Identifikimi me identitetin fetar, në raport me identitetin kombëtar, është rritur, thotë një hulumtim i Instituti Kosovar për Zhvillim të Politikave (KIPRED). Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, thotë se bazuar në rezultatet e hulumtimit, një pjesë e shoqërisë së Kosovës po shkon drejt krijimit të një shoqërie religjioze etnike dhe jo anasjelltas.
Hulumtimi ka përfshirë 1 mijë persona të anketuar, 720 prej të cilëve shqiptarë të besimit islam dhe 280 shqiptarë të krishterë, nga të gjitha rajonet e Kosovës.
Sipas rezultateve të hulumtimit, 57 për qind e shqiptarëve mysliman e ndjejnë vetën së pari shqiptar e pastaj mysliman;32 për qind e ndjejnë vetën së pari mysliman dhe pastaj shqiptar; 8 për qind e ndjejnë vetën vetëm shqiptar, duke përjashtuar fenë; si dhe 3 për qind e ndjejnë vetën vetëm mysliman, duke përjashtuar identitetin etnik.
Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, duke analizuar gjetjet e hulumtimit, ka thënë se përqindja e personave të anketuar, të cilët e ndjejnë vetën së pari mysliman dhe pastaj shqiptar, është e madhe.
“Kjo është ajo zhvendosja shumë e madhe e identitetit, ku identiteti shqiptar shndërrohet në identitet linguistik, ndërsa, është edhe ai drejtimi që po e merr drejt krijimit, për këtë pjesë të shoqërisë, në shoqëri religjioze etnike, në vend se me qenë etnike, e pastaj me elemente religjioze, siç kanë qenë përpara shqiptarët”, ka thënë Peci.
Ai ka shtuar se edhe te komuniteti i krishterë është vërejtur rritje e identifikimit me identitetin fetar, në raport me identitetin kombëtar. Tek të anketuarit shqiptarë të krishterë, sipas hulumtimit, 70 për qind e të anketuarve e ndjejnë vetën së pari shqiptar e pastaj të krishterë; 15 për qind ndjehen së pari të krishterë e pastaj shqiptar;8 për qind vetëm të krishterë dhe 7 për qind vetëm shqiptar.
Bazuar në hulumtimin e KIPRED-it, edhe distanca socio-fetare është madhe dhe 5. 8 për qind e të anketuarve pranojnë vetëm të flasin me shqiptarët e konfesionit tjetër; 4.8 për qind e tyre preferojnë që të mos i kenë fqinjë; si dhe 1. 4 për qind e tyre preferojnë që në Kosovë të mos jetë asnjë prej tyre.
Ndryshe, hulumtimi i KIPRED-it nxjerr se 44 për qind e të anketuarve e ndjejnë veten së pari shqiptar dhe më pas kosovar; 32 për qind e ndjejnë veten kosovar e më pas shqiptar; 17 për qind e ndjejnë veten vetëm shqiptar dhe 7 për qind vetëm kosovar.
Agon Demjaha, hulumtues i KIPRED-it, ka thënë se një nga elementet që kanë ndikuar në raportin e religjionit me identitetin shqiptar, është edhe fillimi i procesit të krijimit të identitetit kosovar. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, sipas tij, shqiptarët e Kosovës u ballafaquan me situatë konfuze dhe të dykuptimtë.
“Simbolet kryesore shtetërore; flamuri, himni, nuk kishin asnjë pikë takuese me simbolet kombëtare shqiptare nga e kaluara. Ky rikonfigurim apo ripremtim i Kosovës, domosdo ka pasur efekt denacionalizues te shqiptarët e Kosovës”, theksoi Demjaha.
Por, në anën tjetër, profesori Ismajl Hasani, sociolog i religjionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se hulumtimi i vetëdijes fetare dhe etnike, me vetëm 1 mijë të anketuar, është problematike të jetë e besueshme.
“Unë nuk besoj të ketë lëvizur vetëdija e shqiptarëve në këto përmasa. Pa dashur që të komentoj diçka që unë nuk kam prirje t'i besoj se i qëndron parametrave të mirëfilltë shkencor, megjithatë, mendoj se janë gjëra mund t’i shërbejnë vetëm debatit të njerëzve, që në emër të analizave shkencore dhe në emër të të ashtuquajturave analiza për probleme të tilla, bëjnë përpjekje të nxjerrin tema ditore”, është shprehur profesor Hasani.
Profesor Hasani ka shtuar se rezultatet e tilla të hulumtimit të KIPRED-it, nëse, siç ka thënë ai, në mënyrë hipotetike, do të ishin të sakta, atëherë kjo paraqet një përmbysje të pjesshme të civilizimit të shqiptarëve.
“Do të thotë, në mënyrë hipotetike, nëse mund të jetë rezultat i besueshëm, atëherë do të bëhej fjalë për një përmbysje të një pjese të konsiderueshme të proveniencës së civilizimit evropian në Kosovë, me çka të gjithë njerëzit do të duhej të ndjeheshin keq. Këtu, para së gjithash, e kam fjalën për zhvendosjen e predikimit të islamit tradicional në këto treva dhe përpjekjen për inaugurimin e të ashtuquajturit ‘islamit ekstremist’ , në trajtën e vehabizmit”, ka thënë profesor Hasani.
Sidoqoftë, hulumtuesit e KIPRED-it kanë theksuar se në përhapjen e ideologjive ekstreme fetare kanë ndikuar organizatat e ndryshme ndërkombëtare me bazë fetare, të cilat menjëherë pas luftës në Kosovë, “nën maskën e ndihmës humanitare, kanë përdorur pa mëshirë varfërinë dhe kushtet shoqërore” të qytetarëve të Kosovës.
Sipas tyre, kjo ka ndodhur veçanërisht në hapësirat rurale , “duke dëmtuar seriozisht traditat kulturore të këtyre komuniteteve”. Përfaqësuesit e KIPRED-it kanë dhënë edhe një varg rekomandimesh se si duhet qasur problemit, duke përfshirë udhëheqësit politik dhe të institucionet qeveritare, institucionet e drejtësisë, Fakultetin e Shkencave Islame, si dhe institucionet qeveritare përgjegjëse për arsimin.
Facebook Forum