Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate se me "urdhëresë të Gjykatës kompetente, zyrtarët policor kanë ndaluar zotin Ismail Kurteshi për mosrespektim të arrestit shtëpiak". Me vendim të organeve të drejtësisë, atij i është zëvendësuar masa e dënimit nga arrest shtëpiak me masën e dënimit prej 30 ditësh paraburgim.
Policia thotë gjithashtu se ka njoftuar organet e drejtësisë për mosrespektimin e arrestit shtëpiak nga dy deputetë të tjerë - Fisnik Ismaili dhe Faton Topalli.
Që të tre, nga Lëvizija Vetëvendosje, akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, në seancat e mëparshme.
Për Pal Lekajn ndërkaq, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, policia thotë se ai është shoqëruar në stacionin policor, bazuar në një urdhëresë gjykate.
Autoritetet e rendit në Kosovë kanë shpjeguar përmes një komunikate se në orët e pasdites, një numër protestuesish të cilët qëndronin jashtë objektit të Kuvendit të Kosovës, "kanë filluar të shfaqin dhunë, duke hedhur mjete të ndryshme me ngjyrë si dhe mjete të forta drejt zyrtarëve policorë dhe drejt objekteve shtetërore".
"Si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, në disa lokacione të ndryshme janë dëmtuar pesë (5) vetura zyrtare, njërës prej tyre i është vënë zjarri nga persona të dyshuar".
"Protestuesit e dhunshëm gjatë shpërndarjes dhe lëvizjeve të tyre në lokacione të ndryshme kanë tentuar të bllokojnë dhe pengojnë qarkullimin e trafikut, duke vendosur mjete të ndryshme në rrugë, duke përfshirë edhe kontejnerë mbeturinash", thuhet mes tjerash në komunikatën e policisë, në të cilën gjithashtu raportohet për 3 protestues të arrestuar.
Pamje të përplasjeve mes mbështetësve të opozitës dhe njësiteve speciale të Policisë së Kosovës.
Seanca e Kuvendit të Kosovës pritet t'i vazhdojë punimet së shpejti, ndonëse nuk dihet ende në cilën sallë.
Deputetë nga radhët e opozitës kanë hedhur në orët e paradites gaz lotsjellës në sallën e zakonshme të seancave plenare, duke detyruar zhvendosjen e punimeve në një sallë alternative, në të cilën disa deputetë nga opozita gjithashtu arritën të hedhin gaz lotsjellës dhe të ndërprejnë punimet.