Ndërlidhjet

Asociacioni, mashtrim i Beogradit apo forcim i serbëve?


Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe është një mashtrim i madh nga ana e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, vlerësojnë liderët serbë që kundërshtojnë integrimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës.

Por, mendim të kundërt kanë përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës, të cilët vlerësojnë se ky Asociacion apo Bashkësi do ta përmirësojë jetën e serbëve të Kosovës, në kuptimin ekonomik dhe politik.

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, është temë e bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën në Bruksel.

Një prej liderëve serbë të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq, i cili i takon taborit të kundërshtuesve të integrimit të serbëve në sistemin e Kosovës, konsideron që Prishtina ia ka arritur qëllimit dhe se, siç thotë ai, Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk do ta ketë nivel e tretë të kompetencave.

Sipas tij, ky organ më shumë do t’i ngjajë një organizate joqeveritare që do të sjellë vendime këshilluese dhe për organ të tillë, siç thotë ai, nuk kanë qenë të nevojshme bisedimet në Bruksel.

“Serbët dhe bashkësia serbe nuk do të kenë ndonjë përfitim nga e gjithë kjo. Ajo bashkësi nuk do t’i ndihmojë shumë serbët që të mbesin në këtë hapësirë. Kemi thënë edhe më herët që më shumë do të ketë kompetenca shoqata e peshkatarëve se sa që do të ketë bashkësia e komunave serbe, e cila thjeshtë, vetëm duhet të shpëlaj marrëveshjen e Brukselit. Kjo e fundit, nënkupton dorëzimin faktik të Kosovës nga ana e Beogradit”, theksoi Jakshiq.

Ai ka shtuar se zgjidhja për këtë çështje do të duhej të ishte niveli i tretë i pushtetit, me të cilin do të mund të ndihmoheshin serbët.

Por, siç thotë ai, Beogradi, për këtë nuk ka qenë këmbëngulës.

“Beogradi nuk ka qenë këmbëngulës dhe ai është pajtuar, nën presionin kinse të kapitujve evropianë, që të pranojë propozimet, të cilat afërsisht i ka dhënë Prishtina. Serbët, nga këtu, thonë se Beogradi ka bërë lëshime, pikërisht që t’i marrë të ashtuquajturit ‘Kapituj’. Një pjesë e madhe e njerëzve thonë se Beogradi e ka dhënë Kosovën për t’i fituar integrimet evropiane”, tha Jakshiq.

Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit t komunës së Mitrovicës së veriut, Ksenija Bozhoviq, pret që formimi i Asociacionit apo bashkësisë së komunave me shumicë serbe të përmbajë kompetencat për të cilat është angazhuar Qeveria e Serbisë.

“Nga formimi i Bashkësisë, të cilën serbët mezi e presin dhe prej të cilës do ta kenë shpëtimin, natyrisht se presin që t’i forcojë serbët ekonomikisht dhe politikisht. Po shpresojmë që ai vendim të arrihet në drejtimin për të cilin po flet Qeveria e Serbisë. I vetmi shpëtim, i cili shihet nga populli serb në Kosovë, është Bashkësia e komunave serbe”, theksoi Bozhoviq.

Ajo shtoi se serbët, përmes Bashkësisë së komunave serbe, do të ishin më të fortë në përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e veta njerëzore themelore.

“Pres që Bashkësia e komunale serbe të formohet me kompetenca të kompletuara dhe ajo t'i mbrojë interesat e serbëve në të gjitha proceset, qoftë në ato juridike, gjyqësore, ekonomike, sociale dhe të tjera”, theksoi Bozhoviq.

Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovë i Qeverisë së Serbisë, ditë më parë ka theksuar se pala serbe po përpiqet që Bashkësia e komunave serbe të financohet drejtpërdrejtë nga Beogradi, në mënyrë që të funksionojë si pjesë e sistemit të Serbisë.

Gjuriq, po ashtu ka theksuar se qëllimi i Beogradit nuk është përçarja e sistemit të Kosovës, por që popullit serb në Kosovë t’i ofrohet fuqia politike dhe ekonomike, në mënyrë që të mund të mbijetojë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se marrëveshjet që mund të arrihen të martën në Bruksel, janë në interesin e sovranitetit të vendit dhe integrimeve euroatlantike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG