Ndërlidhjet

Partitë politike heshtin dhe kalkulojnë koalicionet


Bilbordet e partive politike të vendosura në Prishtinë
Bilbordet e partive politike të vendosura në Prishtinë

Partitë politike në Kosovë, tash e disa ditë, janë duke heshtur lidhur me mundësitë e koalicioneve për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor.

Pas përfundimit të votimeve, si dhe publikimit të rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partitë politike patën dhënë një varg deklaratash lidhur me mundësitë e krijimit të koalicioneve, që do ta krijonin ekzekutivin e ri të vendit.

Por, heshtja e tanishme, në opinion po shihet edhe si mungesë opsionesh nga partitë politike pas rezultatit te zgjedhjeve, i cili nuk u garanton atyre formimin e Qeverisë, pa lidhjen e koalicioneve të reja paszgjedhore.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë shpreh mendimin se heshtja e partive politike lidhur me koalicionet e mundshme është kalkulim i tyre, veç e veç, që do të zgjasë deri sa të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, si të verifikohet mandati.

Sipas tij, në momentin që certifikohen rezultatet dhe secila parti do ta dijë se sa deputet i ka, atëherë do të fillojnë bisedimet dhe marrëveshjet për bërjen e koalicioneve.

Ajo që tash shihet është se janë tri grupe të mëdha. Asnjëra nuk i ka më shumë se 35 për qind të votave dhe koalicioni detyrohet të bëhet me njërin nga këto tri grupet, plus minoritetet. Pas verifikimit të mandateve, është e kuptueshme që koalicioni i parë do të synojë që t’i bëj numrat dhe do të kërkojë bisedimet, fillimisht me koalicionin, e pastaj, është taktikë, do të kërkojë edhe me partitë brenda koalicionit. Së fundmi edhe me individët e veçantë”, tha Tahiri.

Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se faza aktuale është ajo e mundësisë potenciale të konkretizimit të deklaratave publike të subjekteve të caktuara dhe liderëve potencialë. Tashmë, sipas politologut Beqaj, pritet një fazë e re për subjektet politike.

Ata do të ballafaqohen me realitetin, të hidhur ose me shpresën se munden eventualisht të bëjnë koalicione, varësisht prej kalkulimeve me parti, por edhe me individë të caktuar. Por, një çështje, sipas mendimit tim, do të ishte gabim që të jetë pjesë e kalkulimeve. Kjo ndërlidhet me formimin e Qeverisë, e cila do të varej më shumë nga Lista Serbe se sa që do të varej nga deputetët dhe subjektet tjera politike”, thotë Beqaj.

Por, a ekziston mundësia potenciale për bllokimin e procesit për krijimin e Qeverisë së re, për faktin se asnjë nga subjektet politike nuk e ka përqindjen e votave që i garanton formimin e Qeverisë si e vetme?

Kush do të jetë kryeministër - Haradinaj apo Kurti?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:22 0:00

Politologu Tahiri shpreh mendimin se nuk do të ketë ndonjë bllokadë për formimin e ekzekutivit të ri, për faktin që, sipas tij, mundësitë kushtetuese dhe ligjore ekzistojnë që një gjë e tillë të mos ndodhë.

Nëse mandatari i parë nuk arrin ta bëj Qeverinë dhe t’i ketë 61 vota të deputetëve, atëherë e dorëzon (mandatin). Atëherë, mandatari tjetër nga koalicioni tjetër do t’i ketë numrat, sepse 50 përqindëshi është ose herën e parë ose herën e dytë. Nuk ka herë të tretë. Dhe, varet se si do ta ndajnë pushtetin, do të thotë, postet ministrore dhe kryeministrin. Gjithashtu, pjesë e dytë, por që nuk është më pak e rëndësishme, është ajo se çfarë programi qeverisës do të harmonizojnë dhe me të cilin do të dalin para deputetëve”, thotë Tahiri.

Edhe politologu Beqaj nuk beson se mund të ketë ndonjë bllokadë për formimin e ekzekutivit. Sipas tij, partitë politike kanë nxjerrë mësimin nga përvoja e kaluar, kur pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, formimi i Qeverisë së re ishte bllokuar për 6 muaj. Megjithatë, sipas tij, në rast se përsëritet një situatë e ngjashme, atëherë partitë politike duhet të kërkojnë zgjidhje të situatës.

Por, mundet shumë shpesh të mendohet, nën një, që sipas mendimit tim nuk është e gabuar, për formimin e një Qeverie teknike, me një mandat prej 6 ose 12 muaj, e cila do të shërbejë si fazë kalimtare për reformën e sistemit zgjedhor; për reformën e partive politike, të cilat kanë nevojë për tu reformuar; për arritjen e disa vendimeve, të cilat nuk adresojnë përgjegjësi konkrete te askush, por tek të gjithë, siç është Demarkacioni dhe Asociacioni. Pastaj, të përgatitet një fazë e re e vetëdijesimit të elektoratit dhe të partive, me një kualitet të ri të bërjes politikë”, tha Beqaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, do të bëhet gjatë kësaj jave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG