Ndërlidhjet

Gjyqësori dhe policia, shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut


Ilustrim
Ilustrim

Avokati i Popullit ka konstatuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve në Maqedoni, gjë që ka çuar në rritjen e ankesave pranë zyrës së tij.

Gjatë vitit 2017 janë paraqitur mbi 4 mijë parashtresa dhe në më shumë se 1100 prej tyre janë konstatuar shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ankesat kryesore sipas avokatit Ixhet Mehmeti kanë të bëjnë me institucionet gjyqësore ku është konstatuar drejtësi selektive, e vonuar dhe joprofesionale.

Mirëpi nuk mungojnë as ankesat për partizimin e administratës.

“Drejtësia selektive është gjithnjë e më e pranishme, administrata publike e partizuar dhe joprofesionale në vend se të ndihmoj është bërë pengesë serioze në realizimin e të drejtave të qytetarëve. Normat juridike populliste në mënyrë plotësuese e vështirësojnë realizimin e të drejtave të qytetarëve….kishim dukuri të diskriminimit mbi të gjitha bazat, gjyqësor joefikas dhe prokurori që nxit mosbesim tek qytetarët në institucione”, ka deklaruar Avokati i Popullit.

Ai ka thënë se raporti i tij me rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut do t'i dërgohet Kuvendit të Maqedonisë dhe institucioneve tjera.

Vërejtje serioze në të ka edhe për punën e policisë.

“Me keqardhje konstatoj se edhe në vitin 2017 policia vepronte në mënyrë joprofesionale, duke aplikuar standarde të dyfishta në punë, me çka i konfirmoi sugjerimet tona shumëvjeçare për partizimin e thellë të këtij organi. Ky organ edhe përkundër reagimit të Avokatit të Popullit në rastin e arrestimit të deputetëve dhe privimit të tyre nga liria, nuk mori guximin të pranoj se me veprimet e tilla e ka shkelur të drejtën e imunitetit të deputetit dhe parimin e prezumimit të pafajësisë”, ka deklaruar Mehmeti, duke kërkuar nga MPB-ja që të ngritet mbi interesat partiake dhe të veprojë në mënyrë profesionale.

Ai tha se në 97 raste janë pranuar vërejtjet e zyrës së tij, për 104 raste procedura është në rrjedhë e sipër ndërsa në 63 raste, vërejtjet e tij nuk janë marrë fare parasysh.

Avokati i Popullit është ndalur edhe në rastin “Almiri”, që ka të bëjë me vrasjen e pesëvjeçarit nga qytetari Boban Iliç në Kumanovë, pas një zënke banale me familjarët e fëmijës së ndjerë. Ai me makinën e tij kishte goditur për vdekje Almir Aliun, por kjo ngjarje tragjike pas shumë seancave gjyqësore është rikualifikuar nga gjykata nga “vrasje” siç ishte më parë në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”.

Avokati Mehmeti tha se në këtë rast janë regjistruar shkelje të shumta ligjore nga ana e institucioneve gjyqësore.

Ndryshe, puna e Avokatit të Popullit shpesh është përcjellë edhe me kritika nga opinioni për shkak të mosreagimit të tij për raste të caktuara. Vërejtja kryesore ka të bëjë me heshtjen e tij për dëbimin me dhunë të gazetarëve nga Kuvendi më 24 dhjetor të vitit 2016, kur votohej buxheti i shtetit.

Madje, dëbimi i gazetarëve kishte ndodhur në praninë e Ixhet Mehmetit pasi pikërisht në këtë seancë, ai fitoi edhe një mandat si drejtues i institucionit të Avokatit të Popullit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG