Ndërlidhjet

Kushtetuesja pajtohet me dekretin e Thaçit


Hashim Thaçi, foto nga arkivi
Hashim Thaçi, foto nga arkivi

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj në qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

"Gjykata vendosi që dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të kuvendit ndaj qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës", thuhet në vendim.

Gjykata ka sqaruar se kur një qeveri nuk i mbijeton një mocioni mosbesimi në kuvend dhe nëse partia fituese e zgjedhjeve dështon të mandatojë një kandidatë për kryeministër, atëherë kjo e drejtë i kalon një partie tjetër.

"Në të gjitha rastet kur dorëheqja e kryeministrit apo mbetja e postit përkatës i lirë për arsye tjera, ka rezultuar në rënien e qeverisë edhe kur dorëheqja e qeverisë është rezultat i një mocioni të suksesshëm mosbesimi, me kushtin që pas këtij mocioni nuk ka pasuar shpërndarja e kuvendit sipas parimeve të sqaruara më lart, aktivizohet paragrafi 5 i nenit 95 të Kushtetutës, i cili detyron presidentin për të mandatuar kandidatin e ri për kryeministër".

"Partia politike ose koalicioni i cili e ka të drejtën e parë të propozimit të mandatarit për kryeministër dhe formimit të qeverisë është sërish partia politike ose koalicioni fitues. Për formimin e kësaj qeverie duhet të ndiqet procedura e përcaktuar përmes paragrafit 2 dhe 3 të nenit 95 të Kushtetutës, ndërsa, dështimi i marrjes së votave të nevojshme në kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë", thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Pas vendimit të publikuar nga Kushtetuesja, presidenti Thaçi u bëri thirrje partive politike që ta respektojnë këtë vendim dhe kërkoi që sa më shpejt të formohet një qeveri e re.

“Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

I mandatuari për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk gjeti shkelje, sa i përket procedurës së mandatimit të tij për këtë post, nga ana e presidentit, Thaçi.

“Është koha të bashkohemi për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë. Askush nuk ka humbur. Rimëkëmbja e mirëbesimit në mes nesh dhe respektimi i rendit institucional është detyrë dhe obligim yni i përbashkët”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërkaq, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, u shpreh se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon.

“Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi, por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK-ja që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Vendim skandaloz e ka quajtur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit", ka thënë Haxhiu, e cila aktualisht është ministre në detyrë e Drejtësisë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se Kosova sa më shpejtë duhet të formojë ekzekutivin e ri.

Ndërkaq, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate ka thënë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, do të kontribuojë në evitimin e ngërçeve institucionale në të ardhmen.

Pas vendimit të Kushtetueses, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bën thirrje institucioneve dhe partive në vend, që të respektojnë këtë vendim.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë që të pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një komunikate për media, Grenell u shpreh se mezi pret që të punojë me Qeverinë e Kosovës.

Richard Grenell. Foto nga arkivi.
Richard Grenell. Foto nga arkivi.


“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të garantuar paqen dhe stabilitetin – dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës – të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe vende pune në rajon”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Richard Grenell.

Ky vendim i Kushtetueses vjen pasi më 30 prill, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Atëbotë, Thaçi tha se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë e saj kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, partisë së dytë të dalë në zgjedhjet e tetorit.

Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar nga ky institucion vlerësim mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Thaçit për Hotin.

Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, partnerja e koalicionit, LDK-ja, nisi bisedimet për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.

LDK-ja madje ka përpiluar programin qeverisës dhe e ka bërë publik atë para Grupit të saj Parlamentar, edhe para se Gjykata Kushtetuese të vendoste rreth çështjes së formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti ka insistuar në mbajtjen e zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

Presioni mbi Gjykatën Kushtetuese

Që nga dita kur u rrëzua qeveria, u ashpërsua gjuha politike në Kosovë, kryesisht mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Derisa pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së, shpeshherë ashpërsimi i gjuhës dhe kundërshtimeve u interpretua si presion mbi Gjykatën Kushtetuese.

Më 19 maj përmes një reagimi, Gjykata Kushtetuese tha se diskursi publik kërcënues i përdorur nga presidenti dhe kryeministri në detyrë ka për qëllim ndikimin apo paragjykimin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re.

“Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politikë dhe institucionalë për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, u tha në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 28 maj, Vetëvendosje mbajti në tubim, që e cilësoi si "provë për protestë" gjatë pandemisë së koronavirusit dhe mbështetësit e kësaj partie bën thirrje për zgjedhje të reja.

Vetëvendosje bën “prova” për protesta
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00

Çka ndodhi me qeverinë?

Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve pas shumë javësh negociata arriti marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës në fillim të muajit shkurt.

Por, koalicioni mes këtyre dy subjekteve politike zgjati vetëm 45 ditë.

Që nga ditët e para të bashkëqeverisjes u shfaqën mospajtime.

Heqja e tarifës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, e që ishte kërkesë amerikane, ndau në dysh koalicionin qeverisës.

Vendimi final për tërheqje të LDK-së nga koalicioni me Vetëvendosjen u morr pasi kryeministri Albin Kurti, shkarkoi nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliun, një prej figurave kyçe të LDK-së.

Pas këtij vendimi, LDK-ja mblodhi nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të votohej mocion mosbesimi për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Më 25 mars, me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës rrëzoi Qeverinë Kurti.

Që nga ajo ditë, Kosova udhëhiqet nga një qeveri në detyrë, në kuadër të së cilës, vazhdojnë punën edhe ministrat e LDK-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG