Ndërlidhjet

Përplasje dhe protesta në Prishtinë


Situatë e tensionuar në Prishtinë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Protesta në Prishtinë

Rreth 22 persona janë arrestuar, më shumë se 13 të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ky është bilanci i protestës së ditës së mërkurë, organizuar nga partitë politike opozitare në Kosovë.

Protesta e cila filloi në mesditë, erdhi pasi Polica e Kosovës ka arrestuar deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj- Bujupi.

Arrestimi i saj pasoi njoftimet se Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër-arrest për katër deputetë të parlamentit, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputeten Kadaj-Bujupi.

Deputetët e opozitës disa herë radhazi kanë hedhur gaz lotsjellës në mjediset e Kuvendit të Kosovës dhe kanë pamundësuar mbajtjen e seancave.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që Kadaj-Bujupi të mbetet në paraburgim për 30 ditë. Avokati mbrojtës i deputetes, Arianit Koci tha se vendimi i gjykatës është i padrejtë.

“Është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. Mendoj se vendimi është i padrejtë, joproporcional dhe unë do të ushtrojë ankesë për këtë vendim", ka thënë Koci.

Njësia speciale e Policisë se Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të aktivistëve të partive politike opozitare: Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, të cilët fillimisht ishin mbledhur para Qeverisë së Kosovës në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë dhe në sheshet e tjera të kryeqytetit.

Veç liderëve të partive politike opozitare, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj, Fatmir Lima,j për një kohë në protestë ka qëndruar edhe deputeti Albin Kurti i cili është duke u kërkuar nga policia për arrestim.

Protestuesit kanë kundërshtuar arrestimin e deputetes Donika Kadaj - Bujupi, dhe disa herë në drejtim të policisë dhe institucioneve kanë hedhur koktej molotovi, ngjyrë dhe gurë.

Gjatë protestës e cila ka zgjatur deri në orët e mbrëmjes, organet e rendit kanë shoqëruar në stacionin policor 22 persona për intervistim dhe procedura tjera policore.

Zëdhënësi i Policisë se Kosovës, Baki Kelani, tha për Radion Evropa e Lirë se si pasojë e dhunës deri më tani janë lënduar shtatë zyrtarë policor të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore, por ka edhe të tjerë, siç tha ai, që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Një veturë zyrtare është djegur më targa 3Z, katër vetura të policisë janë dëmtuar, por ka edhe dhjetëra vetura zyrtare të institucioneve tjera që janë dëmtuar”, ka treguar Kelani.

Ai theksoi se dëme të shkaktuara ka edhe në ndërtesën e qeverisë se Kosovës, po ashtu ka disa informacione se ka dëmtime edhe të shtatores se presidentit “Ibrahim Rugova” ku dyshohet se janë dëmtuar disa shkronja të emërtimit.

Nga ana tjetër, drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se gjatë ditës në emergjencë kanë kërkuar ndihmë policë e protestues si pasojë e lëndimeve.

“Nga ora 13:00 deri më tani kanë kërkuar ndihmë mjekësore 10 persona të lënduar prej tyre gjashtë policë të cilët kanë marrë lëndime trupore, në ekstremitetet e sipërme dhe të poshtme dhe në bosht kurrizor, në gjoks dhe bark, dhe lëndimet janë shkaktuar me mjete të topitura. Po ashtu janë edhe dy protestues të cilët kanë marrë lëndime në ekstremitetet e poshtme”, ka sqaruar Lenjani.

Lenjani ka treguar se si pasojë e gazit lotsjellës ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe disa kalimtarë të rastit. Të gjithë të lënduarit, sipas Lenjanit, janë jashtë rrezikut për jetë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar lirimin e deputetes Kadaj-Bujupi ndërsa u bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë, që “të mos shndërrohen në vegla të pushtetit duke zbatuar urdhrat e politikës së të korruptuarve dhe kriminelëve institucional, Isa Mustafës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”.

Në reagimin e kësaj partie thuhet se “AAK së bashku me opozitën është e vendosur të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve: Asociacionin dhe Demarkacionin, përkundër shantazheve të pushtetit të korruptuar dhe kriminal, i cili është vënë në tërësi në funksion kundër interesave të shtetit duke cenuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikaten e kësaj partie.

Kurse në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje, ka treguar se banesa e Albin Kurtit dhe ajo e Albulena Haxhiut janë bastisur nga Policia e Kosovës në mëngjes.

“Policia po i përgjigjet urdhrave policore të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit të cilët janë të gatshëm ta shndërrojnë Kosovën në shtet policor, vetëm që të mos heqin dorë nga pushteti i tyre dhe nga marrëveshjet që kanë bërë me Serbinë. Deputetja Kadaj-Bujupi duhet liruar menjëherë dhe përndjekja ndaj opozitës duhet të përfundojë”, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.

Në orët e mbrëmjes së mërkurë Qeveria e Kosovës ka dënuar dhunën që ka përfshirë protestat e opozitës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e indinjuar me lëndimet që iu shkaktuan sot qytetarëve të pafajshëm, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe me dëmet materiale dhe skenat e tmerrshme që u panë sot në Prishtinë”.

“Hipokrizia e opozitës qëndron në faktin se ata gjoja po protestojnë për mbrojtjen e Republikës, por në emër të mbrojtjes së saj ata po tentojnë ta shkatërrojnë atë, po i sulmojnë institucionet e saj, po përdhosin çdo gjë që është ndërtuar me shumë mund”, thuhet pos tjerash në reagimin e qeverisë.

Ekzekutivi po ashtu ka thënë se shpreh përkrahjen më të fuqishme për Policinë e Kosovës, e cila “me përkushtim po e mbron Republikën e Kosovës nga aktet kriminale të orkestruara për përfitime ekskluzivisht politike”.

Partitë opozitare për gati dy muaj po pamundësojnë mbajtjen e seancave të Parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht, me të cilat marrëveshje thuhet se komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie.

Opozita kundërshton edhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG