Ndërlidhjet

Gruevski e Veljanovski, të dyshuar për organizimin e sulmit në Kuvend


Hyrja me dhunë e protestuesve në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill 2017.
Hyrja me dhunë e protestuesve në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill 2017.

Gjykata Penale e Shkupi i ka kërkuar Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, që t’i heqë imunitetin ish-kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, i cili së bashku me katër ish- zyrtarë të tjerë dyshohen si organizatorët kryesorë të ngjarjeve të dhunshme para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, më 27 prill 2017.

Ish-ministrit të Arsimit, Spiro Ristovski, dhe atij të transportit, Mile Janakievski, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, ndërsa në arrati mbetet ish- kryeministri Nikolla Gruevski, që ka fituar azil në Hungari dhe një ish-punonjës i policisë, që ndodhet në arrati në Greqi. Të gjithë këta persona po hetohen për veprën e rëndë penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.

Ata, sipas Prokurorisë, në forma të ndryshme kanë bashkëvepruar në realizimin e skenarit për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, ndërsa si më kryesori në këtë akt paraqet ish-kryeministrin Gruevski.

“Procedura parahetimore vazhdon në drejtim të zbulimit të organizatorëve të kësaj vepre penale. I dyshuari Nikolla Gruevski, në cilësinë e ish-kryetarit të partisë politike u ka bërë thirrje qytetarëve në protesta dhe së bashku me të akuzuarit e tjerë e kishin vendosur në dispozicion të protestuesve tërë strukturën partiake. Kemi mesazhe, për disa të tjera ende po punohet. Gjatë tërë kohës kishte komunikime mes qendrës dhe komitetet lokale duke ftuar anëtarësimin në protesta masive, ndërsa në ditën kritike, edhe për hyrjen në mënyrë masive në Kuvend”, ka deklaruar prokurorja Villma Ruskoska.

Ajo nuk ka dashur të japë detaje tjera me arsyetimin se mund të dëmtojnë procedurën hetimore, por ka theksuar se sikur të mos hapeshin dyert e Kuvendit ditën kritike, dhuna nuk do të mund të ndodhte.

Ndërkohë, në fjalët përmbyllëse për dhunën në Kuvend, në një proces tjetër gjyqësor që është në rrjedhë e sipër, disa nga të akuzuarit po ashtu për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”, kanë theksuar se dyert ishin hapur me urdhër të ish -kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, por ky i fundit i ka mohuar akuzat duke theksuar se pretendimet e tilla janë orkestruara nga pushteti aktual.

*Video nga arkivi: Shkup: Deputetët përgjaken nga protestuesit

Shkup: Deputetët përgjaken nga protestuesit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Me akuza të tilla ka dalë edhe lideri i opozitës, Hristijan Mickovski, duke akuzuar kryeministrin Zoran Zaev se paaftësinë e qeverisjes dhe dështimet, sipas tij, tenton t'i mbulojë me procese të montuara kundër zyrtarëve të opozitës.

“LSDM-ja e di se po humb besimin, andaj edhe tenton të fusë frikë, të demoralizojë VMRO DPMNE-në dhe qytetarët. Ata duan që të flitet vetëm për arrestime, paraburgime, e jo edhe për vaksinat që vrasin, për shëndetësi të rrënuar, për bujq të dëshpëruar, për ekonomi të shkatërruar, për varfërim të popullit... LSDM-ja është në rënie të lirë dhe janë të vetëdijshëm për disfatën që e pret, së pari në zgjedhjet presidenciale, e pastaj edhe në ato parlamentare”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Por, nga LSDM-ja, përmes një komunikatë janë përgjigjur duke theksuar se “VMRO-ja vazhdon me të gjitha forcat t'i mbrojë kriminelët dhe krimin e Qeverisë së kaluar dhe dhunën në Kuvend më 27 prill”.

Nga dhuna në institucionin ligjvënës ishin lënduar shumë persona, ndërsa më së shumti e kishin pësuar, Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët dhe kryeministri Zoran Zaev, në atë kohë lider i opozitës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG