Vendimi gjyqësor i shkallës së parë i Tribunalit të Hagës për liderin e radikalëve serbë, Vojislav Sheshel, manipulon në tërësi me të kaluarën, i zhvlerëson faktet dhe ngjarjet e vërtetuara në ish Jugosllavi, thotë në një intervistë për shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Florence Hartmann, ish zëdhënëse e Tribunalit të Hagës.
Hartmann, këto ditë është liruar nga burgu, ku ka vuajtur dënimin prej 7 ditësh, të cilin ia ka shqiptuar po ky tribunal.
Ajo ishte dënuar për mosrespektim të Gjykatës, për shkak se në librin e saj “Paqja dhe dënimi”, si dhe në tekstin me titull “Fshehja e fakteve kyçe për gjenocid”, ka shkruar se “gjykatësit e Tribunalit të Hagës kanë marrë pjesë në fshehjen e dokumenteve të rëndësishëm” të përfshirjes së Republikës Federative të Jugosllavisë në gjenocidin në Srebërnicë.
“Gjykatësi (Jean-Claude Antonetti), i cili, fatkeqësisht, është francez, thotë se Shesheli, në esencë, vetëm e ka shprehur mendimin politik; pra, se bëhet fjalë për lirinë e shprehjes së qëndrimit të tij politik, i cili nuk e ka dimensionin penal. Për njerëzit që e kanë përcjellë Sheshelin, kjo është shokuese. Unë vet, si gazetare e huaj, i kam përcjellë fjalimet dhe aktivitetet e tij dhe të njerëzve të tij në terren - në Hërtkovc, në Vukovar, në Bosnjën lindore".
"Kam parë edhe rekrutimin e vullnetarëve në shtabin e radikalëve në mes të Beogradit, që nga viti 199i e më tutje. Të gjith ishin me flamuj të zi dhe me kafka në to. Gjithashtu, nuk ka asnjë dyshim që fjalimet e tij i kanë trimëruar njësitet paraushtarake në terren. prandaj, vendimi gjyqësor ka qenë mjaft i çuditshëm”, ka theksuar Hartmann.
Sipas saj, vendimi gjyqësor e mohon ndikimin e gjuhës së urrejtjes së një njeriu, i cili, ka qenë, siç e quan ajo, “zëdhënës ekstremist i Milosheviqit”, sepse “ ka folur atë që Milosheviqi vet nuk ka mundur ta thotë”.
Fjalimet e Sheshelit, siç thotë Hartmann, kanë pasur ndikim në formacionet paraushtarake në terren, sepse këto të fundit, në vazhdimësi janë thirrur në ato fjalime dhe “fjalimet e tij, në vazhdimësi i kanë përsëritur vrasësit e tij në terren”.
“Që gjykatësi i Tribunalit të Hagës, pas kaq vitesh gjykimi, të thotë se kjo nuk ka pasur ndikim dhe se kjo është vetëm shprehje e qëndrimeve të tij politike - kjo në tërësi është skandaloze. Ai në tërësi po manipulon me të kaluarën, gjë që është problem i madh për rajonin, sepse po i anulon tashmë faktet dhe ngjarjet e vërtetuara në ish Jugosllavi. Përveç kësaj, vendimi i gjykatësit francez, do të ketë pasoja në të tashmen e rajonit".
"Ai është mohim i gjithë mandatit dhe mënyrës, në të cilën duhet të funksionojë procesi ligjor në Tribunal dhe kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në potencialin e pajtimit dhe mirëkuptimit ndërmjet palëve të ndryshme, të cilat kanë marrë pjesë në luftë”, ka theksuar Hartmann.
Ajo ka shtuar se ndikimi do të shtrihet edhe në të ardhmen, sepse “porositë se nuk do të ketë kurrfarë pasojash penale në qoftë se dikush bën thirrje për dhunë dhe vrasje masive”.
Vendimi gjyqësor në rastin e Sheshelit, sipas Hartmann, nuk ka lidhje me drejtësinë dhe nuk ka lidhje as me pretendimet që Prokuroria nuk e ka argumentuar këtë apo atë.
Ajo thotë se edhe në rast që prokuroria ka bërë gabime, të cilat nuk mund të përjashtohen, shtrohet pyetja se a është e mundur që të bëhen aq gabime që e gjithë fajësia të shkarkohet nga njeriu, për të cilin ekzistojnë mjaft xhirime të regjistruara dhe mjaft dëshmitarë.
“Ajo që mua më brengos në veçanti, në këtë vendim gjyqësor, është këndi politik prej të cilit është bërë revidimi i të kaluarës politike. Duhet hetuar se çfarë në të vërtetë ka ngjarë aty”, theksoi Hartmann.
Ajo shpreh dyshimin se gjykatësi francez Antonetti ka agjendën e vet, por për të cilën ajo nuk ka njohuri.
“A ndan ai qëndrime të ngjashme politike sikurse Shesheli, këtë nuk e di, por është krejtësisht e mundshme dhe kjo duhet të hetohet”, ka theksuar Harmann.
Sipas saj, tashmë Shesheli e ka rrugën e hapur që të marrë mjaft mandate deputetësh ë Kuvendin e Serbisë, në zgjedhjet e 24 prillit. Kjo sipas saj, është rrjedhojë e vendimit gjyqësor, i cili siç thotë ajo, jo vetëm që e mohon të kaluarën, por edhe e orienton të ardhmen, në drejtimin që Serbia të mbetet në iluzionet dhe projektet, të cilat do ta largojnë nga Evropa.
“Pra, Antonetti, do ta trimërojë Serbinë kundër-evropiane, e cila do t’i shembë bisedimet e saj me Bashkimin Evropian”, u shpreh Hartmann.
Ajo ka shtuar se në rast se parashtrohet ankesë nga ana e Prokurorisë dhe në rast se Dhoma e apelit vlerëson që Këshilli Gjyqësor i shkallës së parë ka bërë shumë gabime, atëherë edhe mund të vendosë që gjykimi të rishikohet. Por, sipas saj, kjo mund të zgjasë, së paku, dy vjet.