Ndërlidhjet

Sulmet në Paris mund të forcojnë ekstremin e djathtë


Forca të shtuara të sigurisë në Bruksel.
Forca të shtuara të sigurisë në Bruksel.

Sulmet e tmerrshme terroriste në Paris, të cilat kanë vrarë së paku 129 veta dhe kanë plagosur qindra të tjerë, mund të kenë ndikim të madh në çështjet politike dhe sociale në Evropë dhe vende të tjera perëndimore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka përshkruar sulmet e shumëfishta të 13 nëntorit si “sulm ndaj botës së qytetëruar”.

Sulmet më vdekjeprurëse në Evropë qysh në vitin 2004 kanë fuqizuar tashmë forcat politike kundër migrimit, kanë rritur izolimin në mesin e qeverive dhe kanë rritur ndjenjat ksenofobike ndaj myslimanëve.

Lajmi se së paku njëri nga terroristët në sulmet e Parisit mund të ketë udhëtuar në Evropë me refugjatët sirianë, ka bërë që disa udhëheqës të qeverive të kundërshtojnë edhe më shumë pranimin e migrantëve – në kohën kur Evropa po përballet me fluksin më të madh të tyre që nga Lufta e Dytë Botërore.

Autoritetet greke dhe serbe kanë thënë se personi, i identifikuar si Ahmad al-Mohammad, është paraqitur si refugjat sirian. Ai ka arritur në një ishull grek në fillim të tetorit, përpara se të marrë rrugën e Ballkanit drejt një kampi migrantësh në Kroaci.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban – i cili ka ngritur gardh me tela në kufij për të penguar fluksin e migrantëve – ka thënë më 16 nëntor se është e pamundur të dihet saktësisht se sa terroristë kanë ardhur në Bashkimin Evropian duke u përzier me migrantë.

Ai ka thënë se plani i BE-së për t’i ndarë kuota të migrantëve secilit vend anëtar, është i paligjshëm dhe “do të shpërndajë terrorizmin në gjithë Evropën”.

Ministri polak i Mbrojtjes, Witold Waszczykowski, ka thënë më 15 nëntor se “dhjetëra-mijëra të rinj” që arrijnë në Greqi me “një iPad në duar, duke pyetur se ku mund ta mbushin baterinë e tij”, me ndihmën e BE-së, mund të shndërrohen në ushtri dhe të dërgohen prapa në Siri, “për të çliruar vendin e tyre”.

Ai i ka bërë këto komente një ditë pasi ministri për Çështje Evropiane i Polonisë, Konrad Szymanski, ka thënë se Varshava nuk e konsideron planin e Brukselit për të shpërndarë refugjatë në BE si “mundësi politike”.

Qeveria në largim e Polonisë, e cila është zëvendësuar më 16 nëntor, i është zotuar BE-së se do të pranojë rreth 7,000 refugjatë nga Siria dhe Eritrea gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Sulmet në Paris po ashtu pritet të bëjnë presion të madh mbi kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila u ka kërkuar gjermanëve që të mirëpresin qindra-mijëra refugjatë, që kanë arritur këtë vit në Gjermani.

Në Shtetet e Bashkuara, kandidati republikan për president, Jeb Bush, ka thënë se SHBA-ja duhet të përqendrohet në pranimin e një “numri të kufizuar” të të krishterëve që i ikin persekutimit në Siri.

Kanmdidati presidencial, Ted Cruz, një senator republikan nga Teksasi, ka thënë se plani i Obamës për të pranuar mijëra refugjatë sirianë “nuk është asgjë më pak se marrëzi” dhe është pajtuar me Bushin se të krishterëve duhet t’iu jepet përparësi në mesin e refugjatëve që pranon SHBA-ja.

Sulmet në Paris kanë çuar edhe në rritje të ksenofobisë kundër myslimanëve. Islami është feja dominuese e rreth një milion migrantëve që pritet të arrijnë në shtetet e BE-së në vitin 2015.

Liderja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen, ka thënë në një deklaratë televizive se Franca duhet të ndalojë organizatat islamike, të dëbojë “predikuesit e urrejtjes” dhe migrantët e paligjshëm dhe të mbyllë xhamitë e vijës së ashpër.

Ndjenjat antimyslimane në Holandë kanë bërë që popullariteti i liderit të ekstremit të djathtë, Geert Wilders – i cili ka krahasuar Kuranin me librin “Mein Kampf” të Adolf Hitlerit – të ngrihet në qiell. Sondazhet e opinionit kanë treguar se Partia për Liri e Wildersit do të trefishonte ulëset në parlament nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani.

Lëvizja gjermane anti-islamike PEGIDA ka thënë se sulmet në Paris do të bëjnë që të rritet numri i pjesëmarrësve në marshimet e saj në disa qytete gjermane, që mbahen çdo të hënë.

Ngajrjet në kryeqytetin francez kanë sjellë edhe zotime të disa liderëve politikë për veprime më të ashpra ushtarake në Siri, kundër militantëve të Shtetit Islamik, të cilët kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në Paris.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka thënë se vendi i tij “është në luftë” me terrorizmin. Më 16 nëntor, 12 avionë luftarakë francezë kanë goditur caqet e Shtetit Islamik në Raka të Sirisë, duke sulmuar depo të armëve dhe një kamp trajnimi.

Sulmet janë bërë në të njëjtën ditë kur presidenti Francois Hollande ka thënë se Franca do të intensifikojë fushatën ajrore kundër caqeve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Por, Obama ka përjashtuar çdo ndryshim të madh në strategjinë e SHBA-së kundër Shtetit Islamik, duke përsëritur zotimin e tij se Uashingtoni nuk do të dërgojë forca në terren për të luftuar ekstremistët.

Disa vëzhgues kanë thënë se sulmet në Paris mund të detyrojnë vendet perëndimore që të ndërmarrin aksione më të mëdha kundër Shtetit Islamik, përfshirë krijimin eventual të një zone të ndalim-fluturimit në veri të Sirisë, ashtu siç ka propozuar Turqia, ose bashkëpunimin midis Rusisë dhe koalicionit multietnik që udhëheq SHBA-ja kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri.

“Kemi nevojë për secilin, përfshirë edhe rusët, për të çrrënjosur Shtetin Islamik. Nuk mund të ketë dy koalicione në Siri”, ka thënë ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, pas takimit me Hollande, më 15 nëntor.

Hollande ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka mbyllur kufijtë e vendit menjëherë pas sulmeve.

Ai po ashtu ka vendosur mijëra ushtarë në Paris, ndërsa institucionet publike dhe lokacionet turistike, të tilla Kulla Eifel dhe Muzeu Louvre, janë mbyllur për disa ditë.

Masa të ngjashme janë ndërmarrë në gjithë Evropën, veçanërisht në qytetet e mëdha si Berlini, Londra dhe Roma.

Ushtarë me armë automatikë janë vendosur edhe në Sheshin Time Square të Nju Jorkut dhe përreth disa monumenteve në Uashington.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG