Partitë politike opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, mbajtën një takim me strukturat partiake në Prishtinë, ku deklaruan se, si opozitë, nuk do të ndalen me protesta paqësore deri në largimin nga pushteti të qeverisjes aktuale.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se opozita, me protesta e kundërshtime do të vazhdojë me të njëjtin intensitet, pasi, që sipas tij, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, po vazhdojnë rrënimin dhe falimentimin e Kosovës.
“Këta përmbysës të rendit kushtetues të vendit, jo vetëm që po vazhdojnë ta mbajnë të uzurpuar institucionin publik, jo vetëm që po vazhdojnë t’i sulmojnë për çdo ditë institucionet e demokracinë me vendimet e tyre shtet-kapëse, por po vazhdojnë ta kërcënojnë sovranitetin e Republikës me të njëjtën mënyrë, me të njëjtin instrument pra me Zajednicë. Ata po vazhdojnë t’ia djegin të ardhmen këtij populli të Republikës, ndërkohë si kundër përgjigje ndaj kësaj, vazhdojnë ta ofendojnë këtë popull publikisht”, tha Ymeri.
Ndërkaq, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, theksoi se liderët e partive të koalicionit qeverisës, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, janë mashtrues. Sipas tij, të njëjtitkanë armiqësuar e popullin ndërmjet vete.
“Ata që po vendosin për ne, për Kosovën, janë mashtrues, janë hileqarë dhe nuk janë të dinjitetshme në detyrat në përgjegjësit që i kanë. Udhëheqësit e Kosovës të tashëm, vendim-marrësit e institucioneve, besoni e kanë nxitur popullin deri në vëllavrasje, në emër të disa vlerave, të cilat ata kanë menduar se vetëm ata i posedojnë, e i trashëgojnë dhe kanë të drejtë të thirren në to. Sot janë bashkë pa pikë fytyre i nëpërkëmbin ato vlera, me të cilat e kanë armiqësuar qytetarin”, theksoi Haradinaj.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, derisa foli para një numri të konsiderueshme të qytetarëve në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, tha se më 9 janar u tregua një faqe e re e Kosovës, dhe siç u shpreh ai, u dha mesazh i qartë se Kosova nuk pranon më që të udhëhiqet nga shkelësit e Kushtetutës.
“Protesta e 9 janarit e dha mesazhin me të mirë. Koha e mashtruesve ka përfunduar. Ne nuk ndjekim dhe përndjekim emra të njerëzve, ne përndjekim veprimet e tyre. Ne nuk shantazhojmë, kërcënojmë e frikësojmë njerëz ashtu siç kanë bërë deri tani”.
“Ne duhet të sigurohemi se në Kosovë ka ardhur një moment i ri i ndryshimit. Kosova duhet të respektohet; kërkesat e saj duhet të dëgjohen, interesat e saj duhet të mbrohen. Kjo është ajo që ne kërkojmë dhe kjo është ajo që ne duam ta kemi në një Kosovë të re dhe ndryshe nga ajo që ka qenë deri më tani”, u shpreh Limaj.
Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, më 9 janar kanë mbajtur njëprotestë me moton “Protestojmë për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë anti-kushtetuese”.
Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.
Opozita, kërkesave të deritashme, për anulimin e këtyre marrëveshjeve, ua ka shtuar edhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi.