Ndërlidhjet

Brukseli thotë se palët janë pajtuar të ulin tensionet


Pajtim për të vazhduar dialogun
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:06 0:00

Pajtim për të vazhduar dialogun

Në Bruksel ka përfunduar pa ndonjë vendim konkret takimi i udhëheqësve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, i thirrur me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Përmes një deklarate me shkrim, Mogherini falënderoi të dyja palët për, siç tha, takimin konstruktiv.

"Ato kanë diskutuar zhvillimet e ditëve të fundit, janë pajtuar për të lënë prapa tensionet dhe për t'u përqendruar në punën përpara".

"Unë kam theksuar se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është thelbësor për Kosovën dhe Serbinë, për Bashkimin Evropian dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi", tha mes tjerash Mogherini.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Beogradit i është bërë e qartë se Kosova do të veprojë si shtet i pavarur dhe sovran.

"Shpresoj që pas këtij takimi, Serbia do të qetësohet dhe do të ulë agjendën e vet nacionaliste në raport me Kosovën dhe pretendimin për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe do të ishte mirë që Serbia ta njohë sa më parë që të jetë e mundur", tha Thaçi.

Ai tha se me BE-në janë hapur të gjitha çështjet, përfshirë edhe fletarrestimet e Serbisë, ndërsa i bëri thirrje Beogradit që të mos manipulojë me serbët e Kosovës.

"Kemi insistuar që Bashkimi Evropian të jetë i qartë dhe i vendosur në presionin e vet ndaj Beogradit", tha Thaçi.

Thaçi përsëri theksoi se muri në veri të Mitrovicës, i ngritur nga autoritetet lokale atje, duhet të rrënohet dhe se Serbia duhet të zhbëjë strukturat e saj në veri të Kosovës.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se takimi i së martës ka qenë ndër më të vështirët dhe se ka pajtim për të vazhduar një seri takimesh në nivel të lartë.

"Do të bëjmë përpjekje që të gjithë të lëshojmë topin dhe të sillemi me pëgjegjësi", tha Vuçiq.

Takimi, në të cilin kanë marrë pjesë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, dhe presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikolliq, është thirrur si një përpjekje e BE-së për t'i ulur tensionet midis dy palëve.

Më 14 janar, Kosova ka ndaluar një tren të nisur nga Beogradi, të hyjë në territorin e saj. Treni, me mbishrimin “Kosova është Serbi” dhe simbole kishtare mesjetare, është parë si provokim në Prishtinë.

Thaçi ka thënë se synim i Serbisë, përmes këtij treni, ka qenë të aneksojë veriun e Kosovës.

Sipas Nikolliqit, me ndalimin e trenit, Kosova ka treguar se dëshiron luftë me Serbinë.

Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë kanë nisur të tendosen qysh në fillim të këtij muaji, kur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndaluar në Francë, në bazë të një urdhërarresti nga Serbia. Kjo e fundit e akuzon Haradinajn për krime lufte.

Edhe Beogradi, edhe Prishtina synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe normalizimi i marrëdhënieve është kusht për përparimin e tyre.

Takimi i së martës ishte i pari në nivel të lartë pas një periudhe njëvjeçare.

Ndërkaq, ishte hera e dytë që në takim morën pjesë edhe presidentët. Në vitin 2013, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte takuar në Bruksel me homologun serb, Nikolliq.

Po atë vit, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve. Të dyja palët kanë thënë se kanë marrë atë që kanë dashur nga marrëveshja, porse zbatimi i pikave të saj lë për të dëshiruar.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG