Ndërlidhjet

Në spitale private në Kosovë do të bëhen vetëm teste serologjike për COVID-19


Ilustrim
Ilustrim

Institucionet private shëndetësore në Kosovë nuk do të kryejnë testime virologjike, apo testimin me metodën PCR për koronavirus. Kjo metodë e testimit përcakton saktë se a ekziston virusi në trup dhe bazohet në analizën e mostrave të strishos në hundë dhe aktualisht bëhet vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Njëra nga masat e reja të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e pandemisë COVID-19 është pikërisht “licencimi i institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID-19, është në përputhje me ligjet në fuqi”.

Por, sipas Faik Hotit, zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, klinikat private do të mund të bëjnë vetëm teste serologjike. Testet serologjike, janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut.

Hoti thotë se rritja e shkallës së mbulueshmërisë së popullatës me testime për COVID-19 është objektiv strategjik i një drafti të planveprimit të grupit punues i themeluar nga kjo ministri së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, (IKSHPK), e këtu përfshihen edhe institucionet private shëndetësore

‘’Si objektiva specifike janë aplikimi i testeve virologjike, serologjike dhe në kuadër të tyre edhe ato rapide. Sa i përket aplikimit të testeve virologjike është paraparë që procesi i testimeve të decentralizohet dhe përpos IKSHPK-së, teste të kryejnë edhe qendrat rajonale të shëndetit publik që janë nën autoritetin e IKSHPK-së.

"Ndërkaq për testet serologjike mendohet të kryhen krahas IKSHPK-së dhe qendrave rajonale edhe në qendra të mjekësisë familjare, por edhe në spitale private shëndetësore, me kushtin që ato do të licencohen me kriteret do t'i përcaktojë Ministria e Shëndetësisë. Me lejimin e testimeve në sektorin privat do të mbikëqyren nga IKSHP-ja si institucion i vetëm që kryen teste valide për COVID-19’’, tha Hoti.

Valon Sopa, udhëheqës i laboratorit privat ‘’Analiza’’ në Prishtinë, i tha Radios Evropa e Lirë se janë të gatshëm të nisin të bëjnë teste serologjike. Por, ai thotë se ende nuk kanë marrë ndonjë lajm se mund të aplikojnë për licencim në Ministrinë e Shëndetësisë.

‘’Ne e kemi aparaturën që bëjmë analiza të ndryshme. I kemi dy aparate, pra nga dy prodhues të ndryshëm. Që të dy kompanitë, na kanë ofruar teste serologjike për COVID-19".

"Testet serologjike bëhen me gjak, dhe kontrollohet imuniteti ose antitrupat nga COVID-19. Pra, më shumë është për të parë nëse personi ka pasur kontakt me person të infektuar dhe ka zhvilluar infeksion. Ndërkaq, ne nuk kemi aparaturë e as staf të përgatitur të bëjmë teste me strisho, siç i bën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike", tha Sopa.

Testime të pamjaftueshme?

Ndërkohë, prej fillimit të pandemisë në Kosovë është cilësuar se nuk po bëhen teste të mjaftueshme për COVID-19.

Maksimumi i testeve që janë bërë brenda një dite në IKSHPK, ka qenë rreth 400.

Ndërkaq, mikrobiologu Lul Raka duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se rritja e numrit të rasteve në javët e fundit ka shtuar kërkesat për testim përtej kapaciteteve ekzistuese në IKSHPK.

Ai tha se nëse merret në konsideratë se për çdo rast pozitiv ka mesatarisht 36 persona të kontaktit dhe të gjithë ata dëshirojnë të testohen, i bie që në 100 raste të konfirmuara, kërkesat ditore për testim të jenë afër 3.600 teste në ditë.

Andaj, siç thotë ai, kjo ka shtyrë IKSHPK-në, që varësisht sipas stokut, testimi të bëhet sipas radhës së prioriteteve duke u fokusuar në personat simptomatikë, grupet e rrezikuara dhe punëtorët shëndetësorë. Raka megjithatë mendon se bërja e testeve ne institucione private shëndetësore do t’ju ofronte mundësinë qytetarëve që kërkojnë ta dinë statusin e vet shëndetësor me COVID-19 qoftë aktual (me testimin PCR) apo të kaluar (me teste serologjike).

“Në këtë kategori do të mund të testoheshin personat që kanë kërkesa për udhëtim në pushime verore (siç ka pasur kërkesa për Mal të Zi), kërkesat e bashkatdhetarëve për rikthim në shtetet ku jetojnë apo testimet pa asnjë indikacion klinik. Në sektorin privat, duke i testuar personat që nuk kanë simptoma, do të mund të zbuloheshin edhe personat pozitivë asimptomatikë, të cilët luajnë rol të rëndësishëm në përhapjen e sëmundjes. Prandaj, në këto raste diagnostika do të ndihmonte në gjurmim të rasteve dhe parandalimin e sëmundjes’’, tha Raka.

Infektologu Sali Ahmeti, duke e parë fluksin e madh të pacientëve të infektuar në Klinikën Infektive, tha se shtimi i numrit të çfarëdo testi, do ta ndërpriste rritjen e infeksionit, dhe sigurisht se do të ishte ndihmë për klinikën infektive, duke e marrë parasysh gjendjen aktuale, e që klinika është e ngarkuar me të sëmurë.

‘’Ne jemi koncentruar në menaxhimin e personave që kanë simptoma, pra në trajtimin e tyre. Por, shtimi i numrit të testeve do të ndihmonte pasi gjithë personat e kontaktit të testohen do të ndërpriste rritjen e numrit të të infektuarve’’, tha Ahmeti.

Sidoqoftë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri në fund të këtij viti është menduar që Kosova t'i ketë 100 mijë teste virologjike dhe dyfishin e testeve serologjike, me të cilat do të testohet popullata në mënyrë që të diagnostikohet COVID-19, por edhe të shihet shkalla e imunitetit të fituar të popullatës të cilët nuk janë diagnostikuar asnjëherë me koronavirus.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG