Ndërlidhjet

BE më 2016 - përballje me migrantët, të djathtët dhe me Rusinë


Kufiri Greqi - Maqedoni
Kufiri Greqi - Maqedoni

Pas më tepër se 25 viteve të rënies së Murit të Berlinit, gjatë 2015-s në gjithë Evropën janë ngritur barriera për shkak të krizës së migrantëve, intensiteti i së cilës nuk është parë prej Luftës së Dytë Botërore, me ç’rast janë lëkundur themelet e Bashkimit Evropian, të përbërë nga 28 vende anëtare, duke e aktualizuar çështjen e qëndrueshmërisë së vet.

Në vitin 2016, Në Bruksel nuk do të ketë përpjekje vetëm se si të menaxhohen dhjetëra mijëra migrantë dhe refugjatë, që largohen nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi.

Do të ballafaqohet, po ashtu, me çështje të ndërlidhura, siç është ajo nëse do të shkatërrohet udhëtimi i lirë pa pasaportë në pjesën më të madhe të Evropës, i njohur si Schengen.

Thirrjet për këtë hap vetëm janë bërë më të zëshme pasi militantët e Shtetit Islamik i kanë vrarë 130 njerëz në Paris, më 13 nëntor, 2015.

Brenda BE-së, Brukseli do të vëzhgojë me interesim zhvillimin lidhur me referendumin e paraparë në vitin 2016 në Britani për atë se a do të largohet ky shtet nga BE apo jo.

Dalja britanike do të nënkuptojë humbje të vendit me ekonominë e dytë më të madhe në Bashkimin Evropian.

Në skajin tjetër të kontinentit, joshja për bërjen e biznesit me Rusinë, një treg me afro 150 milionë banorë dhe partneri i tretë më i madh tregtar i Bashkimit Evropian, mund të çojë në ballafaqim sa u përket sanksioneve të imponuara kundër Rusisë për ndërhyrjen e saj në Ukrainë.

Në vazhdim lexoni pesë nga sfidat madhore me të cilat do të ballafaqohet Bashkimi Evropian në vitin 2016.

Migrimi

Kriza e migrimit nuk do të përfundojë në vitin 2016. Komisioni Evropian në muajin nëntor të vitit 2015 ka vlerësuar se tre milionë refugjatë mund të arrijnë në BE deri në fund të vitit 2016.

Kjo shifër është tri herë më e lartë se llogaritja se një milionë migrantë kanë arritur në vitin 2015, në të shumtën e rasteve nëpër det, duke kaluar në Greqi dhe Itali.

Duke hedhur një shikim në të ardhmen, Komisioni Evropian nuk sheh rënie të numrit të migrantëve në Evropë deri në vitin 2017.

Bashkimi Evropian ka qenë i ngadalshëm në reagimin ndaj asaj që është sfida më e madhe me të cilën ndonjëherë është ballafaquar Bashkimi Evropian, kryesisht për shkak të përçarjes për këtë çështje, e sidomos përgjatë linjave lindje-perëndim.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që e udhëheq kampin antimigrant, në shtator të vitit 2015 tha se është e domosdoshme “mbrojtja e kufijve tanë”me qëllim që të “mbahet Evropa e krishterë”.

Hungaria ishte në rrugën kryesore tokësore për në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen, për pjesën më të madhe të migrantëve.

Qeveria e Orbanit është përgjigjur duke ndërtuar mur për ta mbyllur kufirin, ndërsa pas saj, Maqedonia, Austria dhe Sllovenia, po ashtu, kanë ngritur barriera përgjatë pjesëve të kufirit të tyre.

Në dhjetor të 2015-tës, Hungaria dhe Sllovakia, ndaras i kanë dërguar në gjykatë disa plane konkrete të BE-së, për shpërndarjen e 120 mijë migrantëve në mesin e shteteve anëtare, megjithqë numri është vetëm një pjesë e vogël e numrit real që ka arritur gjatë një viti.

Në vitin 2016, zyrtarët në Bruksel do të ballafaqohen jo vetëm me beteja gjyqësore, por me realitetin e hidhur se kuotat për migrantë për shtete të caktuara janë mjaft të vogla.

Por, për t’i bindur liderët tashmë skeptikë të vendeve të Evropës Lindore, për të pranuar kuota më të larta të migrantëve, do të kërkojë afëtsi diplomatike të tipit të Bizmarck-ut.

Njëherësh, me marrëveshjen prej 3 miliardë eurove dhe stimulimet e tjera nga Brukseli për Turqinë, do ta shtojë presionin ndaj Ankarasë për ta ndalur fluksin e refugjatëve nga Siria e shkatërruar nga lufta për në BE.

Përfundimisht, ndalja e këtij fluksi do të thotë përfundim të konfliktit në Siri, konsideron analistja, Judy Dempsey, nga Instituti Carnegy Europe.

Derisa përpkjekjet diplomatike janë shtuar në pjesën e dytë të vitit 2015, fushata e sulmeve ajrore ruse e ka komplikuar situatën, ndërsa rrëzimi i aeroplanit luftarak rus nga Turqia, zgjidhjen potenciale e ka bërë edhe më të vështirë.

Në këtë kuadër, duke folur për interesat gjeopolitike në rajonin e Lindjes së Mesme, analistja Dempsey i shtron disa pyetje:

“A do të ketë konsensus në mesin e të gjitha palëve kundërshtare dhe grupeve të ndryshme se si të ndalet kjo gjendje? Mendoj se kjo është shumë problematike. Cilat janë për shembull interesat e Arabisë Saudite, të Iranit, të Rusisë, të Evropës, të Amerikës? Kriza e migrantëve, për fat të keq, do të vazhdojë edhe për një kohë”, i tha Radios Evropa e Lirë, Judy Dempsey.

Zona Schengen

Kriza e migrantëve, e veçanërisht dështimi i Greqisë për ta kontrolluar numrin e madh të njerëzve, që kanë ardhur nëpër det, e ka vënë një pikëpyetje të madhe në parimin e zonës Schengen në Bashkimin Evropian, që mundëson lëvizje të lirë pa pasaportë për shtetasit e 22 vendeve anëtare të BE-së dhe të katër vendeve të tjera.

Kjo pikëpyetje është rritur pas sulmeve terroriste në Paris.

Derisa vazhdon përplasja lidhur me kufijtë e brendshëm, ka kundërthënie edhe për kufijtë e jashtëm të BE-së.

Franca dhe Gjermania po bëjnë presion për dhënie të autoritetit më të madh për agjencinë kufitare evropiane, Frontex, për patrullim në kufijtë e BE-së. Këtu përfshihet edhe propozimi për një Agjenci të re kufitare dhe bregdetare të BE-së, që do të vendosej pa kërkesë nga shteti përkatës.

Greqisë i është bërë presion nga Brukseli që t’i ftojë forcat e agjencisë Frontex ose ballafaqohet me pezullim efektiv nga zona Schengen.

Të rinj dhe të vetëm: Fëmijët migrantë

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, politikan i krahut të majtë, është pajtuar vetëm për vendosjen e disa kufitarëve të Frontexit. Italia, destinim tjetër madhor për migrantët që e kalojnë Detin Mesdhe, është po ashtu skekptike për idenë e BE-së për kontrolle më të ashpra të kufirit.

Analistja Judy Dempsey thekson se do të ketë më tepër “rinacionalizim”.

“Ne po shohim rinacionalizim në rritje të politkës së jashtme dhe të sigurisë. Kjo tashmë ka ndodhur gjatë disa viteve, por do të intensifikohet. Parashikimi është se çfarëdo qëndrimi unik brenda Bashkimit Evropian për shumë çështje do të jetë më i butë e jo më i fuqishëm, gjatë vitit 2016”, thotë Judy Dempsey.

Rrijta e së djathtës

Megjithë perceptimin për gjakftohësi në periudhën e rritjes së ndjenjës antimigrim, ksenofobët, fashistët dhe grupet e tjera ekstreme të krahut të djathtë, janë forcuar në gjithë Evropën dhe ka pak shenja se ky trend do të ulet në vitin 2016.

Pas sulmeve teroriste në Paris, Fronti Kombëtar i së djathtës ekstreme në Francë, në zgjedhjet rajonale në rundin e parë, arriti sukses të madh pasi ishte i pari në gjysmën e 13 rajoneve. Por, kjo parti shënoi rënie në rundin e dytë, duke mos fituar në asnjë rajon.

Ekspertët shpjeguan se kjo ka ndodhur për shkak të vendimit të Partisë Socialiste për tu tërhequr në disa rajone, duke u bërë thirrje mbështetësve që të votojnë për kandidatët konservatorë me shpresë se do të bllokoheshin kandidatët e së djathtës ekstreme.

Jean-Yves Camus, ekspert për të djathtën ekstreme në Francë, thotë se e djathta ekstreme në Evropë po i portretizon njerëzit që arrijnë në Evropë “jo si refugjatë apo migrantë, por si pushtues”.

Fakti se shumica e migrantëve janë myslimanë, i ka shkuar për shtati ideologjisë të së djathtës ekstreme, e cila ata i përshkruan si “kryqëzatë” kundër “traditave kristiane” të Evropës, thotë Camus.

Largimi i Britanisë?

Pjesërisht për shkak të presionit nga rritja e së djathtës dhe veçanërisht për shkak të rritjes së Partisë së Pavarur të Mretërisë së Bashkuar, që është euroskeptike, kryeministri britanik, David Cameron, ka premtuar referendum në anëtarësimin në BE, për të siguruar fitore të konservatorëve të tij në zgjedhjet e majit të vitit 2015.

Britania nuk është anëtare e eurozonës, ku nga ana tjetër bëjnë pjesë 18 vende, që e përdorin monedhën e parëbashkët evropiane.

Por, Britania është vendi me ekonominë e dytë më të madhe në BE dhe largimi i saj mund ta tkurrë për afro 15% GDP-në në BE.

Kryeminsitri David Cameron thotë se dëshiron që Britania të mbetet në BE dhe ka premtuar të zhvilloj negociata për kushtet e reja që Brukseli duhet t’i paraqes Londrës, që të veproj në mënyrë më të pavarur.

Zyrtarët e BE-së kanë shqetësim se do të krijohej precedent dhe do të shtohej oreksi i vendeve të tjera anëtare për më tepër autonomi brenda BE-së.

Qëndrimi ndaj Rusisë

Raportet e Bashkimit Evropian me Rusinë po shkaktojnë prëplasje brenda vendeve anëtare të bllokut. BE-ja u është bashkuar Shteteve të Bashkuara në imponimin e sanksioneve kundër Rusisë, për aneksimin ilegal të Krimesë së Ukrainës, në mars të vitit 2014 dhe për mbështetjen që Moska u jep separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës.

Nga konflikti ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve prorusë, prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 9 mijë njerëz.

Sanksionet janë zgjatur deri në korrik të vitit 2016, por perspektiva e tyre nuk është e qartë.

Por, ka të atillë, veçanërisht në vendet baltike, që kanë shqetësime se raportet me Rusinë do të jenë së shpejti të njejta me ato që ishin para sanksioneve.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG