Ndërlidhjet

Opozita nuk heq dorë, qeveria bën thirrje për debat në Kuvend


Aktivistët e opozitës me aksion simbolik
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:05 0:00

Aktivistët e opozitës me aksion simbolik

Partitë politike opozitare në përbërje të Kuvendit të Kosovës -- Lëvizja Vetëvendosje, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës -- e kanë cilësuar si të rëndësishme për Kosovën, vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, mesazhet e të cilit gjithashtu i cilësuan si shumë të qarta.

Megjithatë, ata thonë se kur behët fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, "nuk pajtohen me konstatimin se këto marrëveshje nuk e dëmtojnë Kosovën".

Zoti Kerry, gjatë vizitës që i bëri Kosovës më 2 dhjetor, duke folur pikërisht për këto marrëveshje, tha se është "investuar shumë bashkërisht, për të lejuar që e ardhmja e Kosovës të vihet në rrezik".

“Mos u gaboni. Nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që do të rrezikonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës", ka thënë sekretari amerikan, John Kerry, në 2 dhjetor, në Prishtinë.

Driton Çaushi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë se si subjekt politik, "nuk janë në gjendje që të bejnë kompromis me Republikën".

“Ne, jemi të bindur, bashkë me një shumicë dërmuese të qytetarëve të Kosovës, se këto marrëveshje nuk janë të pranueshme për shtetin e Kosovës dhe janë të rrezikshme për çfarëdo të ardhmeje prosperuese për shtetin e Kosovës. Ne besojmë se aktualisht është momenti i tillë kur nevojitet një reflektim dhe një veprim nga pushteti drejt kërkesave tona si opozitë”, tha Çaushi.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate dërguar pas vizitës së zotit Kerry në Kosovë, konsideron se Kuvendi i Kosovës “është cenuar dhe është degraduar pikërisht përmes ushtrimit arrogant të pushtetit nga shumica”, e cila, siç thonë brenda kësaj Lëvizjeje, “po zhvillon një formë të diktaturës së numrave”.

“Ka qenë kjo shumicë që, në rastin e amendamenteve për Gjykatën Speciale, i ka përsëritur votimet në Kuvend, duke mos e respektuar vendimin e parë të këtij organi”, është thënë mes tjerash në komunikatë.

Edhe Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se marrëveshjet të cilat e dëmtojnë Kosovën duhet të shqyrtohen dhe t'u hiqen nënshkrimet, pasi që ato e dëmtojnë Kosovën në synimet e saja.

“Marrëveshjet në parim, kur krijojnë relacione mes shteteve, në normalizimin e marrëdhënieve dhe në krijimin e një atmosfere të mirë mes popujve janë të mira, por kur cenojnë interesat e brendshme, siç është rasti me dy marrëveshjet - ajo për demarkacionin dhe për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe - mendojmë se janë detaje të cilat e dëmtojnë mundësinë e avancimit të relacioneve”, tha Isufi.

Zoti Isufi tha Kosova është e interesuar që të ketë raporte të mira fqinjësore më të gjitha shtetet, por marrëveshjet që e dëmtojnë interesin e Kosovës nuk do të lejohen të zbatohen.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë që është mbajtur të enjten, ka ftuar partitë politike opozitare që t’i kthehen punës në Kuvendin e Kosovës.

“Konsiderojmë se zgjidhja më e mirë është që [debati] të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, aty ku të gjithë deputetët, si përfaqësues të populli, të mund t’i japin vërejtjet, sugjerimet, propozimet e tyre".

"Ne jemi të përkushtuar që të gjendet zgjidhja institucionale. Jemi të përkushtuar që më mos të ketë gaz lotsjellës në Kuvend, që ato fotografi të jenë fotografi të së kaluarës dhe që Kuvendi i Republikës së Kosovës të punojë në përbërje të plotë, të pushtetit dhe opozitës dhe në mënyrë demokratike të trajtojë të gjitha çështje që shtrohen para nesh”, tha Mustafa.

Opozita ka bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës, kryesisht duke hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit, për më shumë se dy muaj, duke kërkuar që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të tërhiqen nga marrëveshjet me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi.

Për shkak të këtyre veprimeve, në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi dhe deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kurse në arrest shtëpiak janë edhe tre ligjnvënës të tjerë, Fisnik Ismaili dhe Ismail Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Haxhi Shala nga Nisma për Kosovën.

Policia mbetet në kërkim të edhe dy ligjvënësve të tjerë, gjithashtu nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, kundër të cilëve janë lëshuar fletarreste.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG