Ndërlidhjet

Vazhdimi i dialogut në fazën përmbyllëse


Takimi në Bruksel i përfaqësuesve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve, sinjalizon se ky dialog po hyn në kapitullin e fundit apo drejt përmbylljes, sepse ky dialog nuk mund të zgjas pafundësisht, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se takimit të së martës në Bruksel, megjithatë i ka paraprirë një situatë e re në Kosovë, të cilën e ka krijuar Serbia dhe sy ky është një realitet, për të cilin autoritetet e Kosovës duhet të bisedojnë.

“E kam fjalën këtu edhe për çështjen e murit, por, po ashtu edhe për moszbatimin e marrëveshjeve që kanë të bëjnë qoftë me strukturat paralele, qoftë për funksionalizimin e gjykatave atje ( në veri). Unë besoj se mesazhi më i rëndësishëm është vazhdimi i dialogut, respektivisht vullneti i mirë i të dyja palëve. Por, po ashtu, besoj se do të ketë edhe një qasje të re, në përgjithësi në vazhdimin e dialogut, për shkak se, të paktën, pala kosovare nuk ka kurrfarë arsye dhe nuk ka kurrfarë logjike që ta vazhdojë më dialogun ashtu siç ka shkuar deri më tash”.

Publicisti Halil Matoshi, njohës i zhvillimeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se vet fakti që në takimin e së martës në Bruksel janë ftuar presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, është sinjal se dialogu është në fazën finale.

Sipas tij, vet fakti se dialogu po shkon drejt përmbylljes, ka stimuluar retorikën e ashpër nga autoritetet e të dyja vendeve, e cila është shpërfaqur javëve të fundit, ndonëse, siç thotë ai, kjo retorikë më tepër është e adresuar për konsum të brendshëm.

“Serbisë, në këtë rast, i ngutet që duke i rritur kërkesat dhe retorikën karshi Kosovës, të përfitojë sa më shumë në agjendat evropiane. Unë mendoj që, pikërisht për shkakun se nga Serbia po kërkohet që të bëjë hapa të shpejtë përpara, ajo praktikisht po shkakton këso tensionesh, kinse të intensitetit të ulët në rajon, përkatësisht në raport me Kosovën”.

Por, analisti Mushkolaj, vlerëson që, pavarësisht që dialogu nuk mund të vazhdojë pafundësisht, megjithatë, ai nuk pret që dialogu të përfundojë shpejt.

“Unë nuk pres se ky fund i dialogut do të jetë i shkurtër për shkak se siç e dimë nuk janë diskutuar çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, jashtëzakonisht thelbësore për të dyja palët, në këtë rast sidomos për palën kosovare. Kam fjalën këtu në radhë të parë për dëmet e luftës, për të pagjeturit po ashtu edhe për të gjithë ato borxhe financiare që Serbia i ka karshi Kosovës dhe më e rëndësishme se si do të jetë përfundimi, a do të jetë ky një akt i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, apo cili do të jetë ai mekanizëm që do ta shty Serbin që ta njohë shtetësinë e Kosovës”.

Mushkolaj ka shtuar se vazhdimi i dialogut nuk ka asnjë kuptim në qoftë se në fund të këtij procesi Serbia nuk e ndryshon qasjen ndaj Kosovës.

Analisti Matoshi vlerëson se megjithatë, në fazën, siç e quan ai, e fundit të dialogut, do të ketë rezultate në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash, por edhe të marrëveshjeve të reja eventuale.

“Mbi të gjitha, Serbisë dhe Kosovës, ju duhet një akt zyrtar i përmbylljes së luftës. Serbia nuk ka nënshkruar asnjë dokument me Kosovën që është përmbyllur konflikti, sepse Serbia ka nënshkruar vetëm me NATO-s, por jo edhe me Kosovën një lloj të paqes, përkatësisht, kapitullimin me 10 qershor të vitit 1999”.

Sidoqoftë, takimi në Bruksel ishte ftuar pas tensionimit të situatës dhe retorikës së ashpër nga të dyja palët.

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se palët kanë diskutuar për zhvillimet e ditëve të fundit dhe se “janë pajtuar për të lënë prapa tensionet dhe për t'u përqendruar në punën përpara".

Megjithatë, retorika e ashpër nga të dyja palët ka vazhduar edhe pas takimit të fundit në Bruksel. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG