Ndërlidhjet

Kërkohet përfshirja e opozitës në dialogun me Beogradin


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Qeveria e Kosovës ka ftuar spektrin politik nga opozita, që të përfshihet në procesin e negociatave me Serbinë, duke besuar se procesi po shkon drejt fazës finale.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Avni Arifi ka deklaruar para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit se Kosova nuk po synon të arrijë marrëveshje të reja me Serbinë, pa u zbatuar fillimisht ato marrëveshje që janë nënshkruar tashmë.

Arifi, i cili është edhe këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, tha se ekipi teknik i cili do të vazhdojë takimet në Bruksel, do të bisedojë për pengesat në moszbatimin e marrëveshjeve aktuale.

"Ne synojmë përmbylljen e dialogut dhe përgatitjen e bazës politike për marrëveshjen përfundimtare”, thotë Arifi.

Sipas tij, prioritetet në këto bisedime do të burojnë nga platforma dhe parimet e dialogut, të cilat janë të miratuara edhe nga Kuvendi i Kosovës. Por, siç tha ai, tani nevojitet edhe një rifokusim dhe jo ndryshme të parimeve.

“Ne po synojmë ta përmbyllim dialogun në tërësi dhe zbatim të plotë për secilën marrëveshje veç e veç", tha Arifi.

Ai theksoi po ashtu, se procesi i dialogut nuk është i lehtë dhe kërkoi përfshirjen e të gjitha partive politike dhe ekspertëve në këtë proces.

Një nga marrëveshjet kryesore të procesit të bisedimeve me Serbinë është ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Arifi tha se qëndrimi i Qeverisë është që ky Asociacion, të formohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

"Qëndrimi i Qeverisë është ai i cili është përmendur edhe nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini dhe e kanë përmendur edhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, dhe që të gjithë konsiderojnë se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës", tha Arifi.

Edhe anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme ishin mjaft aktivë në këtë debat. Ata janë interesuar të dinë se a mund të ndryshojnë strategjia apo planet e Qeverisë së Kosovës për bisedime me Serbinë. Por, Arifi tha se një gjë e tillë mund të ndodhë, por aktualisht po punohet në bazë të planeve të parapara.

"Faktikisht ne kemi nivelin politik, që udhëhiqet nga presidenti. A do të ketë ndryshime, është e vështirë të parashikohet, por mund edhe të ndodhë", tha ai.

Deputetja Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se delegacionet e Kosovës në bisedime me Serbinë duhet të bashkëpunojnë më shumë me Kuvendin për qëndrimet dhe vendimet lidhur me dialogun.

"Nëse ka qëndrime lidhur me marrëveshje të caktuara për të cilat keni vendosur t'i mbani, atëherë për ato ta njoftoni Kuvendin para se të shkoni në Bruksel. Për shkak të moskoordinimit me Kuvendin, kanë rezultuar me mungesë konsensusi në rastet kur është dashur të kemi ratifikim të marrëveshjeve", tha Osmani.

Ajo kërkoi që të dihet nëse ka vendim të Qeverisë se kush është udhëheqësi politik i dialogut Kosovë –Serbi.

Zafir Berisha, deputet nga Nisma për Kosovën, parti kjo pjesë e koalicionit qeverisës, tha se të gjitha marrëveshjet dhe vetë formati i bisedimeve Kosovë –Serbi është i gabuara, dhe sipas tij, dialogu po e dëmton Kosovën.

"Bisedimet nuk janë teknike, por janë më shumë se politike. Nëse mendoni se vetëm Marrëveshja për asociacionin ka pasur shkelje kushtetuese dhe gjykata e ka vërtetuar, veç dua t'ju rikujtoj se komplet bisedimet dhe të gjitha marrëveshjet janë antikushtetuese. Të gjitha këto marrëveshje duhet të kompletohen dhe duhet të kërkohet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, sepse vetë forma e bisedimeve ka qenë gabim", tha Berisha.

Më 26 shkurt do të zhvillohet takimi i radhës në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështje teknike, por nuk dihet se kur do të mbahet takim politik mes dy presidentëve, atij të Kosovës dhe Serbisë.

Së fundmi, zyrtarët e institucioneve të larta të vendit kanë paralajmëruar fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tyre, duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Përfshirja e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuar të Amerikës, krahas Bashkimit Evropian në fazën përfundimtare të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme, në mënyrë që të sigurohet një marrëveshje përfundimtare, e pranueshme dhe e zbatueshme për të dy palët, kanë theksuar deputetë në Kuvendin e Kosovës, por edhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG