Ndërlidhjet

Lista Serbe dikton procesin e privatizimit?


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Garancitë që Lista Serbe ka marrë nga partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, se “do të respektohen pikat kryesore të marrëveshjes për koalicion qeverisës”, ka qenë shkak për kthimin e përfaqësuesve të kësaj liste në institucionet e Kosovës, në Kuvend dhe Qeveri.

Në komunikatën për medie të Listës Serbe, e cila më 23 prill, paralajmëroi kthimin e saj në institucione, është theksuar se “një nga arsyet kryesore të kthimit të përfaqësuesve të serbëve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës është edhe marrëveshja që në të ardhmen nuk do të ketë hapa të njëanshëm nga ana e partnerëve të koalicionit, posaçërisht kur bëhet fjalë për procesin e privatizimit në zonat e banuara me shumicë serbe”.

Përfaqësuesi i Listës Serbe, Vladeta Kostiq, njëherësh edhe kryetar i komunës së Graçanicës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo pikë e marrëveshjes që ndërlidhet me procesin e privatizimit, është me rëndësi jashtëzakonisht të madhe për bashkësinë serbe.

“Për ne, është mjaft e rëndësishme, sidomos kjo pikë, për shkak se Agjencia për Privatizim posedon apo i menaxhon lokacionet dhe objektet më atraktive, të cilat gjenden në territoret e të gjitha komunave dhe jo vetëm atyre me shumicë serbe. Kjo për ne është faktor i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik”, thotë Kostiq.

Ai shton se e gjithë kjo ndërlidhet me faktin se askush nga investitorët nuk dëshiron të vijë dhe të investojë paratë e tij, dhe të mos jetë i sigurt që ato para i ka të sigurta, gjegjësisht, që Agjencia mundet në çdo moment ta shpallë likuidimin e ndërmarrjes së caktuar, e cila gjendet në parcelën apo objektin e caktuar.

Në anën tjetër, njohësi i procesit të privatizimit, Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se i vetmi titullar për këtë proces është Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe jo pushteti lokal apo qendror.

Sipas tij, këto të fundit nuk mund ta ndalin një proces të tillë, pa ndryshimin e Ligjit ekzistues për Agjencinë Kosovare për Privatizim dhe Ligjit për privatizimin dhe transformimin e pronës.

“Edhe përfaqësuesit në nivelin qendror, nuk e kanë atë kompetencë të ndërhyrjes në procesin e privatizimit, sepse AKP-ja e ka nja status të një agjencisë shumë të pavarur, në kuptimin e zhvillimit të procesit të privatizimit. Në qoftë se Qeveria Mustafa, tenton që ta bëjë një kompromis me palën serbe në këtë drejtim, mendoj se së pari duhet t’i shkelë ligjet ekzistuese në fuqi, e më pas edhe ta lëndojë aktin më të lartë konstitucional të Kosovës, që është Kushtetuta”, vlerëson Ramosaj.

Ndryshe, përfaqësuesit e Listës Serbe, në vazhdimësi kanë potencuar se ata konsultohen me autoritetet e Beogradit për të gjitha veprimet e rëndësishme politike.

Si e sheh Kostiq çështjen e privatizimit në këtë kuptim?

Ai shprehet se nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por kjo do varet nga palët.

“Sipas meje, çështjet pronësore ende nuk janë pastruar. Prandaj, nëse ne duam që të fillojmë në mënyrë kualitative që t’i zgjidhim problemet, ne fillimisht duhet ta dimë se e kujt dhe çfarë është struktura pronësore e vetë pronës, në mënyrë që më vonë të flasim apo sjellin vendime që janë në interesin e të gjithë qytetarëve”, thekson Kostiq.

Por, profesor Ramosaj këmbëngul se çdo kompromis eventual apo marrëveshje e Qeverisë së Kosovës me palën serbe, që e lëndon procesin e privatizimit, në fakt do të paraqesë shkelje të ligjit, Kushtetutës dhe sovranitetit të vendit.

Sipas tij, marrë parasysh që Lista Serbe është, siç thotë ai, produkt i Qeverisë së Serbisë, atëherë përmes saj, pala serbe po përpiqet t’i pengojë proceset normale të zhvillimit ekonomik dhe transformimit të pronës në Kosovë.

“Kjo nënkupton që pala serbe, respektivisht Qeveria e Beogradit, dëshiron ta ruaj status quo-në”, potencon Ramosaj.

Ai shton se në këtë situatë, të vetmin veprim që mund ta bëjë Qeveria e Kosovës është që përmes komunikimit joformal, t’i sugjerojë Agjencisë Kosovare të Privatizimit që ndërmarrjet që gjenden në komunat me shumicë serbe, t’i lë për fazat e mëvonshme të privatizimit, duke i futur ato në listën e të ashtuquajturave ndërmarrje me probleme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG