Ndërlidhjet

Politikanët e Serbisë keqpërdorin vizitat në Kosovë


Vojislav Sheshel, lideri i Partisë Radikale serbe, ka hequr dorë nga vizita në Mitrovicën e veriut, pas paralajmërimeve nga autoritetet e Kosovës se ai do të ndalohej ose arrestohej në rast se shkel në Kosovë.

Në mesditën e të martës, në Mitrovicën e veriut, ishin tubuar mbi 100 idhtarë të partisë së Sheshelit. Ai, nga Beogradi, përmes një lidhje telefonike, u është drejtuar të tubuarve me tone nacionaliste, duke thënë se “Qeveria e Serbisë dhe seperatistët shqiptarë” nuk ia lejuan praninë në Kosovë.

Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës, kishin paralajmëruar se do ta zbatojnë çfarëdo vendimi që marrin autoritetet shtetërore të Kosovës, për ndalimin apo arrestimin e Sheshelit. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Policia e Kosovës, bazuar në vendimin që marrin autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës, në këtë rast Ministria e Punëve të Jashtme, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me obligimet ligjore”, ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër, ditëve të fundit, në disa komuna të Kosovës, përfaqësues të partive politike, por edhe përfaqësues të pushtetit aktual të Serbisë, kanë mbajtur tubime zgjedhore si dhe takime me qytetarët serb të Kosovës.

Rreth dhjetë ditë më parë, Kosovën e ka vizituar,kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lider i Partisë Progresiste Serbe, si dhe bashkë-partiaku i tij, Marko Gjuriq. Të dielën e kaluar, me 10 prill, në Kosovë ka qëndruar zëvendëskryeministri serb Ivica Daçiq, lider i Partisë Socialiste të Serbisë.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se deri më tash, përveç Sheshelit, të gjithë politikanët tjerë serbë që kanë vizituar Kosovën, kanë bërë kërkesa për një gjë të tillë, dhe ato u janë miratuar. Sipas tyre, “në këtë mënyrë po respektohet dyshtetësia e qytetarëve serbë të Kosovës dhe e drejta e tyre që të marrin pjesë në proceset zgjedhore të Serbisë”.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se megjithatë, vizitat e tilla, janë keqpërdorur nga politikanët serbë.

“Është e vërtetë që në këtë fushatë, ata i kanë përdorë apo keqpërdorë për qëllime politike. Megjithatë, Republika e Kosovës e konsideron të rëndësishme që ne të vazhdojmë komunikimin, si me serbët e veriut ashtu edhe me Republikën e Serbisë, në mënyrë që situata në Kosovë, në një të ardhme të afërt, të normalizohet plotësisht. Kemi raste kur janë refuzuar, sikurse rasti i Sheshelit, të cilin edhe shteti i Kosovës, por edhe popullata e konsiderojnë si kriminel, i cili ka marrë pjesë dhe ka dizajnuar veprimet kriminale kundër popullatës shqiptare në Kosovë”.

Megjithatë, në mjaft raste, për tubime elektorale, të cilat janë mbajtur në komunat me shumicë serbe, janë shfrytëzuar objektet publike apo edhe ato që u takojnë institucioneve lokale të Kosovës. Në këto të fundit, madje kanë valuar flamujt e shtetit të Serbisë.

Situatën e tillë, Gecaj e shpjegon kështu.

“Ato institucione publike, të cilat shfrytëzohen për fushatë zgjedhore, ato në të vërtetë janë institucione që duhet t’u shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Uunë besoj që në një të ardhme këto gjëra nuk do të ndodhin. Por, tani jemi në një fazë në të cilën ende nuk kemi integrim të plotë të asaj pjese të Kosovës (veriut)në sistemin tonë".

"Ju e dini që edhe në komunat, të cilat kanë rezultuar pas zgjedhjeve (lokale të Kosovës) të 2013 ende mund të shihen simbolet e Republikës së Serbisë. Ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë situatë. Ne po punojmë në vazhdimësi. Unë besoj që ka pasur rezultate dhe të arritura. Por, ende nuk e kemi arritur pikën e fundit, ku ato do të jenë plotësisht të integruara në sistemi9n e republikës së Kosovës ”, ka theksuar Gecaj.

Sidoqoftë, ditëve të fundit, në fushatën parazgjedhore të partive politike serbe, janë kyçur edhe përfaqësues serbë në institucionet e Kosovës, përfshirë edhe ministra serb në Qeverinë e Kosovës dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, të cilët vijnë nga radhët e Listës Serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG