Ndërlidhjet

A do të fillojë Kosova mjekimin e pacientëve me gjakun e të shëruarve nga COVID-19?


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Kosova ka një muaj që po e shqyrton mundësinë e trajtimit të pacientëve të infektuar me koronavirus, me plazmën e gjakut të personave që tashmë e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, që e shkakton ky virus. Megjithatë, profesionistët shëndetësorë po presin që Ministria e Shëndetësisë t’i kalojë procedurat administrative, në mënyrë që kjo metodë të mund të zbatohet.

Personat që shërohen nga COVID-19 krijojnë antitrupa në gjakun e tyre kundër virusit. Këto antitrupa gjenden në plazmën e gjakut (plazma konvulsive), e cila mund të përdoret te një person i infektuar. Transfuzioni i këtyre antitrupave, krijon atë që njihet si imuniteti pasiv te të sëmurit nga COVID-19.

Kjo metodë nuk është e re për mjekësinë dhe është përdorur për trajtimin e të prekurve nga pandemia e Gripit Spanjoll në vitin 1918. Por, një trajtim i tillë – me plazmën e gjakut të pacientëve të shëruar – nuk është konfirmuar se funksionon edhe te të infektuarit me koronavirusin e ri dhe kjo metodë është ende në fazën hulumtuese.

Megjithatë, studiuesit dhe bashkëpunëtorët e Klinikës prestigjioze amerikane Mayo, në qershor kanë gjetur që plazma e të shëruarit është e sigurt për përdorim te pacientët me COVID-19, dhe se ka të ngjarë të zvogëlojë vdekshmërinë nga koronavirusi. Ky studim është bërë te 20 mijë pacientët të cilët e kanë pranuar plazmën.

Megjithatë, disa shtete tash veç kanë filluar aplikimin e kësaj metode. Në Shtetet e Bashkuara përdoret për hulumtim, por kjo metoda përdoret edhe në Turqi, edhe në rajon. Këtë metodë po e zbaton Serbia dhe është paralajmëruar se do të nisë së zbatuari edhe në Kroaci.

Agjencia e lajmeve, Reuters më 9 korrik raportoi se edhe Bashkimi Evropian dëshiron të sigurojë fonde të shpejta për të trajtuar pacientët me COVID-19 me plazmën e gjakut, të marrë nga të shëruarit. Kjo po shihet si një sinjal që në bllokun evropian po rritet besimi ndaj këtij trajtimi eksperimental.

Mundësitë e Kosovës

Infektologu Sali Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë se pacientët që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, konsiderohen si persona që në gjakun e tyre kanë antitrupa të sëmundjes.

Ai thotë se shërimi me plazmën e gjakut, si metodë është e aplikueshme dhe bëhet nga infektologët, por që për një gjë të tillë, janë duke pritur për procedurat administrative nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ne, si metodë të hulumtimit ka kohë që e kemi marrë parasysh dhe kemi shikuar mundësitë tona rreth aplikimit të trajtimit. Kemi kontaktuar edhe me transfuzionin e gjakut, meqë procedurat për ndarjen e gjakut nga plazma kryhen në transfuzion. Gjithashtu kemi përgatitur një draft-propozim që është dërguar në komitetin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për të vazhduar më tutje për të kaluar procedurat administrative deri në Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Ahmeti.

A mund të jetë gjaku i të shëruarve ilaç për pacientët me COVID-19?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:53 0:00

Ai thotë se ndarja e gjakut nga plazma bëhet në transfuzionin e gjakut. Kjo metodë e trajtimit përmes plazmës është aplikuar në vazhdimësi për shumë sëmundje brenda Klinikës Infektive të QKUK-së.

Ndërkaq sa i përket personave të shëruar nga COVID-19, infektologu Ahmeti thotë se në këtë rast bëhet fjalë për disa specifika më të veçanta.

Sipas tij, si pikë e parë, dhënia e gjakut nga personat e shëruar nga COVID-19, duhet bëhet në mënyrë vullnetare.

"Trajtimi nuk është risi, ky aplikohet te shumë sëmundje tjera prej më shumë se 100 vjetësh. Por, për COVID-19, bëhet fjalë për një plazmë më specifike. Plazma është një produkt i gjakut, e që me procedura të veçanta ndahet nga gjaku një ekstrakt i tij. Plazma e një personi që e ka kaluar sëmundjen, ka antitrupa të gatshëm të cilët kur ia jepni një personi që është i prekur me sëmundjen e COVID-19, ata (antitrupat) do të aktivizohen në mënyrë të menjëhershëm në luftën kundër virusit. Indikacionet për përdorimin e saj dhe kohën kur duhet të injektohet gjaku, vendosin infektologët, ndërkaq anën teknike e kryejnë në transfuzionin e gjakut”, thotë Ahmeti.

Bukurie Raca, drejtoreshë e transfuzionit të gjakut, i tha Radios Evropa e Lirë se janë duke e shqyrtuar mundësinë e trajtimit të pacientëve me COVID-19, me plazmën e gjakut nga të shëruarit e kësaj sëmundjeje, ndonëse aktualisht kjo metodë e trajtimit ende nuk është duke u aplikuar.

“Me plazmën e gjakut tashmë kanë filluar të trajtohen pacientët në një numër të vogël të shteteve. Sipas informacioneve që ne i kemi , Kroacia nuk ka filluar ende, Maqedonia (e Veriut) po e bën, derisa sa i përket Kosovës , jemi në formulim të rregullave dhe rekomandimeve për trajtim me plazmën. Por, ende nuk kemi diçka konkrete. Në momentin që do të kemi diçka konkrete do ta bëjmë publike. Jemi duke punuar në këtë drejtim", tha ajo.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë bëri të ditur se tashmë ka pasur diskutime të kësaj fushe specifike, por në Kosovë aktualisht pacientët po vazhdojnë të trajtohen me terapi mbështetëse sikurse që janë duke i përdorur edhe në shtetet tjera.

Në Kosovë, trajtimi për personat e infektuar me koronavirus përfshinë dhënien e vitaminave të ndryshme, trajtimi me okigjenoterapi dhe me ilaçe antipiretike dhe analgjetike.

Sa i përket trajtimit me plazmën e gjakut, ai tha se aktualisht janë duke e shqyrtuar këtë mundësi.

“Në këtë fazë Kosova po hulumton mundësitë që të sigurojë terapi të reja që janë rekomanduar për përdorim. Në fazat e mëtejme nuk përjashtohet asnjë lloj i mjekimit i cili në ndonjë shtet tregohet i suksesshëm. Thjesht po përcillen rekomandimet që i jep edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Në nivel të shërbimeve klinike do të përcillen trendet që janë në rajon dhe më gjerë, në mënyrë që Kosova të mos e humbë hapin, qoftë në trajtimin terapeutik apo në forma të tjera të COVID-19”, tha Hoti.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve në Kosovë nga koronavirusi, deri më 13 korrik është 2,370 persona, kurse 2,640 raste vazhdojnë të jenë aktive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG