Ndërlidhjet

Kthehen në burg pesë të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme në Kuvend


Protestuesit duke hyrë në Kuvendin e Maqedonisë. 27 prill, 2017
Protestuesit duke hyrë në Kuvendin e Maqedonisë. 27 prill, 2017

Me urdhër të Gjykatës Penale në Shkup, të martën në mbrëmje janë arrestuar përsëri pesë persona të cilët akuzohen për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.

Në mesin e të akuzuarve është dhe ish-drejtori i Byrosë për Siguri Publike në kohën e kësaj ngjarje, Mitko Çavkov dhe katër persona tjerë, pjesë e strukturave të sigurisë.

Këto arrestime vijnë pasi që të martën Prokurori Publik i Maqedonisë, Lubomir Joveski, bëri të ditur se në Gjykatën Penale është dorëzuar aktakuzë kundër 30 personave lidhur me ngjarjet e 27 prillit. Njëzet e tetë persona janë akuzuar për vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, ndërsa dy të tjerë për ndihmë gjatë kryerjes së veprës së njëjtë penale.

Në mesin e të akuzuarve janë pesë deputetë të partisë maqedonase në opozitë VMRO-DOMNE, të cilët akuzohen për veprën “terrorizëm dhe kërcënim të rendit kushtetues”, por të njëjtit ndodhen në arrest shtëpiak.

Shkup: Deputetët përgjaken nga protestuesit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Përderisa, pesë të arrestuarit e mbrëmshëm para një dite u liruan nga paraburgimi, pasi Gjykata Supreme vendosi që në vend të paraburgimit, t’ju shqiptojë masën e arrestit shtëpiak.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se procesi gjyqësorë rreth ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë nxjerrin në pah kohezionin mes Gjykatës së Supreme dhe Gjykatës Penale, përkatësisht, përplasjet mes interesave të këtyre dy institucioneve.

Besa Arifi, ligjëruese e së Drejtës Penale në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, duke komentuar vendimin e Gjykatës Supreme e cila të hënën i liroi të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit, tha se struktura të caktuara nga ish-regjimi, siç është rasti me kryetarin e ish-gjykatës Supreme tentojnë të bllokojnë zbardhjen e ngjarjeve të dhunshme.

“Gjykata Supreme në fakt akoma udhëhiqet nga Jovo Vangellovski, i cili dihet se çfarë vendimesh ka iniciuar dhe ka sjellë deri më tani. Kështu që, këtë vendimin e tij të fundit për të liruar të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit nuk do ta kisha karakterizuar si kaos në sistemin gjyqësor, por vetëm si kohezion mes interesave të ndryshme, ku interesi kryesor i Prokurorisë Publike është që ta zbardhë këtë rast deri në fund sepse ishte një cenim shumë i rëndë i vlerave demokratike të vendit. Kurse nga ana tjetër, kryetari i Gjykatës Supreme mund të ketë mendime të tjera“, thotë Besa Arifi, njohëse e çështjeve juridike.

Një mendim tjetër ka, Borçe Davitkovski, avokat, sipas të cilit vendimi i fundit i Gjykatës Penale përforcon bindjen se gjyqësori vepron në formë selektive ashtu sikurse në të kaluarën, sepse sipas tij, është e pakuptimtë që të arrestohen personat për të cilët Gjykata Supreme ka vlerësuar se arresti shtëpiak për të akuzuarit në fjalë, është masë e mjaftueshme.

“Vetëm pesë persona janë kthyer në burg, përkatësisht të gjithë janë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe njëherësh për asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk është shqiptuar masa e arrestit me burg. Kjo na jep të drejtë të mendojmë se bëhet fjalë për drejtësi selektive dhe se aplikohen standarde të dyfishta“, thotë Davitkovski.

Nga ana tjetër, Besa Arifi, thotë se Prokuroria tanimë ka siguruar dëshmi të mjaftueshme dhe pret që ngjarjet e dhunshme në Kuvend të zbardhen në tërësi, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të instalohet funksionimi i shtetit të së drejtës.

Kryeministri aktual i Maqedonisë, Zoran Zaev ishte sulmuar nga protestuesit që kishin hyrë në Kuvend.
Kryeministri aktual i Maqedonisë, Zoran Zaev ishte sulmuar nga protestuesit që kishin hyrë në Kuvend.

Pas arrestimit të pesë të akuzuarve për ngjarjet e dhunshme në parlament ka reaguar partia më e madhe maqedonase në pozitë VMRO-DPMNE.

“Gjykata duhet të gjejë forcë dhe të lirohet nga kthetrat e pushtetit dhe të gjykojë e bazuar në drejtësi. Të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit. Prokuroria duhet të ndjekë kriminelët e vërtetë në Maqedonisë, ku një pjesë e të cilëve gjenden në ‘Ilindenska’, numër 2, (adresë ku ndodhet selia e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, e cila drejtohet nga kryeministri Zoran Zaev), në vend që të ndjekë patriotët dhe mbrojtësit e Kushtetutës”, theksohet në komunikatën për media të VMRO-DPMNE-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG