Ky postim i fundit vjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Autoritetet e rendit kanë shtuar masat e sigurisë përreth Kuvendit dhe brenda tij, duke përfshirë edhe kontrollin e hyrje - daljeve nga salla ku rëndom mbahen seancat plenare.
Zoti Kurteshi, për të cilin VV thotë se është dërguar sot për në Gjykatë, është njëri nga shtatë ligjvënësit ndaj të cilëve autoritetet e rendit kanë shqiptuar masa ndëshkimi për hedhjen e gazit lotsjellës në seancat e mëparshme.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë nisur të mblidhen në sallën e Kuvendit ku pritet të mbahet seanca për miratimin e Buxhetit për vitin 2016.
Në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës, ligjvënësit kanë filluar të arrijnë.
Në mesin e tyre është edhe Fisnik Ismaili nga Lëvizja Vetëvendosje, ndaj të cilit autoritetet e rendit kanë shqiptuar masën prej arresti shtëpiak. Në Kuvend raportohet se është edhe ligjvënësi tjetër, Faton Topalli, gjithashtu nga VV dhe ndaj të cilit po ashtu ka masë prej arresti shtëpiak.
Pa nisur mirë punimet në seancën e Kuvendit të Kosovës, kryetari i tij, Kadri Veseli, shpalli pauzën, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës edhe sot.
Në sallë gjendeshin të gjithë ligjvënësit, kurse foltorja ishte rrethuar nga pjesëtarë të sigurimit të Kuvendit të Kosovës.