Në Prishtinë sot pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën, veç tjerash, planifikohet të miratohet Buxheti për vitin 2016.
Nuk është ende e qartë se si do të mbahet seanca e sotme, duke pasur parasysh se subjektet politike në opozitë vazhdojnë ta pengojë mbajtjen e seancave, në shenjë të protestës për nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë mbi ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Partitë opozitare në Kosovë kërkojnë anulimin e këtyre marrëveshjeve, ndërkaq Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë këto kërkesa, duke e ftuar opozitën që çështjet e kontestueshme për të t'i diskutojë në Kuvend.
Në më shumë se dy muajt e fundit, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që të trija në opozitë, kanë penguar punimet në Kuvend, duke hedhur gaz lotsjellës, vezë dhe duke bllokuar foltoren e këtij institucioni ligjvënës.
Autoritetet e rendit deri më tash kanë shqiptuar masa ndëshkimi me arrest shtëpiak dhe paraburgim për shtatë ligjvënës nga radhët e opozitës.
Në videon e mëposhtme mund të shikoni një përmbledhje të shkurtër se si është dukur Kuvendi në dy muajt e fundit.
Në rast të mos-miratimit të buxhetit, autoritetet në Kosovë kanë thënë se do të mund të vihet në rrezik një kredi prej 185 milionë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Për më shumë hollësi në këtë temë, klikoni këtu.
Por, opozita thotë se të dyja marrëveshjet e kontestueshme për të, rrezikojnë tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës.
Duke klikuar këtu, mund të njiheni më nga afër me qëndrimet e forcave politike në opozitë.
Autoritetet e rendit kanë shtuar masat e sigurisë përreth dhe brenda objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kontrolluar çdo hyrje - dalje nga ky institucion ligjvënës.
Seanca është paralajmëruar të fillojë në orën 10:00.