Ndërlidhjet

Koalicionet paszgjedhore, për të shmangur zgjedhjet e reja


Kush do ta formojë Qeverinë e Kosovës?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:16 0:00

Kush do ta formojë Qeverinë e Kosovës?

Rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit, vë në pikëpyetje themelimin e shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës, parashikojnë njohësit e zhvillime politike.

Sipas tyre, rezultati e bën të domosdoshëm lidhjen e koalicioneve të reja paszgjedhore, në mënyrë që Kosova të mos futet në një ngërç të ri politik. Po ashtu, analistët nuk e përjashtojnë as mundësinë që Kosova të shkojë nga zgjedhjet në zgjedhje, nëse nuk formohet Qeveria e re.

Politologu Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se pas rezultateve preliminare, është e vështirë të mendohet se formimi i Qeverisë së re do të ndodh shpejt, pasi që asnjë nga koalicionet apo partitë politike nuk kanë marrë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë.

"Nuk mund të ketë një Qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje, sepse Lëvizja Vetëvendosje ka dalë monolite nga këto zgjedhje dhe ka dalë si subjekt i pastër. Dy grupet e tjera janë koalicione parazgjedhore të paqëndrueshme, që në të dyja [koalicionet] do të ketë krizë që të mërkurën ose të enjten, kur të dalin rezultatet edhe për numrin e deputetëve për secilin subjekt brenda koalicionit", tha Tahiri.

Qendra e numërimit
Qendra e numërimit

Pas publikimit të të gjitha rezultateve, Tahiri thotë se mund të ketë krizë politike, por sipas tij, ajo që nuk duhet të ndodhë është që Kosova të mos e rrezikojë partneritetin e saj me miqtë ndërkombëtarë.

"Kosova obligimet që i ka marrë nuk mund t'i ri negociojë dhe riformulojë pa marrë parasysh kush vjen në Qeveri. Mund të jetë Qeveri e gjerë, mund të jetë Qeveri teknike, mund të jetë Qeveri gjithëpërfshirëse në rastin më të mirë, ose mund të jetë Qeveri e koalicionit ideologjik, por asnjë nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe obligimet ndërkombëtare, nuk mund të vihen në dyshim", tha Tahiri.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend.

Imer Mushkolaj, mendon se lidhja e koalicioneve paszgjedhore mbetet e pashmangshme nëse synohet të evitohen zgjedhjet e reja.

Sipas tij, nëse koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, nuk i ka votat për Qeverinë e re, do të duhet të ishte një mundësi tjetër që mandati t’i kalohej subjektit të dytë.

"Nëse koalicioni rreth PAN-it, si fitues i zgjedhjeve nuk mund ta krijojë Qeverinë dhe nuk do t'i ketë numrat për Qeveri, atëherë mbetet siç e dimë tashmë edhe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të viti 2014, në diskrecionin e Presidentit, që të vendos nëse kjo mundësi do t'i ofrohet grupit më të madh parlamentar, që mund të jetë një grup tjetër dhe jo ai rreth Partisë Demokratike të Kosovës", tha Mushkolaj.

Mushkolaj mendon se një koalicion me një shumicë të thjeshtë nuk i duhet vendit pasi që sipas tij, Kosova dhe institucionet e saj para vetes kanë shumë çështje të rëndësishme, për të cilat duhen dy të tretat e votave të deputetëve, apo 80 vota.

Edhe Ramush Tahiri thotë se aktualisht nevojitet një koalicion i numrave dhe i grupimeve, në mënyrë që të krijohet Qeveria e re.

"Në periudhën e ardhshme, liderët politikë dhe subjektet politike do të bisedojnë me njëri-tjetrin për modalitetet. Modalitetet janë në dy drejtime; drejtimi i parë është ndarja e funksioneve në Qeveri të ministrave dhe zëvendësministrave dhe modalitetit i dytë është harmonizimi i programit qeverisës", tha Tahiri.

Nëse përqindjet e votave të fituara kthehen në ulëse të Kuvendit, përbërja e re e legjislativit do të dukej afërsisht me 39 apo 40 deputetë të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma.

Pastaj, me 31 apo 32 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës me 29 ulëse.

Ndërkaq, komunitetet mbeten në kuotat e njëjta, serbët marrin 10 ulëse dhe pakicat tjera po ashtu 10 vende të garantuara.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 11 qershor, që në to, sipas KQZ-së morën pjesë pak më shumë se 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG