Ndërlidhjet

Opozita: Qeveria e ka humbur legjitimitetin


Tre liderët opozitarë Ramush Haradinaj, AAK, Visar Ymeri VV dhe Fatmir Limaj, Nisma.
Tre liderët opozitarë Ramush Haradinaj, AAK, Visar Ymeri VV dhe Fatmir Limaj, Nisma.

Tre liderët e partive opozitare në Kosovë, Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosje, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, kanë mbajtur të dielën konferencë për media, në sheshin Skënderbeu, aty ku një ditë më parë është mbajtur protesta e organizuar nga opozita.

Të tre liderët opozitarë e kanë vlerësuar protestën e së shtunës si më masiven dhe më të mirën që ka ndodhur në Kosovë që nga lufta e deri më sot.

Visar Ymeri, lider i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se nëpërmjet protestës së të shtunës, qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar, sipas tij, në mënyrë referendumi, se janë kundër Qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa dhe se duan që kjo qeveri të japë dorëheqje sa më parë”.

Qytetarët e Republikës së Kosovës, kanë ardhur në Prishtinë, në kryeqytetin e Republikës, në sheshin Skënderbeu, për t’i treguar Qeverisë së Republikës së Kosovës se nuk ka as legjitimitet demokratik e as legalitet institucional, që të vazhdojë tutje. Protesta e djeshme [9 janar[ e tregon se Qeveria e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, më nuk janë as kryeministra e as ministra të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ymeri.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se është ndier i emocionuar gjatë protestës së të shtunës, për shkak të, siç ka thënë ai, pjesëmarrjes së madhe të qytetarëve të Kosovës në protestë.

“Këto emocione vijnë për faktin se ne e dimë që Kosova është keq. Është keq për shkakun e udhëheqjes, e cila jo vetëm që ka udhëhequr gabim gjithë këto vite, por edhe ka marrë vendime që janë të rrezikshme për vendin - këto të fundit. Dje i kemi kërkuar Qeverisë së vendit që të shkojë, Mustafës dhe Thaçit. E kanë kërkuar qytetarët e vendit. Tani ora ka filluar dhe koha numëron që këta të reflektojnë”, është shprehur Haradinaj.

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka theksuar se qytetarët që kanë marrë pjesë në protestën masive të së shtunës, kanë dërguar dy porosi.

“E para, se Kosova është aktive dhe se nuk pranon të qeveriset nga një qeveri që ka shkelur Kushtetutën. Dhe e dyta, porosia është për qeveritarët: populli ju ka hequr besimin dhe populli nuk pranon që ju të vazhdoni t’i qeverisni. Kërkojmë dorëheqjen e juaj që të dalim sa më shpejt nga kjo krizë politike, vendi të shkojë në zgjedhje dhe kështu, të bien të dy marrëveshjet që kanë qenë dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe kundër interesave të Kosovës”, ka theksuar Limaj.

Ndërkaq, lidhur me dhunën, e cila ka shpërthyer nga një grup protestuesish, pas përfundimit të fjalimeve të liderëve të opozitës në protestën e së shtunës, e cila rezultoi me përplasje me Policinë e Kosovës, lideri i Vetëvendosjes, Ymeri, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të drejtpërdrejtë.

Ai ka theksuar se porosia e protestës së 9 janarit, është porosi, sipas tij, e 100 mijë qytetarëve.

“Kjo ka qenë protesta e djeshme, në të cilën janë bashkuar një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Republikës dhe të cilët, me ngulm kanë kërkuar largimin e kësaj qeverie. Pra, protesta e djeshme është përmbyllur, si protestë masive, me një kërkesë të qartë: që shkelësit e Kushtetutës dhe ata që e kanë dëmtuar rëndë interesin e Republikës, sovranitetin e saj dhe integritetin territorial, nuk mund të mbesin më në krye të vendit”, ka shtuar Ymeri.

Protesta e 9 janarit e thirrur nga partitë opozitare, është e para në këtë vit, pas një varg tubimesh dhe protestash të organizuara edhe në disa qendra tjera të Kosovës, të cilat janë organizuar në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG