Ndërlidhjet

Haga ka marrë vendim “të turpshëm” për Sheshelin


Vojisllav Sheshel
Vojisllav Sheshel

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte ka gjetur se ultra-nacionalisti serb, Vojisllav Sheshel, nuk është fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që lidhen me luftërat në Ballkan në vitet 1990.

Sheshel nuk ka qenë i pranishëm në seancën e së enjtes në Gjykatën në Hagë, kur gjykatësi kryesues, Jean-Claude Antonetti, ka bërë të ditur se ai është i lirë.

Antonetti ka thënë se gjykata ka vendosur se Sheshel nuk mban asnjë përgjegjësi individuale për krimet, për të cilat është akuzuar.

“Me lirimin nga të nëntë pikat e akuzës, urëdhër-arresti i lëshuar nga dhoma e apelit më 17 qershor, 2015, zhvlerësohet. Vojisllav Sheshel është njëri i lirë pas këtij aktgjykimi”, ka thënë gjykatësi Antonetti.

Gjykata e Hagës ka lejuar që Sheshel, 61 vjeç, të qëndrojë në Beograd kur të jepet vendimi. Atij i është dhënë leje e përkohshme në vitin 2014 për trajtim të kancerit, por ai i ka sfiduar urdhërat e gjykatës për t’u kthyer dhe ka mbetur në Serbi. Prej atëherë, ai është rifutur në skenën politike, duke mbajtur tubime, në kundërshtim me urdhërat e gjykatës.

Sheshel, i cili ka qenë zëvendëskryeministër në regjimin e Millosheviqit, është përballur me tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe gjashtë akuza për krime lufte në Kroaci, Bosnje dhe në krahinën e Serbisë, Vojvodinë.

Prokurorët kanë thënë se ai ka ndihmuar ngritjen e njësiteve paraushtarake që do të ndihmonin realizimin e qëllimit të tij – krijimin e së ashtuquajturës “Serbi e Madhe”, e pastër etnikisht. Këta paraushtarakë kanë dëbuar dhjetëra-mijëra myslimanë dhe kroatë nga shtëpitë e tyre.

Sheshel është i njohur për retorikë kërcënuese. Ai është zotuar se do të vrasë kroatë “duke ua nxjerrë sytë me lugë të ndryshkura”.

Kryeministri i Kroacisë, Tihomir Oreshkoviq, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Hagës është “i turpshëm”.

“Nuk mund të kuptoj se si dikush që është dëshmuar se ka marrë pjesë në agresionin në Bosnje, të lirohet”, ka thënë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq.

Ndaj vendimit të Hagës ka reaguar edhe zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi.

“Vendimi për Sheshelin i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte është dështim total i drejtësisë ndërkombëtare. Njeriu ka shkaktuar dhimbje, vdekje dhe kaos për mijëra njerëz”, ka shkruar Selimi në rrjetin social Twitter.

Vetë Sheshel ka thënë “nuk i interesojnë reagimet nga Bosnja dhe Kroacia”.

“Kur kam shkuar në Hagë, e kam ditur se asnjë krim nuk mund të dëshmohet”, ka thënë Sheshel në një konferencë për gazetarë nga Partia Radikale Serbe.

Ish-zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Florence Hartmann, ka thënë se aktgjykimi do të thotë se Sheshel mund të vazhdojë me politikën e tij dhe të bëhet njeri me ndikim.

“Pohimi se Sheshel me vendosjen vullnetarëve paraushtarakë ka dashur të mbrojë civilët, e çon Gjykatën e Hagës nga realiteti në fantazi”, ka thënë eksperti britanik për Ballkanin, Tim Judah.

Lirimi i Sheshlit vjen një javë pasi Gjykata e Hagës ka dënuar ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, me 40 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për gjenocid dhe krime lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-95. Rreth 100,000 njerëz kanë vdekur në këtë luftë.

Ratko Mlladiq, gjenerali serb që ka komanduar forcat serbe të Bosnjës, është duke pritur vendimin për të në Hagë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG