Ndërlidhjet

Mundësitë për zgjedhje të parakohshme në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Partitë e koalicionit qeverisës në Kosovë e përjashtojnë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si rezultat i trysnisë që po zhvillon opozita përmes protestave në rrugë dhe bllokimit të punës së Kuvendit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës, të hënën ka dhënë një prononcim të shkurtë, duke thënë se qeveria që ai drejton, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe pakicat, do të qeverisë deri në fund të mandatit të saj kushtetues.

"Qeveria do të vazhdojë të punojë deri në vitin 2018", ka deklaruar Mustafa.

Në anën tjetër, tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma për Kosovën, insistojnë në dorëheqjen e qeverisë aktuale, duke besuar se përmes zgjedhjeve do të bëhej edhe rrotacioni në pushtet.

Kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj thotë se një qeveri që e ka shkelur kushtetutën, nuk mund të qeverisë më me vendin.

"Kjo qeveri ka humbur mbështetjen popullore, edhe legjitimitetin, përveç se ka mbetur si shkelëse e kushtetutës. Pavarësisht propagandës, shpifjeve, tendencave për frikësim, askush nuk mund t'i ndalë qytetarët e Kosovës në mbrojtje të shtetit dhe kushtetutës së vet", ka thënë Limaj.

Ndërkohë, analisti politik, Imer Mushkolaj beson se gradualisht po krijohen parakushtet që zgjedhjet në Kosovë të mbahen para vitit 2018. Ruajtja e unitetit të opozitës, vijon Mushkolaj, do të diktonte një proces të pashmangshëm zgjedhor.

Ndërkaq, vetëm prishja eventuale e bllokut opozitar, sipas tij, do të mund të çonte deri te rikompozimi i koalicionit qeverisës, me çka do të mund të tejkalohej kriza aktuale politike.

"Konsideroj se nëse ndonjëra prej partive opozitare, në këtë rast e kam fjalën për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, vendosë që për arsye apo me qëllim që të dilet nga kriza të arrijë ndonjë kompromis apo konsensus dhe t'i bashkohet koalicionit qeveritar, ndonëse jo me këtë përbërje aktuale, por me një përbërje tjetër, atëherë mund të kemi një tejkalim të krizës ", ka thënë Mushkolaj.

Në çdo rast, analisti Mushkolaj thotë se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje pa një marrëveshje politike mbi bazën e së cilës do të vendosej edhe se si t'u jepet përgjigje shqetësimeve të opozitës dhe qytetarëve në lidhje me Marrëveshjen me Serbinë, për formimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe marrëveshjes me Malin e Zi, për demarkacionin e kufirit.

Një element tjetër me rëndësi, vijon ai, është edhe kalimi përmes një faze kalimtare deri në zgjedhje, për shkak të klimës jo të favorshme politike në vend.

"Kjo periudhë kalimtare do të mund të sigurohej e qetë para se të mbahen zgjedhjet, vetëm nëse palët paraprakisht merren vesh se çfarë do të bëhet me dy dilemat e ngritura nga opozita. Është e kotë që të caktohen zgjedhjet, qoftë tash, qoftë pas tre muajve apo gjashtë muajve, nëse paraprakisht nuk i jepet zgjidhje qoftë çështjes së Asociacionit, apo të demarkacionit", ka theksuar Mushkolaj.

Pas një aktiviteti politik prej katër muajve për bllokimin e punës së Kuvendit dhe organizimit të disa protestave në rrugë, opozita organizoi edhe protestën e parë për këtë vit më datën 9 janar, në Prishtinë.

I gjithë ky aktivitet politik, sipas opozitës, ka si qëllim kundërshtimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të 25 gushtit të vitit 2015, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjes me Malin e Zi, për shënjimin e vijës kufitare.

Opozita beson se argumentet e saj janë shtuar dukshëm pas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen për Asociacionin, ku mes tjerash thuhet se disa parime të saj nuk janë në tërësi në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG