Ndërlidhjet

Sulmet në Francë: Çka tani?!


Franca është ende duke u rimëkëmbur nga sulmi vdekjeprurës kundër revistës satirike, Charlie Hebdo, dhe pasojat e tij. Derisa tronditja qetësohet ngadalë, shumë në Francë pyesin veten se si do ta ndryshojë ky sulm vendin e tyre.

Radio Evropa e Lirë
Vrasjet kanë ndezur një seri sulmesh kundër myslimanëve dhe xhamive në Francë. Sipas jush, a është ky një reagim afatshkurtër ndaj ngjarjeve apo do të ketë rritje të madhe të islamofobisë në Francë?

Sylvain Brouard: Është një çështje komplekse, sepse islamofobia ka qenë e pranishme në Francë. Disa njerëz kanë akuzuar Charlie Hebdo-n për islamofobi, gjë që është shumë e diskutueshme. Ajo çfarë është e qartë, është se Charlie Hebdo ka publikuar kritika therëse për islamistët dhe fundamentalistët myslimanë, më shumë se për myslimanët apo vetë Islamin.

Ekziston edhe një kontekst i përgjithshëm në Francë se politikat e migrimit janë duke u kontestuar dhe duke u vënë në pyetje. Sulmi kundër Charlie Hebdo zë vend në një kontekst që është veçanërisht i pafavorshëm për një diskutim të qetë të këtyre çështjeve. Qendra për Kërkime Politike në Paris ka kryer një studim, i cili ka zbuluar se politikat e migrimit kanë qenë prioriteti kryesor i votuesve. Andaj, vështirë se sulmi kundër Charlie Hebdo, vrasja e policëve dhe vrasja e hebrenjve në dyqanin ushqimor do ta mbështesin këtë tendencë.

Radio Evropa e Lirë
Njëri nga policët e vrarë, meqë ra fjala, ishte mysliman…

Sylvain Brouard: Absolutisht, edhe pse do të doja të theksoj se ky fakt është vërejtur, por nuk është theksuar shumë. Përveç këtij oficeri të policisë, njëri nga redaktorët në Charlie Hebdo ka qenë nga Afrika e Veriut, sapo ka marrë shtetësinë franceze dhe ka qenë, nëse jo vetë mysliman, nga një familje myslimane.

Radio Evropa e Lirë
A mund të përkthehet ndjenja anti-myslimane në Francë në suksese zgjedhore për partinë e ekstremit të djathtë, Frontin Kombëtar? Partia dhe liderja e saj, Marine Le Pen, janë mënjanuar nga tubimet në mbarë vendin për të nderuar viktimat dhe për të mbështetur unitetin kombëtar. A mund ta rrisë tragjedia popullaritetin e Frontit Kombëtar?

Sylvain Brouard: Marine Le Pen dhe Fronti Kombëtar janë izoluar gjatë demonstratave në Paris. Thirrjet për unitet kombëtar nuk kanë përfshirë atë dhe Frontin e saj Kombëtar, edhe pse ato janë shtrirë te të gjitha organizatat e tjera, përfshirë Unionin e Organizatës Islamike të Francës, i cili nuk është i njohur për pikëpamjet e tij liberale.

Nëse ashpërsohen qëndrimet ndaj migracionit dhe laicizmit, nga të gjitha këto mund të përfitojë natyrisht Fronti Kombëtar. Në anën tjetër, sulmet mund të mobilizojnë edhe votuesit. Sukseset zgjedhore të Frontit Kombëtar janë pjesërisht për shkak të daljes së vogël të votuesve dhe ngjarjet e fundit mund të ndihmojnë për të ripolitizuar njerëzit.

Radio Evropa e Lirë
Pengmarrja vdekjeprurëse në një dyqan ushqimesh, që ka pasuar sulmin në Charlie Hebdo, ka shkaktuar frikë në mesin e komunitetit hebraik të Francës po ashtu. Shumë hebrenj francezë thonë tani se janë duke konsideruar emigrimin në Izrael. A mendoni se Franca mund të shohë eksod hebraik në vitet që vijnë?

Sylvain Brouard: Anti-semitizmi në Francë është një temë e nxehtë. Fondacioni për Invoacionin Politik ka publikuar një studim, që tregon nivel të lartë të anti-semitizmit në mesin e shtetasve francezë të besimit mysliman. Kolegu im, Vincent Tiberi, dhe unë kemi bërë një hulumtim me qytetarët francezë me prejardhje nga Afrika, Afrika e Veriut dhe Turqia.

Kemi gjetur se niveli i anti-semitizmit në mesin e këtyre qytetarëve, veçanërisht myslimanë, ka qenë në mënyrë të pamohueshme më i lartë se te pjesa tjetër e popullsisë franceze. Është e qartë se hebrenjtë, për shkak të debatit për çështjet izraelito-palestineze në Francë, janë viktima të izolimit dhe madje të sulmeve të dhunshme nga pakica anti-semite.

Radio Evropa e Lirë
Shumë komentues i përshkruajnë sulmet si 11 Shtatori i Francës dhe, edhe pse numri i të vdekurve është i pakrahasueshëm, ata besojnë se në Francë do të ketë “para” dhe “pas” vrasjeve në Charlie Hebdo. A mendoni se ky është një krahasim me bazë?

Sylvain Brouard: Sulmet e 11 Shtatorit kanë qenë rezultat i një komploti në shkallë të gjerë, me degëzime ndërkombëtare. Mendoj se situata është pak më ndryshe në Francë. Atje ka pasur po ashtu lidhje ndërkombëtare me Al Kaidën në Jemen dhe Shtetin Islamik, porse sulmet janë planifikuar dhe janë kryer në Francë nga shtetas francezë.

Caqet po ashtu janë të ndryshme. Në Shtetet e Bashkuara ka pasur vrasje masive, që kanë pasur në shënjestër institucione të mëdha politike dhe ekonomike. Në Francë, cak ka qenë një javore, që ka qenë margjinale, por po ashtu e njohur për çiltërsi dhe tallje, që ka qenë në zemër të konfliktit midis fundamentalizmit, sekularizmit dhe lirisë së shprehjes në shoqërinë franceze. Sulmet kanë qëlluar po ashtu hebrenjtë. Andaj, këto janë raste krejt të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë
Që nga sulmet e 11 Shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë rritur mbikëqyrjen e individëve me një program masiv dhe kontrovers të përgjimit të telefonave dhe emaileve. A mendoni se Franca do të ndjekë hapat e Uashingtonit në përpjekjet e saj për të parandaluar sulme të tjera terroriste?

Sylvain Brouard: Populli francez nuk do ta lejojë qeverinë që të thotë se nuk mund të bëhet asgjë më shumë për të mbrojtur liritë dhe se parandalimi i sulmeve të tjera terroriste është i pamundur. Andaj, përfundimisht do të ketë masa legjislative që do të kufizojnë në mënyrë efektive liritë.

Kryeministri ka sugjeruar tashmë izolimin e të gjithë fundamentalistëve islamikë në burg. Supozoj se policisë i janë dhënë kompetenca të zgjeruara për të kryer përgjime dhe për të marrë në pyetje rastet e terrorizmit. Çështja e rikthimit të xhihadistëve francezë në Francë do të ngrihet po ashtu. Ka tashmë thirrje për masa parandaluese, të tilla si arrestet shtëpiake dhe mbikëqyrja.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG