Ndërlidhjet

Synimi kryesor i serbëve për vitin 2016, krijimi i Asociacionit


Mitrovica
Mitrovica

Ambiciet kryesore të serbëve të Kosovës për vitin 2016, janë krijimi i mundësive për një jetë më e mirë, si dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që tashmë është synim i njohur për të gjithë, thonë përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës, si dhe njohësit serbë të zhvillimeve politike.

Vladeta Kostiq, kryetar i Komunës së Graçanicë, që vjen nga Lista Serbe, si partner i koalicionit me LDK-në (Lidhjen Demokratike të Kosovës) dhe PDK-në (Partinë Demokratike të Kosovës) në Qeverinë e Kosovës, thotë se ambicia kryesore e serbëve të Kosovës, në përgjithësi, dhe përfaqësuesve të tyre politikë në institucionet në Prishtinë, për vitin 2016, është që zëri i bashkësisë serbe të dëgjohet më fuqishëm dhe të merret më shumë në konsideratë.

“Ne po përpiqemi që të jemi partner konstruktiv dhe të besueshëm, me partnerët e shumicës në Qeveri, por edhe në Kuvend, dhe nga kjo nuk do të heqim dorë. E rëndësishme është që nga të gjitha ato ligje që do vijnë në rend dite në Kuvend, Lista Serbe do t’i mbështesë të gjitha ato që shkojnë në drejtim të integrimeve evropiane dhe që i kultivojnë vlerat evropiane dhe demokratike në secilën shoqëri të zhvilluar”, thotë Kostiq.

Ai shton se për t’u dëgjuar më fuqishëm zëri i serbëve të Kosovës, do të nevojitet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sipas tij, serbët dhe përfaqësuesit e tyre politik në institucionet e Kosovës, presin që ky Asociacion të themelohet në vitin 2016.

“Bashkësia apo Asociacioni i komunave serbe, gjithsesi duhet të formohet dhe fundja, mendoj se kjo është marrë si obligim ndërkombëtar i dy qeverive (të Kosovës dhe Serbisë)”.

“Është e rëndësishme që opinioni i shumicës shqiptare në Kosovë ta kuptojë që bashkësia e komunave serbe nuk është kërcënim as për këtë sistem, as për shoqërinë dhe Kosovën, e as për shqiptarët”, thekson Kostiq.

Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, vlerëson se ambiciet dhe dëshirat e serbëve të Kosovës nuk janë të ndryshme nga ato të shqiptarëve, ndërkaq, nga politikanët që përfaqësojnë serbët, pritet që të jenë më të angazhuar për realizimin e synimeve, që sipas tij, tashmë dihen.

“Do të thotë, më shumë siguri, vende të punës, para e kështu me radhë, me një fjalë, serbët presin një jetë më të mirë. Sa u përket përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, unë do të doja që në vitin 2016, të jenë më aktiv. Në kuptimin pozitiv, më agresiv në kërkesat e tyre, para së gjithash, kur kemi të bëjmë me caqet e proklamuara, sikurse formimi i Bashkësisë së komunave serbe, përmbushjen e të gjitha normave ligjore dhe kushtetuese, të cilat u takojnë serbëve sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, shprehet Miletiq.

Por, Marko Jakshiq, një prej liderëve serbë të veriut të Kosovës, i cili është nga tabori i kundërshtuesve të integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, thotë se serbët e Kosovës, deri në vitin 2013, kur është arritur marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë shpresuar se do të mbeten qytetarë të Serbisë.

Por, pas fillimit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, sipas tij, ata kanë mbijetuar, por janë shndërruar në qytetarë të një shteti tjetër, pra, të Kosovës.

“Shqetësimi më i madh i serbëve, duke lënë anash sigurinë, para së gjithash është e ardhmja e tyre. Fatkeqësish , sot po shohim që për shkak të hyrjes në Bashkimin Evropian, hapet kapitulli 35 apo normalizimi i marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën, që në përkthim do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës”.

“Autorët e kësaj, po e nënçmojnë mençurinë e popullit serb duke tentuar t’u shesin ‘dushk për gogla’. Kjo nuk është ajo që u garanton serbëve mbijetesën në këtë hapësirë. Problemi kryesor i serbëve në veri të Kosovës dhe në përgjithësi, sot nuk është as Prishtina, as Brukseli e as Uashingtoni. Nuk është as KFOR-i, e as UNIMIK-u. Problemi kryesor në këtë hapësirë është Beogradi”, konsideron ai.

Njohësit serbë të rrethanave politike, vlerësojnë se zhvillimet politike në vitin 2015 në Kosovë, nuk janë tregues të mirë se gjërat do të ndryshojnë për serbët në vitin 2016, por siç theksojnë ata, zhvillimet e mundshme duhet shikuar me optimizëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG