një ditë pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Kjo, për shkak të votës së deputetit Etem Arifi, i cili, më 3 qershor, votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë prej një viti e tre muajsh burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.

Krasniqi u pyet nga gazetarët nëse PDK-ja do të shkojë e vetme në zgjedhje apo do të garojë së bashku me ndonjë parti, por ai tha se për këtë temë nuk mund të japë përgjigje, pasi konfirmoi se brenda partisë së tij janë duke u zhvilluar bisedime.

Megjithatë, Krasniqi kujtoi se PDK-ja, në të kaluarën, ka pasur në listë parti të vogla, që tradicionalisht i ka pasur partnerë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG