Dhomat e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë bërë si shtëpi e dytë për shumë mjekë kosovarë që po shërojnë të sëmurët me koronavirus, të cilët vijnë me shpresën për të mos qëndruar gjatë në spital. Por, jo të gjithë kthehen në shtëpitë e tyre.
Dëshira e vetme e tyre është që çdo mëngjes të marrin frymë më lirshëm, pa ndihmën e pajisjeve për oksigjen që i kanë afër shtratit.
“Pa oksigjen (nga pajisja) po kam frikë që s’mundem të marr frymë”, tregon një grua mbi 60 vjeçe.
Gjendja e pacientëve është e rëndë, sidomos e atyre më të moshuar. Familjarë të tyre nuk lejohen të hynë brenda.
“Unë i kam këtu prindërit. Që të dy janë infektuar. Baba ka qenë më keq, nuk ka mundur të marrë frymë”, tregon njëri nga familjarët.
Terapia të sëmurëve u jepet nga ballkonet e dhomave. E shumë afër ballkoneve të ndërtesës me tre kate të Klinikës Infektive, qëndrojnë familjarët e të sëmurëve, të cilët shpresojnë për lajme të mira.
Në disa klinika, ku janë të shpërndarë pacientët me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, familjarët janë lejuar të hynë te të afërmit e tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë kjo është palejueshme dhe një gjë e tillë mund ta shpërndajë edhe më shumë virusin.
Më shumë se 100 pacientë janë të shtrirë në këtë klinikë. Përveç Klinikës Infektive, pacientë ka edhe në Klinikën e Pulmologjisë, si dhe në Mjekësinë Sportive, ku aktualisht janë të shtrirë pacientët me gjendje më të rëndë.
Të shtruar ka edhe në spitalet rajonale. Në gjithë Kosovën janë mbi 300 pacientë të hospitalizuar.
“Asnjëherë nuk po zbret numri i pacientëve nën 100 (në Klinikën Infektive)”, tregon infektologu Murat Mehmeti, i cili kryen vizitat çdo ditë në orët e paradites në Repartin A të Klinikës Infektive. Zakonisht në këtë vend trajtohen pacientët me HIV-AIDS.
Ai thotë se edhe nëse lëshohet një pacient, menjëherë vjen pacienti tjetër.
Një ndër mjekët më të vjetër të kësaj klinike është Infektologu Salih Ahmeti. Ai ka kaluar disa pandemi, të cilat ishin prezentë në Kosovë që nga viti 1980. Ahmeti ka më shumë se tre muaj që është duke punuar pa orar.
“Këta muaj, gjumë nuk i kam bërë më shumë se 3 ose 4 orë në ditë”, rrëfen Ahmeti duke treguar sa e vështirë është përballja me këtë sëmundje.
Mjekët dhe infermierët, që kanë harruar kur i kanë përqafuar fëmijët e tyre, veshin disa herë në ditë veshjet e bardha, që të mbrohen nga infektimi.
Të gjithë ata që hynë brenda në dhomat ku janë pacientët duhet të veshin këto veshje, të cilat krijojnë shumë nxehtësi në këtë kohë vere. Pastaj, ata vendosin maska me të cilën mbulohen goja dhe hunda, si dhe mburoja që vendoset mbi maskë për të mbrojtur sytë dhe pjesët tjera të fytyrës. Po ashtu, vendosen nga dy mbulesa të najlonit mbi këpucë, që të jenë sa më pak të ekspozuar karshi infektimit.
Nga infektimi nuk kanë shpëtuar as punëtorët shëndetësorë. Mbi 350 mjekë dhe infermierë në të gjithë Kosovë janë infektuar me koronavirus.
Numri i të vdekurve dhe të infektuarve me koronavirus, është rritur që nga fillimi i muajit qershor, kur edhe u liruan masat kufizuese për qytetarët dhe ekonomitë.
Më datën 9 korrik, vdiqën tetë pacientë me COVID-19, që ishin të shtrirë në Klinikën Infektive.
Që nga muaji mars kur u paraqitën rastet e para me koronavirus, në Kosovë janë regjistruar mbi 4 mijë e 700 raste. 102 pacientë tashmë kanë vdekur dhe mbi 2 mijë janë shëruar.
Pas rritjes së këtyre shifrave, Qeveria e Kosovës ka bërë ashpërsimin e masave dhe mbikëqyrje rigoroze në vend të vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme.