Kosova duhet të jetë e vetëdijshme që ka “miq të rrejshëm” dhe “Turqia është mike e rrejshme e Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, David Phillips, drejtor i Programit për ndërtimin e paqes në Institutin për studimin e të drejtave të njeriut, në Universitetin e Kolumbisë në New Jork. Ai ka qenë këshilltar në Departamentin e Shtetit dhe ekspert për marrëdhënie të jashtme.
Phillips ka theksuar se Turqia, përmes Agjencisë turke për zhvillim ndërkombëtar (TIKA), si dhe përmes ambasadës së saj në Kosovë, ka krijuar pozicion të fortë dhe të dukshëm, por agjenda e saj, siç ka thënë ai, “nuk është që t’i ndihmojë kosovarët, por që ta promovojë islamin turk në Kosovë”. Sipas tij, Kosova nuk është e vetëdijshme për një gjë të tillë.
“Jo, sepse në planet afatshkurta ekzistojnë përfitime të drejtpërdrejta nga marrëdhëniet e tilla me Turqinë. Por, investimet e Turqisë nuk janë në interesin e Kosovës ,por i shërbejnë interesave të Turqisë."
"Duhet të kemi kujdes për këtë. Kudo që ekziston zbrazëtira, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet ta plotësojnë atë. Institucionet ndërkombëtare duhet të përfshihen dhe janë të nevojshme kontaktet më të forta ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe të atyre nga vendet perëndimore”, ka thënë Phillips.
Duke folur për ekstremizmin e dhunshëm, ai ka theksuar se është e pamundur që ai të çrrënjoset vetëm përmes masave të sigurisë. Por, sipas tij, për një gjë të tillë nevojitet, siç e ka quajtur ai, “pushteti i butë”.
“Kjo përfshin arsimimin, vende të reja pune, zhvillimin ekonomik, bashkëpunim të shoqërisë në nivelin lokal, në mënyrë që të rinjtë të binden se kanë të ardhme në qoftë se përkushtohen ndaj strategjive që do t’i avancojnë. Mund të bëhet shumëçka. Radikalizmi është pjesë e problemit të madh që ekziston në Kosovë dhe kjo është dëshpëruese”, ka theksuar Phillips.
Sipas tij, masat e sigurisë nuk janë zëvendësuese të shpresës që duhet t’u ofrohet njerëzve.
“Atë shpresë duhet ta ofrojnë autoritetet e Kosovës. I dimë statistikat për papunësinë. Të rinjtë janë të dëshpëruar. Janë të dëshpëruar me liderët politik dhe me krimin e përhapur dhe korrupsionin në qeveri. Qeveria e Kosovës duhet të reagojë, që t’i inspirojë njerëzit dhe që t’u jepet shpresa për një të ardhme më të mirë. Po ta kishin të rinjtë këtë nuk do t’i ktheheshin islamit radikal”, konsideron Phillips.
Ai thotë se në vendin ku nacionalizmi gjithmonë ka qenë ndjenjë mjaft e fuqishme, është brengosës fakti që tashmë islamizmi është i përhapur ndër të rinjtë.
Sipas tij, luftëtarët që kthehen nga vend-luftimet e huaja paraqesin rrezik të veçantë për shoqërinë dhe siç thotë ai, për ta nevojitet program i posaçëm për integrimin e sërishëm në shoqëri.
“Burgjet janë problematike, për shkak se në burgje njerëzit i krijojnë kontaktet me ekstremistët e dhunshëm. Në këtë mënyrë, burgjet shndërrohen në një lloj universiteti për xhihadistët. Burgosja nuk është përgjigje ndaj kësaj. Këtë e kemi parë në Guantanamo në Kubë, si dhe në qendrat ndëshkuese në Irak dhe Afganistan. Ajo që nevojitet është që njerëzve t’iu ofrohet shpresa për të ardhmen, shkathtësitë dhe mundësitë ekonomike, në mënyrë që ta kenë ndjenjën se mund të bëjnë diçka me jetën e tyre, në vend se t’i kthehen ekstremizmit fetar”, theksoi Phillips.
Ai ka shtuar se fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit është problem global dhe si i tillë ai paraqitet edhe në Kosovë, në rajon, Evropë dhe në gjithë botën. Nisur nga ky fakt, sipas tij, nuk është e drejtë që Kosova të veçohet si vendi numër një që për kokë banori i ka kontribuuar më së shumti me luftëtarë të ashtuquajturit Shteti Islamik. (REL)
Facebook Forum