Me takimin e sotëm në Bruksel, Kosova dhe Serbia po fillojnë fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Pak çaste para se të niset për në Bruksel, Mustafa ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se takimi i sotëm është i një formati të veçantë, si rrjedhojë e proceseve dhe ngjarjeve të fundit.
“Presim që ky takim të jetë fillim i fazës përfundimtare të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë takim të nivelit të lartë, ku do të marrim pjesë së bashku me presidentin e Republikës, do të prezantojmë qëndrimet e institucioneve të shtetit tonë”, ka thënë kryeministri.
Tensionimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka shtyrë shefen e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini që të ftoj në takim në Bruksel, nivelin më të lartë politik nga Prishtina dhe Beogradi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, pritet të jenë ballë për ballë me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiq.
“Kohëve të fundit ka pasur veprime sistematike të Serbisë për të destabilizuar gjendjen në Kosovë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe përmes strukturave të tyre paralele”, ka theksuar Mustafa.
Kosova, ka vijuar kryeministri, është e përcaktuar për paqe, për siguri e fqinjësi të mirë me të gjitha vendet.
“Por, po ashtu jemi shumë të vendosur që të mos lejojmë ndërhyrje të askujt në punët e brendshme të Kosovës dhe të parandalojmë dhe evitojmë çdo provokim i cili ka për synim destabilizimin e situatës në vendin tonë”, ka theksuar ai.
Ndër kërkesat kryesore të Prishtinës zyrtare në takimin me palën nga Serbia në Bruksel, Mustafa ka thënë se do të jetë ajo për ndaljen e fletë-arresteve politike ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ajo për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Në vijim, Mustafa ka folur edhe për formatin e ardhshëm të bisedimeve, marrë parasysh se kësaj radhe delegacionet do të udhëhiqen nga presidentët e dyja shteteve.
“Takimi si i tillë nuk mendoj se e përcakton formatin e ardhshëm të dialogut. Para së gjithash ne duhet t’i sqarojmë temat dhe çështjet për të cilat ka nevojë të dialogohen në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, në takim do të diskutohet rreth ndërtimit të mekanizmave të zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe të sigurohet një përfshirje e nevojshme të gjithë akterëve përgjegjës, përfshirë edhe opozitën.
“Ndërkaq, sa i përket vet dialogut, konsideroj që dialogu është përcaktim i yni strategjik dhe pa marrë parasysh se kush është apo kush do të jetë në krye të qeverisë në të ardhmen, ne nuk kemi alternativë tjetër të zgjidhjes së problemeve, përpos dialogut dhe rrugës evropiane të cilën e kemi zgjedhur”, është shprehur Mustafa.
Krejt në fund, Mustafa ka deklaruar se kjo është koha “të nis faza përfundimtare e dialogut evropian ndërmjet dy shteteve e cila domosdo duhet të përfundoj me normalizimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.
Ftesa e Brukselit për liderët politik në Prishtinë dhe Beograd pasoi tensionet e vazhdueshme, të cilat pasuan disa veprime të Serbisë në raport me Kosovën.
Mbajtja në fuqi e urdhërarresteve ndërkombëtare të Serbisë ndaj ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe figurat politike nga Kosova, pastaj ndërtimi i murit në veri të Mitrovicës dhe nisja e trenit ‘provokativ’ nga Beogradi për në Mitrovicë, si dhe reagimi i Kosovës se “do t’u kundërpërgjigjet këtyre provokimeve”, besohet se ishin arsyet që Brukseli kërkoi t’i ketë në një tavolinë njerëzit kryesor të politikës nga Kosova dhe Serbia.
Bazuar në deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga 24 janari pritet që në Bruksel të nis kapitulli i fundit i dialogut, i cili sipas tij, do të duhej të përmbyllej me normalizim të marrëdhënieve ndër shtetërore dhe “pse jo” edhe me njohje reciproke.
“Mendoj që përfundimisht ka ardhur koha që të hapet kapitulli i fundit i dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë, kapitulli i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore”, ka deklaruar Thaçi.
Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë para këtij takimi se në radhë të parë pret qetësimin e situatës së tensionuar në raportet ndërmjet dyja vendeve.
“Nuk pres shumë, por pres qetësimin e situatës”, ka thënë Vuçiq, duke besuar se Bashkimi Evropian do t’ia tërheq vërejtjen Prishtinës zyrtare se nuk mund të dërgoj në të ardhmen forcat policore në pjesën veriore, siç ishte rasti me vendimin për ndalimin e trenit të nisur nga Beogradi për në Mitrovicë.
Opozita në Kosovë, ndërkaq, ka kundërshtuar ashpër vendimin e presidentit dhe kryeministrit që të marrin pjesë në vazhdimin e dialogut, përderisa Serbia po ndërmerr një varg veprimesh, të cilat sipas opozitarëve, kanë si qëllim destabilizimin e gjendjes në vend.
Për herë të parë, Kosova dhe Serbia zhvilluan takim në nivel të presidentëve më 06 shkurt të vitit, 2013. Atë kohë, takimi u zhvillua ndërmjet ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, me ndërmjetësimin e ish-shefes së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.
Prishtina dhe Beogradi, patën arritur Marrëveshjen e parë të normalizimit të marrëdhënieve pas 10 raundeve të bisedimeve, më 19 prill, 2013.
Inicialet në këtë marrëveshje i patën vendosur, ish-kryeministrat, Hashim Thaçi për Kosovën dhe Ivica Daçiq për Serbinë.
Ndër pikat kryesore të marrëveshjes ishin ato për shuarjen graduale të strukturave paralele serbe në Kosovë dhe integrimine tyre në institucionet e shtetit. Pastaj dakordimi për pjesëmarrjen e serbëve, përfshirë edhe ata të komunave veriore, në zgjedhjet e Kosovës në të dyja nivelet e pushtetit si dhe pika për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. (REL)