Hulumtimet më të reja thonë se institucionet shtetërore dhe fetare kanë qenë joefikase në pengimin e përhapjes së ideologjisë ekstremiste në vendet rurale në Kosovë, ku të rinjtë janë të izoluar më shumë janë të orientuar kah institucionet dhe drejtuesit fetar.
Në raste të caktuara, sipas hulumtimeve, të rinjtë kanë qenë të ndikuar nga ligjëratat e disa imamëve, të cilët tashmë janë në mesin e të arrestuarve për shkak të rekrutimit dhe bashkëpunimit me grupet ekstremiste.
Vesë Kelmendi nga Qendra Kosovare për studime të Sigurisë, ka thënë se rreth 65 për qind e banorëve të mjediseve rurale më shumë u besojnë institucioneve fetare, për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë që kanë me përfaqësuesit e këtyre institucioneve.
“Sipas tyre, kjo ka ndodhur për shkak se ata janë të neglizhuar nga institucionet shtetërore. Ndërsa, qëndrimet e tyre i kanë më të përafërta me prijësit e tyre fetarë”, ka thënë Kelmendi.
Sipas saj, banorët e mjediseve rurale ndjehen të izoluar dhe autoritetet shtetërore nuk i vizitojnë. Ky është edhe shkaku, siç ka thënë ajo që pakënaqësitë e tyre ata banorë t’ua paraqesin institucioneve fetare ose udhëheqësve të tyre fetar.
Në anën tjetër, Ahmet Sadriu, zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se besueshmëria, kredibiliteti dhe afërsia e këtij institucioni me qytetarët nëpër të gjithë Kosovën, ka ekzistuar gjithmonë.
Megjithatë, sipas tij, janë shumë faktorë që kanë ndikuar në indoktrinimin apo devijimin dhe ndër ta është edhe indoktrinomi fetar. Por, sipas tij, kleri fetar mysliman ka arritur ta ruaj ndikimin, autoritetin dhe respektin tek qytetarët, pavarësisht se siç thotë ai, me emërtimin “imam” është manipuluar shpeshherë.
“Është manipuluar shumë, nëpër mediume të ndryshme, me emrin “imam” kur janë bërë arrestimet. Të gjithë janë futur në një ‘thes’ me këtë termin ‘imam’ edhe pse nuk kanë pasur të bëjnë me imam".
"Por, megjithatë, në fund rezulton se tash e kemi një prej imamëve, që ka qenë i angazhuar, që është dënuar. Kemi pasur disa të arrestuar, me dyshime, normalisht. Rezultatet kanë dalë se ata kanë qenë të pafajshëm dhe janë liruar. Por, Bashkësia Islame e Kosovës i ka xhamitë nën kontroll. E kemi thënë dhe po e themi prapë këtë”.
Sadriu ka shtuar se bazuar në politikat e veta, Bashkësisë Islame të Kosovës ka kërkuar nga imamët e saj që në vazhdimësi ta këshillojnë xhamtin e tyre që të rrinë sa më larg indoktrinimeve që i cytin drejt ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar.
Megjithatë, sipas Sadriut, shoqatat e ndryshme nga lindja dhe nga perëndimi, të cilat kanë ardhur në Kosovë pas luftës, nën petkun e humanizmit kanë ofruar krejtësisht tjetër gjë, duke ndikuar në indoktrinimin e personave të caktuar.
“Nën petkun e humanizmit kanë predikuar edhe diçka tjetër, kanë bërë indoktrinimin edhe nga lindja edhe nga perëndimi. Do të thotë e kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre nën petkun e humanizmit. E kanë shfrytëzuar situatën e vështirë ekonomike dhe normalisht që kanë gjetur aso viktimash, tek të cilat kanë arritur që ideologjitë e tyre t’i bartin. Kjo edhe është rezultat i kësaj”.
Sadriu ka shtuar se në indoktrinim kanë ndikuar edhe portalet e ndryshme në të cilat të rinjtë kanë qasje. Por, sipas tij, ky trend është në rënie pas angazhimit të Bashkësisë Islame të Kosovës e cila ka sqaruar se kjo s’ka të bëj fare më “luftëne shenjtë” dhe me besimin islam.
Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë dashur ta komentojnë perceptimin e qytetarëve që ka dalë nga hulumtimet, rezultati i të cilave thotë se qytetarët më shumë kanë besim në institucione fetare dhe udhëheqësit e tyre se sa në institucionet shtetërore, si dhe perceptimin se institucionet shtetërore dhe fetare kanë qenë joefikase në pengimin e përhapjes së ideologjisë ekstremiste në vendet rurale në Kosovë.
Aktualisht, sipas përfaqësuesve të Bashkësisë Islame të Kosovës, ky institucion ka rreth 800 xhami në Kosovë, si dhe rreth 2 mijë të punësuar.
Ndryshe, Policia e Kosovës, në vitin 2014 kishte arrestuar 40 persona nën dyshimin se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, duke ju ofruar mbështetje organizatave terroriste Shteti Islamik dhe Al-Nusra.
Në mesin e të arrestuarve ka qenë edhe imami Zeqirja Qazimi, të cilin Gjykata Themelore në Ferizaj, në muajin maj, e ka dënuar me 10 vjet burg.
Ai ishte akuzuar për keqpërdorje të detyrës zyrtare si imam i xhamisë “El -Kuddus” në Gjilan, për shkak se publikisht ka nxitjes së urrejtjen, dhe mostolerancën ndërmjet grupeve racore, etnike dhe fetare. (REL)