Në sallën alternative disa nga ligjvënësit opozitarë, të cilët Kryesia e Kuvendit nuk i kishte futur në listën e pezullimit, kanë hedhur gaz lotsjellës. Nuk është ende e qartë se cilët nga gjashtë deputetët, të cilët nuk u pezulluan, hodhi gazin.
Të gjithë të pranishmit në sallë dolën jashtë saj.
Në njërën nga sallat alternative të Kuvendit të Kosovës, ligjvënësit e këtij institucioni, me shumicë votash, kanë miratuar Buxhetin për vitin 2016.
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës po mbahet pa ligjvënësit e opozitës, të cilët me vendim të Kryesisë së Kuvendit, edhe kësaj radhe u pezulluan, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në sallën e seancave plenare dhe atë ku mban mbledhjet Kryesia e Kuvendit.
Forca të njësive speciale të Policisë së Kosovës kanë rrethuar disa rrugë qendrore në Prishtinë, të cilat çojnë në drejtim të Kuvendit të Kosovës.
Dhjetëra mbështetës të opozitës kanë hedhur ngjyrë dhe gurë në drejtim të Kuvendit të Kosovës, dhe forcave të policisë.
Mbështetësit e opozitës që po qëndrojnë para objektit të Kuvendit të Kosovës, kanë hedhur ngjyrë në drejtim të objektit.
Brenda objektit, punimet po zhvillohen në një sallë alternative, në të cilën raportohet se nuk është lejuar hyrja e asnjë ligjvënësi nga radhët e opozitës.