Ndërlidhjet

Ngërçi paszgjedhor – koalicione të reja për formimin e Qeverisë 


Ilustrim
Ilustrim

Kosova mund të përballet me një ngërç të ri kur është në pyetje formimi i Qeverisë së ardhshme.

Nëse përqindjet e votave të fituara kthehen në ulëse të Kuvendit, përbërja e re e legjislativit do të dukej afërsisht me 39 apo 40 deputetë të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma.

Pastaj, me 31 apo 32 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës me 29 ulëse.

Ndërkaq, komunitetet mbeten në kuotat e njëjta, serbët marrin 10 ulëse dhe pakicat tjera po ashtu 10 vende të garantuara.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, vlerësohet se nuk kanë nxjerrë një koalicion apo parti politike si fituese bindëse të zgjedhjeve. Andaj, lidhja e koalicioneve paszgjedhore mbetet e pashmangshme nëse synohet të evitohen zgjedhjet e reja.

Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma i njohur edhe si PAN, me mbi 34 për qind të votave të fituara, mund të sigurojë nga 39 deri në 40 ulëse në Kuvend. Ky numër, nuk i mjafton këtij koalicioni ta formojë Qeverinë, pavarësisht që si pjesë e Qeverisë, në bazë të Kushtetutës, duhet të jenë edhe komunitetet pakicë.

Formim i Qeverisë, kërkon minimumin prej 61 votave të deputetëve të Kuvendit. Kështu që, koalicioni PAN edhe nëse do të llogariste në të gjitha votat e pakicave, 20 gjithsej, nuk do të arrinte ta formonte Qeverinë e ardhshme pa lidhjen e një koalicioni me ndonjë prej subjekteve shqiptare, qoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) apo edhe partitë më të vogla si Aleanca Kosova e Re (AKR) apo Alternativa.

Ndërkaq, mbetet fare pak e besueshme që koalicioni PAN të lidhë ndonjë koalicion me Vetëvendosjen, si partia që shënoi rritjen më të lartë në këto zgjedhje, por që megjithatë është renditur e dyta.

Zgjidhja më e lehtë do të ishte që PAN të lidhte koalicion të ri me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke ia kaluar drejtimin e Qeverisë së ardhshme, koalicionit PAN.

Modeli i Maqedonisë

Marrë parasysh që koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma do ta ketë mjaftë vështirë ta formojë Qeverinë e ardhshme, formula logjike do të ishte që nëse subjekti fitues i zgjedhjeve nuk arrin ta formojë Qeverinë, mandati t’i kalohej subjektit të dytë, ngjashëm me modelin e Maqedonisë.

Sipas këtij modeli, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën do ta formonin Qeverinë, kurse subjekti fitues, do të dilte të opozitë.

Albin Kurti, i nominuari i Vetëvendosjes për kryeministër
Albin Kurti, i nominuari i Vetëvendosjes për kryeministër

Megjithatë, nëse procesi i ndërtimit të Qeverisë do të thirrej në precedentin tashmë të krijuar, ky model do të binte poshtë menjëherë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në vitin 2014, e kishte interpretuar formimin e Qeverisë si të drejtë ekskluzive vetëm për koalicionin apo partinë politike që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast del të jetë vetëm, koalicioni PAN.

Bazuar në këtë interpretim, Vetëvendosje mund të futet në Qeveri, vetëm nëse e pranon koalicionin me PAN-in, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës, me të cilën Vetëvendosje është deklaruar se nuk do të lidhë në asnjë rrethanë koalicion qeverisës.

Prishja koalicioneve dhe lidhja e aleancave të reja politike

Një formulë tjetër “magjike”, e cila përflitet, mund të jetë prishja e dy koalicioneve parazgjedhore sapo që Kuvendi i Kosovës të konstituohet.

Sipas kësaj formule, Partia Demokratike e Kosovës do të ndahej nga partitë aktuale në koalicion, duke synuar që të merr sipër mandatin për formimin e Qeverisë me një subjekt tjetër, përkatësisht Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila tashmë nuk është partia e dytë, por e treta.

Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, 11 qershor
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, 11 qershor

Në anën tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të ndahej nga Aleanca Kosova e Re apo edhe Alternativa dhe në fund, do të përsëritej ajo formula e njohur e koalicionit të gjerë, PDK, LDK dhe pakicat.

Për jetësimin e kësaj formule, përfshirja e faktorit ndërkombëtar në negociatat ndërpartiake, vlerësohet se do të ishte e domosdoshme, marrë parasysh që Lidhja Demokratike e Kosovës për të satën herë është deklaruar se nuk do të kthehet më në koalicion me Partinë Demokratike.

Naim Rashiti: Rezultati vështirëson formimin e Qeverisë

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti parasheh mundësinë e vonesave dhe turbulencave në raport me formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Ende mbetet e panjohur krejt gjendja përderisa t’i shohim edhe rezultatet finale, por ajo që dihet është se partitë e koalicionit PAN dhe LDK-ja me koalicionin e saj, kanë humbur shumë në këto zgjedhje dhe ka një rritje enorme, që vjen si rezultat i pakënaqësisë shumëvjeçare në raport me politikat e tyre (PDK –LDK), e cila është përkthyer në votë për Vetëvendosjen”, thotë ai.

Rezultati është i pakënaqshëm, i pakëndshëm për blloqet (PAN dhe LDK-në) i cili e vështirëson edhe formimin e institucioneve dhe Qeverisë”, vlerëson Rashiti.

Nëse PAN është nën 42 – 41 ulëse në Kuvend, sipas tij, kjo situatë do ta vë atë në vështirësi të mëdha rreth formimit të Qeverisë. Në anën tjetër, vijon Rashiti, LDK-ja dhe Vetëvendosje së bashku mund t’i bëjnë 61 vota për formimin e Qeverisë.

Por, kjo varet pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe mbetet të shihet se si do të rrjedh procedura e formimit të institucioneve”, thekson Naim Rashiti.

Ky rezultat, duke i ditur edhe qëndrimet e partive politike, parashikon disa vonesa dhe turbulenca, përveç nëse ndodh ndryshimi radikal i qëndrimeve të njërit apo tjetrit subjekt politik”, parashikon ai.

Formimi i institucioneve

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Kuvendi i Kosovës, foto arkiv
Kuvendi i Kosovës, foto arkiv

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë.

Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG