Refuzimi i kërkesës së Gjykatës Penale për t’i hequr imunitetin deputetit të VMRO DPMNE-së, Trajko Veljanovski, sipas njohësve të çështjeve juridike, dëshmon se politika vështirë e ka të heqë dorë nga ndikimet në Gjyqësor.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, nuk e ka hedhur në votim kërkesën e Gjykatës për ta çuar në paraburgim ish- kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, me arsyetimin se nuk kishte konkluzion nga Komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit, por edhe seanca e këtij komisioni është vlerësuar si e orkestruar pasi një anëtar i tij nga radhët e BDI-së, në momentin e votimit ishte larguar nga seanca për arsye shëndetësore.
Temelko Ristevski, profesor i së Drejtës Kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se rasti me Veljanovskin është precedentë që mund të përsëritet edhe në raste tjera, andaj edhe kërkon përgjegjësi para së gjithash nga institucionet, të cilat nuk duhet të vihen në mbrojtje të atyre personave që dyshohen për vepra të rënda penale.
“Ai i cili ka bërë ndonjë vepër apo që ekzistojnë indikacione se ka bërë ndonjë vepër duhet të përgjigjet para organeve kompetente dhe këtë duhet ta mundësojnë të gjitha institucionet e tjera nëse kërkohet prej tyre një gjë e tillë, siç ishte rasti me ish-kryeparlamentarin Veljanovski. Se a do të gjykohet kjo u takon organeve të drejtësisë të vendosin, por Kuvendi duhej të vendoste apo të pranonte kërkesën e gjykatës”.
“Mendoj se këtu bëhet fjalë për lojëra politike të subjekteve të caktuara partiake, që për fat të keq nuk janë në përputhje me sundimin e së drejtës, me Kushtetutën dhe ligjet. Politika është ajo që duhet të respektoj[ Kushtetutën e ligjet, e jo të veproj në kundërshtim me dispozitat e tyre. Me këtë çfarë kanë bërë, ata kanë vepruar në radhë të parë kundër interesave të qytetarëve, të cilët kërkojnë drejtësinë e munguar me vite të tëra”, thotë Ristevski.
Besa Kadriu, ligjëruese në Fakultetin Juridik të Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, rastin me Trajko Veljanovskin e quan kurth të politikës aktuale, e cila, sipas saj, me këtë i ka vënë vulë politikës së dështuar të qeverisë së kaluar.
“Shpeshherë kurthe të këtilla të politikës janë manifestuar nga institucionet, të cilat janë relevante në procesin e vendimmarrjes. Në këtë rast, Kuvendi vulosi edhe një herë një politikë të dështuar e cila në vend që të jetë pjesë e procesit për luftimin e padrejtësisë, në fakt e ndihmon procesin e kundërt. Rasti i fundit me mos heqjen e imunitetit Trajko Veljanovski është edhe një ogur i zi për politikën në Maqedoni, nuk ka një ndryshim të cilin gjithë ne si qytetar e kemi pritur”, thotë Kadriu.
Ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, dhe katër ish-zyrtarë tjerë të lartë, përfshirë edhe ish-kryeministrin e arratisur në Hungari, Nikolla Gruevski dyshohen si organizatorët kryesor të ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, më 27 prill 2017 ndërsa mund të gjykohen për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.